Vakanca paralizon vendimmarrjen në BSH, dështon miratimi i buxhetit 2019

Vakanca paralizon vendimmarrjen në BSH, dështon miratimi i buxhetit 2019

Banka Shqipërisë

Për të dytën herë brenda 14 ditësh, ka dështuar mbledhja normale e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “Sot, më datë 21 nëntor 2018, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorja e dytë Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, zbatimin e politikës monetare, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore. Gjatë takimit nuk u morën vendime. Çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse”, thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga BSH.

Njoftimi i Bankës së Shqipërisë

Në përputhje me kalendarin e miratuar që në fillim të vitit, organi drejtues i Bankës qendrore duhej të kishte miratuar dokumentin shumë të rëndësishëm të buxhetit të institucionit për vitin e ardhshëm. Por, ashtu si dhe mbledhja e datës 7 nëntor, edhe kjo e së mërkurës nuk mund të zhvillohen normalisht për shkak të vonesës së miratimit të anëtarëve të rinj të Këshillit.

Janë gjashtë, ndër nëntë anëtarët, që përbëjnë këtë organ drejtues kolegjial të bankës qendrore, të cilëve u ka mbaruar mandati, duke qenë se ishin të zgjedhur të gjithë në nëntor të vitit 2011 me afat shtatëvjeçar, ose kanë zëvendësuar ish-anëtarë të emëruar atëhere, që ishin larguar. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka shpallur zyrtarisht aplikimet për 3 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe Kuvendi për tre të tjerë. Aplikimet kanë mbërritur pranë institucioneve deri më datë 30 tetor, afati i fundit i pranimit, por ende nuk ka asnjë procedurë në Kuvendin e Shqipërisë, për analizën dhe miratimin e votimin e tyre.

Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Me këtë ngërç, edhe Banka qendrore ndodhet e paralizuar, njësoj si Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata e Lartë, duke vijuar kështu një spirale të rrezikshme në drejtimin e shtetit. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi në Report Tv/ 39% e qytetarëve vlerësim pozitiv për punën e qeverisë Rama, 61% e kanë negativ

Sondazhi në Report Tv/ 39% e qytetarëve vlerësim pozitiv për punën e qeverisë Rama, 61% e kanë negativ