POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca / Sanduiç i mbushur dhe Mish me bizele

     

Receta e parë : Sanduiç i mbushur

Përbërësit

4 simite (1 për person)

30 gr gjalp i shkrirë

4 lugë gjelle djath i grirë pice

2 thelpinj hudhër

2 domate të vogla

3-4 degë spinaq

4 kokrra vezë

Kripë dhe piper  i zi

Letër alumini

Përgatitja

Marrim simiten, i heqim pjesën e sipërme  dhe e boshatisim. E lëmë koren anësore 6-7 mm të trashë dhe ia heqim të gjithë tulin duke e bërë simiten në trajtën e një kupe.

E lyejmë bukën rreth e rrotull me pak gjalp të shkrirë(jo më shumë se 1 lugë). Shtojmë një lugë nga djathi i grirë në fund të bukës dhe e ngjeshim. Marrim disa gjethe spinaqi, i grijmë hollë dhe ia shtojmë bukës. Presim një fetë domate dhe e vendosim mbi spinaq. Hedhim pak kripë dhe në fund shtojmë vezën duke i hedhur fare pak kripë  e gjalp sipër. E mbledhim bukën me letër alumini dhe i vendosim pjesën e sipërme të bukës që shërben si kapak.  I vendosim në furrë në temperaturën 175 gradë dhe nuk i lëmë nga 17 – 20 minuta, në varësi të dëshirës që duam të kemi për pjekjen e vezës.

Receta 2 : Mish me bizele

Përbërësit :

400 gr mish

600 gr bizele (kokërr)

2 karrota

50 gr salcë domate

 2-3 domate

1 qepë të thatë + 5 qepë të njoma

2 thelpinj hudhër

Kopër + majdanoz

Vaj ulliri

Kripë  dhe piper i zi

Përgatitja

Fillimisht lajmë mishin dhe e presim atë në cipa ose kubikë të mëdhenj.ngrohim vajin në një tigan dhe kaurdisim mirë mishin.

Në një tenxhere të thellë shtojmë 2 lugë gjelle vaj dhe kaurdisim fillimisht qepën e thatë , qepët e njoma, hudhrat, karrotat e prerë në kubikë ( ose në rende). I kaurdisim për 5 minuta.

Shtojmë mishin , purenë e domateve , domatet e prera në kubikë dhe i lëmë të kaurdisen së bashku për 10 minuta.

Shtojmë bizelet, i përziejmë duke shtuar ujë baraz me nivelin e bizeleve . I lëmë të ziejnë për 15 minuta dhe para se ti largojmë nga zjarri shtojmë erëzat , kopër, majdanoz, piper e kripë.

Ju bëftë mirë!

 



 

a.ko.
Komento