Një ndër ngjarjet më historike të vendit tonë është anëtarësimi i saj në NATO, 15 vite më parë. Kjo aleancë aktualisht është ndoshta në një nga periudhat më sfiduese që ka hasur që nga themelimi i saj para 75 vitesh, për shkak të luftërave dhe konflikteve të acaruara mes shumë vendeve në mbarë botën.
Për të dhënë një analizë më të detajuar mbi situatën në cilën ndodhet NATO sot, e ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv ishte drejtoresha ekzekutive e Institutit për Sigurinë Ndërkombëtare, Alba Çela.
Sipas Çelës, ndryshe nga ç’priste Rusia, lufta në Ukrainë ka bërë që NATO-ja të ndërmarrë hapa rë qenësishëm për forcimin dhe rritjen e saj,, por theksoi situata e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor është një sfidë aktive për aleancën
“Konteksti gjeopolitik i tanishëm është shumë sfidues për aleancën sepse kanë ndodhur disa zhvillime të njekohësishme. Konflikti në Ukrainë që paramendohej nga Rusia që do të dobësonte pozitën e Perëndimit, për NATO-n prodhoi një efekt të kundërt. NATO e ndjen veten më të angazhuar dhe më të fortë,. Mos të harrojmë që dy vende tradicionalisht neutrale, siç ishin Finlanda dhe Suedia, u bënë anëtare të NATO-s, duke prodhuar efektin e kundërt, u shtua konflikti tokësor dhe detar që Rusia ndan me aleancën. Kjo nuk do të thotë që sfidat përfundojnë, përkundrazi, kur vjen puna te Ballkani Perëndimor ne duhet të jemi të qartë që Ballkani është i ndarë në gjysmë. Nga 6 shtete që jemi, 3 janë anëtare të NATO-s, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, dhe 3 të tjera nuk janë. Ndërkohë që në Bosnje dhe Kosovë kemi trupa paqeruajtëse, Serbia ka një pozicion krejtësisht të ndryshëm. Është një pozicion tipik i politikës së jashtme oportuniste, e cila gjithmonë i mban opsionet hapur sepse është e çuditshme të shikosh që formalisht ka një marrëdhënie midis NATO-s dhe Serbisë, siç ka dhe me shumë vende të tjera jo anëtare”,- është shprehur ajo.
“NATO e ka gjithmonë një sy mbi Ballkanin”,-theksoi Çela.
Ndër pasiguritë më të mëdha të vendeve anëtare të NATO-s aktualisht është se çfarë do t’i ndodhë aleancës nëse ish-presidenti amerikan, Donald Trump, rikthehet në pushtet. Në shpjegimin e saj në lidhje me këtë polemikë ekspertja la të nënkuptohet se nëse Trump do të vijë sërish në pushtet vendimet e tij në raport me NATO-n do të jenë më të matura, ndryshe nga retorike e tij elektorale në SHBA.
“Ka një angazhim mbarë europian për të eksploruar skenarët e mundshëm se çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Po edhe nëse do të zgjidhet ish-presidenti Trump nuk është e thënë të ketë vetëm një skenar. Do të varet nga vendimmarrja e tij dhe e administratës së tij se si do të veprohet me NATO-n dhe ka gjithmonë një ndryshim mes retorikës në fushatë dhe pastaj çfarë vendos një president, një administratë, kur është në tryezën e vendimmarrjes dhe kur shikon të gjithë infrastrukturën e institucioneve dhe të angazhimeve të marra. SHBA-të kanë pasur një shqetësim të drejtë, që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë financiarisht në mënyrë të drejtë dhe ashtu siç ato kanë marrë një angazhim, 2 përqind të GDP-së por edhe një koordinim të madh”,-tha ajo.
‘Mendoj që është e vështirë të kemi skenarin apokaliptik: të mos ketë më NATO, siç flitet ndonjëherë nga ekspertët”,-nënvizoi më tej.
Kosova aspiron me të drejtë të bëhet pjesë e NATO-s, qëllim i shprehur hapur nga shtetarët e Prishtinë, sipas Çelës kjo është e vështirë për sa kohë pjesë e aleancës janë vende që nuk njohin pavarësinë e saj. Sipas ekspertes pranimi ose jo i Kosovës në KE do të jetë pikë referimi për rrugëtimin e saj në NATO.
“Pengesa e vetme mbetet qëndrimi i vendeve që nuk e njohin Kosovën, nga 5 vende anëtare të BE, 4 prej tyre në NATO, pengesa e tyre për ta pranuar Kosovën në NATO është fakti që nuk e njohin. Megjithatë është në interesante të shikohet precedenti që do të vendoset me Këshillin e Europës, ku kemi parë anëtarë që vijnë nga vende jo njohëse por që kanë votuar pro Kosovës dhe kjo do të krijojë një dinamikë komplet të re mbi pozicionin e këtyre vendeve që formalisht nuk kanë arritur deri te njohja por që mund të kenë një qasje më fleksibël për ta pranuar në organizma ndërkombëtar”,-tha Çela.