Komisioni i Venecias në Tiranë, PD: Veting politikanëve/ PS: Presim opinionin e ekspertëve

TIRANE-Një delegacion me gjashtë anëtarë i Komisionit të Venecias ka mbërritur sot në kryeqytetin shqiptar për t’u njohur me propozimet e opozitës për Vetingun në Politikë. Delegacioni përbëhet nga; Veronika Bilkova, Artemiza-Tatiana Chisca, James Hamilton, Jorgen Steen Sorensen dhe Hanna Suchocka. Në axhendë janë planifikuar takime me përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës. Takimet në Shqipëri nisën sot me Vasilika Hysin, më pas me kryetarët e grupeve parlamentare. Më pas delegacioni do të vijojë takimet me Presidentin, ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e BE. Ndërsa nesër do të ketë takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPKI, Ganaj dhe kreun e EURALIUS, Agnes Bernhard.

Axhenda e takimeve të komisionit të Venecias në Tiranë
Sot
Në orën 10:30 delegacioni takim me Vasilika Hysin, Çuçin, Bushkën, Manjën dhe Hysenin
Në orën 10:35 është planifikuar takim me Taulant Ballën (Kreu i grupit të PS ndodhet në Berlin)
Në orën 11:35 delegacioni takim me Edmond Spahon, të pranishëm Bylykbashi, Alibeaj dhe Bardhi
Në orën 12:35 delegacioni takim me Petrit Vasilin, kreu Grupit Parlamentar të LSI
Në orën 14:45 takim me Presidentin Ilir Meta
Në orën 16:25 takim me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj
Në orën 17:30 takim me kreun e Delegacionit të BE, Luigi Soreca

Nesër
Në orën 09:15 delegacioni takim me kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja
Në orën 10:15 delegacioni takim me kreun e ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj
Në orën 11:15 delegacioni takim me kreun e EURALIUS, Agnes Bernhard

Anëtarët e grupit do të njihen më konkretisht me propozimin e opozitës, që synon kalimin në sitë të të gjithë të politikanëve.

Ekspertët e Venecias sot në Tiranë

Kryetari i PD, Basha nga Berati u shpreh dje se Vetingu për Politikanët është vijë e kuqe për opozitën, por pritshmëritë nuk i kishte aspak të larta nga vizita e delegacionit, ndërsa i paralajmëroi se "janë munduar kot që kanë ardhur". 

Jo trajtim preferencial për politikanët, kërkojmë standardin që Venecia miratoi për prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Nesër (sot) vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur. Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët. Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet. Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona. Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët.

Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie  bëri ligj për policët dhe gardistët. Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vetingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët.

Lulzim Basha

Por si nisi historia e propozimit të PD? Në datë 7 shtator Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draft me propozimet për Vettingun në Politikë, por në asnjërën nga pikat nuk përmend vettingun për familjarët e politikanëve.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se propozimi do të dërgohet në Komisionin e Venecias për rekomandim pasi dublon reformën në drejtësi, por nëse do të bëhet, shtoi ai, duhet të përfshijë edhe familjarët e politikanëve. Pak javë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci që përmes një letre i kërkoi komisionit mendimin përmes 8 pyetjeve. 

Tashmë delegacioni vjen në Tiranë për t’u njohur nga afër me propozimet dhe qëndrimet e palëve politike, ndërsa nisma e opozitës do të shqyrtohet në Komisionin e Venecias në datë 15 dhjetor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
Vettingu në Politikë/ PS: “Venecia” tabani i demokracisë, Basha inkoherent

Pas takimit me PD, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar një bisedë për rreth një orë edhe me përfaqësuesit e PS. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në përfundim të takimit tha se opinioni i Venecias është tabani i demokracisë, ndërsa ‘thumboi’ Bashën për qëndrimet që ka mbajtur në kohë të ndryshme lidhur me ekspertizën nga ky komision. 

“Një përfaqësi e grupit të PS sot paradite ka pasur një takim me delegacionin e Venecias për nismën e opozitës për vettingun e politikës. Ishte një takim informues, shpjegimet do ua dorëzojmë edhe me shkrim. Ne e mirëpresim opinionin e Venecias, si tabani i demokracisë. Të gjitha ndryshimet që ka ndërmarrë Shqipëria ne vazhdimisht jemi konsultuar me komisionin.

Ndoqa prononcimin e opozitës, më bëri çudi se nuk di kujt ti besojmë, asaj që tha Spaho sot apo Bashës dje në Berat, që tha nuk e di pse vijnë. Ndërsa sot Spaho e konsideroi takimin frytdhënës. Opozita vijon që të jetë inkoherente, në kohën e reformës në drejtësi Basha tha se nuk pranojmë asgjë pa opinionin e Venecias, ndërsa tani thotë gjë tjetër. Por ne besojmë se Venecia mbetet tabani i demokracisë” eklaroi Manja.

Ora 12:54
60’ takim me përfaqësuesit e Venecias, Spaho: Edhe politikanët si gjyqtarët dhe prokurorët në vetting

Për rreth një orë në Kryesinë e Kuvendit, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar një takim me kryetarin e grupit të PD, Spaho, i cili shoqërohej nga Bylykbashi, Alibeaj dhe eksperti ligjor Bardhi. Në përfundim të takimit, Spaho u shpreh se PD kërkon nga Komisioni i Venecias që të ndjekë të njëjtin standard që është vendosur për prokurorët dhe gjyqtarët.

“Në thelb është që nuk duhet të ketë dy standarde, por ai që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët të aplikohet edhe për politikanët kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Shpjeguam me fakte që asnjë reformë nuk dot ë ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin” deklaroi Spaho për mediat.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria