POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Rosnica me pulë dhe Tortë e ftohtë me kos e fruta

Përbërësit: 

1 pulë

1 kokërr qepë

500 gr rosnica

2 lgj gjalp

3 lgj vaj ulliri

Nenexhik i thatë

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja

Lajmë dhe thajmë pulën dhe e presim atë në copa. Në një tenxhere të thellë vendosim një lugë gjelle gjalp dhe 2 lugë gjelle vaj ulliri, kaurdisim qepën deri sa ajo të zbutet.

Vendosim copat e pulës dhe i zverdhim pak duke i kaurdisur së bashku me qepën. Shtojmë kripë, pak piper të zi dhe mbulpjmë copat e pulës me ujë duke i lënë ato të ziejnë për 25 minuta.

Më pas largojmë copat e pulës , i vendosim ato në një tepsi duke i lyer me pak gjalp dhe i vendosim në furrën e graduar më parë, deri sa të marrë një ngjyrë të kuqerremtë.

Në një tigan të thellë me 1 lugë gjelle gjalp dhe 1 lugë gjelle vaj ulliri, kaurdisim rosnicat deri sa të zverdhen pak. Shtojmë lëngun e pulës sa të kalojë pak nivelin e rosnicave , i trazojmë e i vendosim kapakun.

I lëmë të ziejnë për 10-15 minuta në temperaturë mesatare duke i trazuar herë pas here dhe duke i provuar për shije. I largojmë nga zjarri kur rosnicat të jenë zier dhe të jenë të shkrifta.

I shërbejmë duke i shoqëruar me copat e pulës.

Shënim : Nëse dëshironi mund të vendosim në një tepsi copat e pulës dhe mund ti vendosim dhe në furrë për 10 minuta në temperaturë 180°C.

Receta e dytë :Tortë e ftohtë me kos dhe fruta pylli

Përberësit:

500 gr fruta pylli

250 gr biskota

100 gr gjalp i tretur

400 gr salcë kosi ose kos me fruta pylli

50 gr sheqer pluhur

200 gr qumësht i kondensuar

200 gr pana ëmbëlsire

12 gr xhelatine

Vanilje

Përgatitja:

Fillimisht fletët e xhelatinës i vendosim në një tas me ujë të ftohtë dhe i lëmë të zbuten për 10 minuta. Ndërkohë shkrijmë gjalpin në temperaturë të ulët sa të shkrijë.

Biskotat i vendosim në një qese dhe i thërrmojmë me rolon  (ose i vendosim në grirësen e qepës dhe i thërrmojmë)

Vendosim biskotat në një tas dhe i përziejmë ato me gjalpin e shkrirë. Në një tepsi unazë ( tepsi keku), shtojmë biskotat e trazuara me gjalp dhe i nivelojmë  mirë në të gjithë sipërfaqen duke i shtypur me shpinën e lugës. Mund ta vendosim në frigorifer deri sa të përgatisim mbushjen me qëllim që gjalpi të ngrijë dhe të bashkojë copëzat e biskotës.

Mbushja :

Në një tas vendosim salcën e kosit ose kosin e frutave ose ½ salcë kosi dhe ½ kos frutash. Shtojmë në të 50 gr sheqer, vanilje  dhe i trazojmë mirë.

Rrahim panën deri sa ajo të ngurtësohet. Shtojmë tek pana qumështine kondensuar dhe e përziejmë mirë. Shtojmë gjithashtu kosin dhe i përziejmë së bashku.

Xhelatinën e shtrydhur e vendosim në një xhezve dhe më pas shtojmë në të 2 lugë gjelle ujë. E vendosim në zjarr mesatar  sa xhelatina të tretet në ujin e nxehtë dhe e largojmë menjeherë. E shtojmë pak nga pak në tasin ku kemi përzier përbërësit e mbushjes  dhe i trazojmë.

Vendosim disa fruta pylli  si shtresë të mesme mbi shtresën me biskota. I mbulojmë ato me kremin e përgatitur duke e niveluar atë mirë dhe vendosim tepsinë e mbuluar me letër celefoni në frigorifer për 4 orë. Pasi e nxjerrim nga frigoriferi e zbukurojmë me fruta pylli duke i pudrosur ato me sheqer pluhur ose grimca çokollate të bardhë.  

a.ko./b.ha.
Komento