Zbardhen përgjimet, do korruptonin gjyqtarin e Beratit, dënohen sekseri e qytetari

Zbardhen përgjimet, do korruptonin gjyqtarin e Beratit, dënohen sekseri e qytetari

Gjykata e Beratit

Një dosje e nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për korruptimin e një gjyqtari në Berat, por që më pas çështja u sfumua dhe materiali hetimor i kaloi prokurorisë së Beratit, është mbyllur me dënimin e dy të pandehurve të kësaj çështje.

Mati Simoni dhe Gjergji Bumbli, janë dënuar përkatësisht me 6 dhe 8 muaj burgim për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,siç ishte rasti i një gjyqtari në Berat.

Dy personat e sipërcituar janë përgjuar nga prokuroria, teksa po tentonin të korruptonin kundrejt 250 mijë lekë të vjetra, gjyqtarin e Beratit, Kostika Çobanaqi, i cili kishte në gjykim të pandehurin Mati Simoni, në një çështje tejtër, ku akuzohej për akuzën e “Shkeljes së të drejtave të pronësisë industrial”.

Për këtë akuzë Simoni është dënuar me 600 mijë lek të vjetra gjobë nga gjyqtari i Beratit, Kostika Cobanaqi, por prokuroria kishte dyshime se ky vendim ishte paracaktuar më parë, pikërisht në zyrën e këtij gjyqtari. Kjo pasi në disa biseda të përgjuara dhe vëzhgime në teren, Mati Simoni dhe Gjergji Bumbli flisnin për një pazar dhe punë, që duhet të zgjidhnin në gjykatën e Beratit.

Aq më tepër që në këto biseda, qartësohet dhe katër mundësitë e dënimit të Mati Simonit, ku personi që kishte dalë garant për ti ndihmuar, i kishte pohuar se do zgjidhte me variantin e katërt,që do të thoshte dënim me punë të detyruar në komunitet. Pas mbylljes së pazarit, Gjergji Bumbli telefonon Mati Simonin duke i thënë:“… ej, çun çun dhe me yjë në ballë, doli djalë muhabeti…”, duke nënkuptuar se gjithçka ishte zgjidhur pozitivisht.

Por me sa duket mbas mësimit mbi hetimet që po kryente policia dhe prokuroria, vendimi i dënimit të Mati Simonit nuk ka qënë sipas variantit të katër, por sipas variantit të dytë, që do të thoshte dënim me gjobë dhe jo me dënim punë të detyruar në komunitet. Për të sqaruar rrethanat e këtij moment është thirur dhe është pyetur në prokurori gjyqtari Kostika Çobanaqi.

Gjatë vitit 2016 ai thotë se ka dhënë rreth 400 vendime, por për rastin në fjalë, gjyqi i shtetasit Mati Simoni nuk i kujtohet. Për sa i përket pretendimit, që i pandehuri Gjergji Bumbli ka hyrë në zyrën e tij dhe ka biseduar me të në lidhje me arritjen e një kompromisi për një dënim të butë ndaj Mati Simonit, gjyqtari deklaroi gjatë fazës së hetimit se kjo gjë nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë.

Ai, pretendoi se nuk ka biseduar me shtetasin Gjergji Bumbli ne zyrën e tij dhe në asnjë vend tjetër.Për shkak të mungesës së provave, prokuroria nuk ka vepruar marjen të pandehur të gjyqtarit Çobanaqi, por ka akuzuar për “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dy personat Mati Simoni dhe Gjergji Bumbli.

“Shqiptarja.com” sjell të plota bisedat e përgjuara mes Mati Simonit dhe Gjergji Bumblit, si dhe mesazhet e shkëmbyera mes tyre, ku tregohen përpjekjet intensive për të dalë “pa lagur” nga kjo çështje.

Përgjimi i 17 nëntorit 2016

Gjergji: hë vlla..

Mati: hë Gjergj si ke një

Gjergji: mir, mir, car po bën, sot mar përgjigjen e saktë, sot

Mati: hajd ta marsha të keqen, n’mujsh me ma bo at pun

Gjergji: hajde pa merak fare, pa merak fare do të mar un

Mati: shnt pra, shnet zemër, hajd.

Biseda e dytë në të njëjtën ditë

Gjergji: he vlla ;

Mati: o vlla ku je te henksha zemren, ku je

Gjergji: ej, çun çun dhe me yje në ballë

Mati: eeee

Gjergji: djal djal

Mati: djal

Gjergji: po ore

Mati: aaa të lumt, falemners prej teje

Gjergji: ej po dua të flas un në telefon si bëjmë këto muhabete

Mati: mir në rregull

Gjergji: vajta fola vetë gojarisht me personin, nga atje po kthehem

Mati: po po

Gjergji: edhe më ka lënë nja 4 detyra të bukura, në 4 detyra në do të zgjedhim njërën, të fundit;

Mati: hajd mirë ta marsha të keqen, shumë falemners prej teje e ki problem ti vetëm të marohet puna

Gjergji: dëgjo, dua të flas gojarisht se në telefon nuk ti sqaroj dot

Mati: mirë në rregull, ta po vij vetë anej matanë, nga java tjetër po vij unë.

SMS e datës 17 nëntor mr tekst: “…kemi 4 varijante denimi 1. dënim me burg, 2. dënime me gjobë, 3. dënim me kusht, 4. dënim me punë në komunitet dhe ai miku këtë të fundit më sugjeroj ok…”.

Bisedta e përgjuar në 21 nëntor 2016

Gjergji: hë mo vlla

Mati: hë more shtet çar bone, a ke atje

Gjergji: po mor keva mor burrë

Mati: çfar të thanë a gja

Gjergji: çar bona, pagova nja 500 mijë lekë për atë ditë me nji fjal të enjten

Mati: 200 kam pagu un për patent, ti thu

Gjergji: se kena met pa gja .

Përgjimi i datës 24 nëntor 2016

Gjergji: hë vlla, a je te spitali

Mati: sa mbarova serumet dhe erdha për shpi. Çar bëre

Gjergji: jo mor nuk u bo gja mor burr, na rrasi gjob mor burr

Mati: çar thua ti ere

Gjergji: po për shpirt të babës 600 mijë lek

Mati: gjob 600 mij lek???

Gjergji: po

Mati: po pse

Gjergji: nuk di gja un mor vlla

Gjergji: hajd se do të flasim prap se un ato nuk ja kam dhën, un i kam me vete ato

Mati: hala nuk ja ke dhanë ato

Gjergji: po, po, po nuk ja kam dhën, i kam un ato, e kupton, mos ma vrit mendjen për asnjë gjë pastaj

Mati: po pse dreqin nuk ja ke dhën

Gjergji: jo, jo më tha do flasim se fola në telefon, e kupton

Mati: kur fole në telefon, njitash me ta

Gjergji: jo, jo fola parëmbrëmë në darkë e më tha është i mbaruar ai muhabet,e kupton, mo. ma vrit mendjen se do ti rregulloj të gjitha, ato do ti kthej un do ti jap prap ato.

Mati: po un nuk i kam marrë me i kthy mor, un për njikët pun i kam ashtu, po shyqyr se je mir.

Bisedë e përgjuar në 24 nënëtor

Mati: a nuk ja ke dhan leket perpara mor burr a ;

Gjergji: fola në telefon, i kam unë lekët, i kam unë nuk ja kam dhën akoma se fola tha do të flasim tha, i kam un lekët.

Mati: po duhet me pague 600 mijë lek mor burr, si me ja bo tash

Gjergji: lerma ta s’qaroj un këtë muhabet.

Mati: hajd mir pra, un duhet me i pagu mor burr, ai po ma bjen letrën për Shkodër, duhet me i pague të tana për shpirt të babës.

Gjergji: në rregull hajde kur të duash.

Bisedë e përgjuar në 30 nëntor 2016

SMS dërguar nga Gjergji tek Mati: “…o vlla me atë mikun këtu mbarova punë ja dhash kafen sipas fjalës 250 ok…”.

Mati: hë more kapedan, a je mirë, hiç për zotin.

Gjergji: hë, mirë ke qenë

Mati:

Gjergji: e i vajta atje dhe i lashë ato në tavolinë urdhëro i thashë në daç shumë në daç pak, ou më tha mua pse ma bëre kshu. Po pse si do ta bëj i thash un. Pse ma bëre kshu, e kupton.

Mati: sa i le mor zemër

Gjergji: dy e gjysëm

Mati: pash zotin, hajt mirë pra mirë

Gjergji: ia lashë në tavolinë. I thash si shumë si pak thashë un të jem borxhli i thashe unë për herë tjetër. Pse ma bërë kshu tha, e kupton.

Mati: po mirë zemër, hajt të lumtë dora pra. Hajt pra se ta po rregullohena bashkë pra mo vlla.

Bisedë e përgjuar në dhjetor 2016

Gjergji: po hajt se do kalojnë ato, kaluan kaluan

Mati: haj hajt, shyqyr që je mirë

Gjergji: dëgjo tani, tani sa dola nga ai miku dhe fajin ta ka vënë ty, se nuk e ke kërkuar ti. Ti i ke thënë shërbim prove, po shërbimi i provës ka disa gjëra. Vetëm i binte që tja thosha troç. Unë troc nuk ja thosha dot, tha e kupton…

Mati: po

Gjergji: duhej t’ja kërkoje ti dhe kemi një favor tjetër, tani do ta apelojmë në Vlorë a në Tiranë. Apelimi shkon një vit e ca dhe mbas një vit e ca, shkon o gomari o i zoti dhe gjoba ka të drejtë të hyj automatikisht mbas një viti, kur të mbaroj apeli, që do më thënë, nuk do paguajmë asgjë, asnjë gjobë...

Mati: oo Gjergj

Gjergji: puna e ankimit ka të drejtë nga kjo e sot, ka 10 ditë kohë.

Mati: nuk mund ti hij më kësaj pune se nuk kam ashu... për shpirt të babës o Gjergj...

Ndërhyn shtetesia Alma Simoni, bashkëshortja e shtetasit Mati Simoni:

Gjergji: dëgjo një çikë. Tani dola nga zyra dhe fajtor ai ka bërë tët shoq që i ka thënë pse i ka thënë që ka kërkuar atë. Unë nuk mud ta detyroj sepse e ka kërkuar ai këtë punë. Atë që folëm ne. Nuk e dëtyroj unë qytetarin, është qytetari që kërkon atë, kupton.

Alma: Matia, Matia e ka kërkuar dje.

Gjergji: e ka kërkuar por ka kërkuar shërbim prove vetëm. Shërbimi i provës ka këtë punë, punë të detyruar. Duhet të thoshte punë me detyrim, se ka disa gjëra shërbimi i provës brenda.....Ne kemi të drejtë brenda 10 ditë të ankimojmë vendimin që nuk jemi dakord me gjobën 600 mijë lekë, sepse nuk kam lekë dhe kjo ikën në Vlorë. Ajo do një vit e gjysëm të shqyrtohet në Vlorë e brenda kësaj kohe ne nuk paguajmë asgjë.

Alma: mirë o Gjergj, mirë

Gjergji: prokurori e kishte lënë 2 miljon lekë gjobë.

Alma: po, 2 miljon e gjysëm

Gjergji: ee pra. Unë tha kam bërë me minimumin, me minimumin tha

Alma: i lumtë për atë punë

Gjergji: e kuptoni tani, unë të kam lënë 600 mijë lek tani, futi dy gisht letër, bëj ankimin vetë me shkrim dore.

Alma: ne na met faji, ajo punë me dije

Gjergji: jo, jo nuk më kërkoi atë që tham ne, nuk e kërkoi ai

Alma: normal, ne nuk dishim as me kërkue ti u bone.

Gjergji: Jo, jo unë ja u spjegova edhe ti ishe në tavolinë me Matin, dua punë me detyrim, punë në komunitet, dy orë në ditë, ja kaq

Alma: ai se ka kuptu.

Shtetasi Mati Simnoni telefon shtetasin Gjergji Bumbli

Gjergji: kam folur me dy avokat të cilët më thanë as ankimim mos bëni as gjobë mos beni, se do të bëhet amnisti tani në dhjetor e falen të gjitha.

Mati: faleminers mo zemer.... o bo ca bo nuk kam ca ma thon mo.

Gjergji: ai të bëri ty fajtor, duhet ta kishe kërkuar ti at punë.

Mati: po ca dita unë me kërku, une i thash shërbim prove.

Gjergji: shërbimi i provës ka shumë gjëra, ajo është punë në komunitet. Kur nuk e kërkon ai, tha ca të bëja unë. Kur prokurori të ka kërkuar 2 miljon e gjysëm ty gjobën. E di ti sa të ka kërkuar prokurori.

Mati: po prokurori ashtu tha, se harroj

Gjergji: ti ere nga 2.5 miljon sa ta ka lënë ty

Mati: 600 mijë tha me pagua, do ti paguaj ca kam me ba.

Gjergji: se ai nuk të ka as mik as shok, s’të njeh fare se kush je

Mati: me gjyqtarin po

Gjergji: muhabeti për mua është i mbyllur, mos e vrit më mendjen.

Mati: unë hem anej e hem knej, tashi dreqi e hangërt, unë nuk kam ma....

Gjergji: nuk ke punë, tani vazhdo punën tënde, kaq.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 06/05/2018 11:14

    Cili idjot mund te besoje se gjygjtari eshte i ndershem?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

LIVE- Opozita në protestë, bllokon nyjet kryesore të Tiranës! Shoferët e indinjuar i bien borive! Bardhi: Kemi të drejtë të tubojmë! Policia: Po pengoni lëvizjen

LIVE- Opozita në protestë, bllokon nyjet kryesore të Tiranës! Shoferët e indinjuar i bien borive! Bardhi: Kemi të drejtë të tubojmë! Policia: Po pengoni lëvizjen