11 persona mes të cilëve 5 shqiptarë janë arrestuar në Turqi pasi bënin trafikim e kanabisit nga Shqipëria, në Greqi dhe më pas drejt Turqisë. 1.1 ton ka sekuestruar Policia e qytetit të Bodrumit në Turqi dhe operacioni është filmuar nga sektori i narkotikëve.
Vlera e drogës së sekuestruar është më shumë se 5 milionë euro. Mes personave të arrestuar është edhe Met Kanani, që cilësohet në Turqi si njëri prej baronëve të mëdhenj të drogës. Madje mediat turke kanë përdorur edhe epitetin “Eskobari shqiptar”. Gazeta ka arritur të zbulojë edhe foton e Met Kananit në një kodër të qytetit të Bodrumit. Ai ishte duke pritur sasinë e kanabisit dhe ky moment është fotografuar nga Policia Turke.
Kanabisi në depo uji
Pasi kalonte nëpërmjet Greqisë dhe më pas në Turqi, kanabisi depozitohej në një depo që përdorej si biznes uji. Sapo droga ka mbërritur në Turqi, Policia ka vendosur të ndërhyjë duke arrestuar Met Kananin dhe 10 persona të tjerë që ishin pjesë e grupit kriminal.
Kanani kishte dy linja të furnizimit të Evropës me kanabis, një lloj hashashi më të sofistikuar, i quajtur “Skunk”. Përveçse ndiqte rrugën detare nga Shqipëria për të futur drogën në Turqi, përdorte edhe linjën tjetër nga Afganistani dhe Irani për të sjellë heroinë në vendet evropiane
Kush është Met Kanani?
Mediat turke theksojnë faktin se Met Kanani, që njihet edhe me emrin Met shqiptari dhe cilësohet si “baron i madh i drogës” pasi kontrollon edhe rrugët e trafikut të heroinës nga Afganistani, Irani dhe Turqia drejt Europës.
Sipas mediave në Turqi Met Kanani është personi që ka tentuar të trafikojë në nëntor të 2017-së 1.6 ton kanabis që u kap nga Policia Greke pas një përleshje në det. Ka qenë Met Kanani personi që dyshohet se ka tentuar të çojë në Greqi këtë sasi droge, ku njerëzit e tij janë përplasur me Policinë, aq sa u desh ndërhyrja edhe e një helikopteri nga ajri për të prangosur personat që ishin në bordin e anijes që po bënte trafikimin e kanabisit. Pavarisht se u kapën njerëzit e baronit të drogës, Met Kanani nuk u arrit të arrestohej dot nga Policia Greke në atë kohë. Grupi që krynte këtë linjë narkotrafiku kishte lidhje të forta edhe me trafikantë italianë e grekë. Nga dosja e policisë greke për këtë çështje që “Shqiptarja.com” zbardhi në nëntor dilte përfshirja e një biznesmeni të fuqishëm grek si dhe e dy trafikantëve me shumë eksperiencë italianë.
Operacioni në Turqi
Ky operacion i Policisë Turke vjen pas një hetimi 6-mujor. Policia kishte arritur të binte në gjurmët e Met Kananit dhe e ka ndjekur atë për më shumë se 2 muaj, kur ka mbërritur në zonën ku u arrestua. Mes momenteve që është ndjekur ka qënë edhe rasti në një kodër ku Met Kanani priste sasinë e kanabisit që po vinte nga Greqia dhe dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria. Grupi kriminal i Met Kananit dyshohet se vepron prej vitesh në trafikimin e kanabisit drejt Turqisë. Deri më tani janë arrestuar edhe 11 anëtarë të këtij grupi kriminal, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga Policia Turke. 5 janë shqiptarë, ndërsa për 6 të tjerët nuk jepet asnjë e dhënë. Met Kanani raportohet se kishte në duart e tij një pjesë të rëndësishme të rrugës ballkanike të trafikimit të drogës. Sipas ekspertëve, nëpërmjet kësaj rruge, banda e tij dërgonte në Europë heroinën që vjen nga Afganistani, Irani dhe Turqia, teksa nga Europa merrte kanabis për tregun turk dhe pilula droge, të cilat i trafikonte kryesisht për në vendet arabe. Me këtë operacion, media turke raporton se është goditur rëndë rruga ballkanike e trafikimit të drograve të forta, si dhe e kanabisit që prodhohet në Shqipëri.