POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca/ Pastiçe dhe Fërgesë verore me speca e domate

Përbërësit :

400 gr makarona

3 kokrra vezë + 1 të verdhë veze

150 gr djath i bardhë

1 litër qumësht

Gjalpë

Kripë dhe piper i zi

Përbërësit për beshamelin:

50 gr gjalp

2 lugë gjelle miell

2 gota qumësht

Përgatitja

Ziejmë makaronat në ujë të valuar me kripë për 5 minuta (3 minuta më pak se sa shkruhet në etiketë)

Ndërkohë që ziejnë makaronat, përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin ,kaurdisim miellin dhe sa të zëjë të  zverdhet shtojmë 2 gota qumësht dhe e trazojmë me tel vezësh . e lëmë të ziejë për 2 minuta dhe e largojmë duke shtuar nga pak kripë, piper e arrë moskat.

Në tepsinë që do përgatisim pastiçen , fillimisht hedhim 2 lugë gjelle beshamel që të mos na ngjitet pastiçja.

Makaronat e ziera i shpërndajmë në tvën së bashku me një lugë gjelle gjalpë  dhe i përziejmë me djathin e thërrmuar.

Rrahim vezët me kripë, piper të zi dhe qumështin e mbetur nga beshameli dhe masën e përgatitur e hedhim tek makaronat.

Mbi të shpërndajmë beshamelin , jo shumë të hollë dhe i nivelojmë mirë. Sipër i hedhim pak djath parmixhano . E vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 200 gradë për rreth 25 – 30 minuta dhe më pas e nxjerrim nga furra dhe e shërbejmë.

Receta e dytë : Fërgesë verore me speca dhe domate,

Përbërësit :

500 gr speca

600 gr domate

200 gr gjizë

2 – 3 vezë

5 thelpinj hudhër

2 lugë gjelle majdanoz i grirë (sipas dëshirës)

1 spec pikant (sipas dëshirës )

1 lugë çaji sheqer

Vaj ulliri

Kripë dhe piper      

Përgatitja :

Lajmë dhe pastrojmë specat nga farat. I presim ato në rrota me trashësi 2 cm, ose në shirita dhe i skuqim në vaj për skuqje.

Mund ti skuqni dhe të plota duke i mbuluar me kapak. I qërojmë e më pas i presim në madhësinë që dëshirojmë, sa një kafshatë . Pasi kemi specat , i lëmë mënjanë.

Në një tigan të thellë , hedhim 4 lugë gjelle vaj ulliri , dhe pasi vaji ngrohet hedhim hudhrat të prera në copa të vogla dhe për 1 minutë, shtojmë domatet e qëruara nga lëkura dhe të prera në copëza të vogla. Shtojmë 1 lugë çaji sheqer dhe i lëmë domatet të ziejnë për 7 minuta duke shtuar ndërkohë kripën, piperin, gjizën. I trazojmë mirë dhe i lëmë të ziejnë bashkë për 3 – 4 minuta të tjera. Shtojmë specat e copëtuar dhe i lëmë të marrin 2 minuta valë me domaten, dhe në fund shtojmë vezët duke i lënë sat ë fluskojnë pak . I trazojmë fare lehtë dhe i vëm kapakun për 3 – 4 minuta sa veza të mpikset.

Kush dëshiron majdanozin, mund ta hedhë përpara se të hedhë gjizën, ose në fund me vezën.

Ju bëftë mirë !

 

a.ko./b.ha.
Komento