TIRANE - Një punonjës i Gardës së Republikës i identifikuar si Arjol Mançe, 30-vjeç me origjinë nga Përmeti dhe banues në Tiranë, ka vrarë veten me armën e shërbimit brenda në ambientet e Gardës së Republikës. 

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:00. Mësohet se Gardisti ka qenë në kushte të rënduara psikologjike në momentin kur ka kryer aktin e vetëflijimit. Report Tv ka mësuar se gardisti pak sekonda përpara se t'i jepte fund jetës, ka lënë një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, duke paralajmëruar fatin tragjik.  

Do vras veten. Do iki nga kjo botë.

Shënimi i Arjon Mançe në librin e shënimeve të Gardës

Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë gjithashtu se pak para se t'i jepte fund jetës, Mançe i ka dërguar edhe një sms babait të tij. I ati ka tentuar ta telefonojë pasi mori SMS-në, por Mançe nuk i është përgjigjur.

 

Ndërkohë, gjithashtu burime pranë Gardës së Republikës bënë të ditur për Report Tv se gardisti 30-vjeçar ka qenë me shërbim me trupat komando në Afganistan dhe Irak, në kuadër të misionit të NATO-s për paqen dhe sigurinë në vendin e trazuar nga talebanët, ndërsa ishte kthyer në Shqipëri disa kohë më parë. Dyshohet që trauma e pësuar gjatë kësaj kohe, siç ndodh me shumë ushtarë të ketë lënë pasoja edhe tek Mançe.

Në 30 qershor të këtij viti ishte gardisti Shkëlzen Qordja, 31-vjeç, me detyrë shofer i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili qëlloi veten me armën e shërbimit në ambientet e Gardës së Republikës dhe për rrjedhojë humbi jetën. 

Njoftimi i policisë:

Njoftim 

Rreth ores 23:00, te mbremjes se kaluar në ambjentet e Gardës se Republikes, teksa po kryente sherbimin prane hyrjes dytesore te institucionit, punonjësi i Gardes A.M., 30 vjeç, nga Permeti, dyshohet se ka vrarë veten me armen e sherbimit.

Per hetimin e rastit u ngrit nje grup i posaçem nen drejtimin e Prokurorise. Grupi hetimor ka administruar dhe sekuestruar prova qe forcojne dyshimin se akti eshte kryer ne kushtet e tronditjes psikike.

Hetimet po vijojne per zbardhjen e gjithe rrethanave te ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:04
Ky është gardisti që u vetëvra sot në Tiranë me armën e shërbimit (Foto)

Pak orë pasi gardisti Arjol Mançe, 30-vjeç me origjinë nga Përmeti i dha fund jetës në ambientet e Gardës së Republikës, Shqiptarja.com dhe Report Tv publikojnë foton e tij.

Mançe është personi që shihni në foto. Kohë më parë ai kishte shërbyer edhe në Afganistan.

Mësohet gjithashtu se aktin e rëndë të vetëvrasjes ai e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike. Pak minuta para se të vetëvritej me armën e shërbimit, Mançe ka ka lënë edhe një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, duke paralajmëruar fatin tragjik.  Ai thoshte: “Do vras veten, do iki  nga kjo botë”