Skandali ukrainas i "duarve të pastra" po e trondit vendin dhe themelet e qeverisë së Volodymyr Zelensky-t si kurrë më parë që nga presidenca e tij në vitin 2019. Janë përfshirë zyrtarë të lartë të agjencive qeveritare që varen nga Energoatom, kompania që menaxhon centralet bërthamore, si dhe ministra dhe persona shumë afër presidentit. Një skandal ryshfeti dhe aferash të paligjshme me vlera prej qindra milionë eurosh që delegjitimon aparatin shtetëror pikërisht në momentin kur ushtria ruse avancon në juglindje dhe një pjesë e madhe e vendit është në errësirë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme mbi nyjet e sistemit energjetik.

"Si mund të rrezikojmë, të vuajmë dhe të luftojmë në vijën e parë, nëse pastaj zbulojmë që në Kiev të korruptuarit bëjnë jetë prej pasanikësh pas shpinës sonë?", na thoshin disa javë më parë disa oficerë në Donbass, kur tashmë ishte e qartë që rrjeti i ryshfeteve do të dilte në dritë. Për momentin të paditurit “të profilit të lartë” janë rreth dhjetë, por numri duket se do të rritet.

Një tërmet

Zhvillimet e orëve të fundit çuan në dorëheqjen e ministres së Energjisë, Svitlana Grynchuk, e cila i njoftoi mbrëmë në Facebook, ndërsa ministri i Drejtësisë, German Galushchenko (deri në korrik në Ministrinë e Energjisë), dha dorëheqjen që në mëngjes. Shtypi ukrainas, i cili muajt e fundit ka hequr dorë nga politika e heshtjes pasive në emër të unitetit kombëtar dhe mbështetjes ndaj ekzekutivit të angazhuar në luftë kundër pushtimit, po ofron detaje dhe hetime therëse kundër “përgjegjësve të skandaleve”, siç shkruan ndër të tjera faqja Kyiv Independent.

Tërmeti është aq i gjerë saqë Zelensky braktis qëndrimin e tij tradicional mbrojtës për të mbrojtur bashkëpunëtorët dhe tani po bën deklarata publike në të cilat kërkon me forcë vazhdimin e hetimeve. Forcat kryesore të “gjuetisë ndaj të korruptuarve” janë Byroja Kombëtare Anti-Korrupsion (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm Anti-Korrupsion (SAPO) — të njëjtat organizma hetimore publike që vetë Zelensky kishte tentuar t’i mbyllte në korrik, përpara se të përballej me reagimin e ashpër të opinionit publik.

Lista e të dyshuarve

Një nga pikat e dobëta të presidentit ka qenë gjithmonë akuza se nuk bën mjaftueshëm kundër traditës së keqqeverisjes së trashëguar që nga koha e administratës sovjetike.

Sipas Ukrainska Pravda dhe Kyiv Independent, në qendër të rrjetit të ryshfeteve dhe mashtrimeve ndaj thesarit shtetëror qëndron Timur Mindich, që për Zelensky ka qenë gjithmonë një figurë pothuajse atësore. Ishte pikërisht ai që e udhëhoqi në fillimet e karrierës së tij si aktor, dhe bashkë themeluan Kvartal 95, kompaninë e prodhimit të filmave, ngjarjeve dhe spektakleve që e bëri të famshëm mes publikut të Moskës dhe Kievit.

Mindich mori një paralajmërim pak para se të arrestohej dhe arriti të arratisej jashtë vendit ndërsa policia ishte tashmë në ndjekje të tij.

Lista e të hetuarve përfshin ish-zëvendëskryeministrin Olekiy Chernyshov dhe veçanërisht ish-ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili deri dje mbante postin e sekretarit të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare. NABU përmend në mënyrë specifike tetë drejtues të akuzuar për korrupsion, abuzim me detyrën dhe pasurim të paligjshëm. Akuzat shoqërohen me regjistrime ku të pandehurit përdorin gjuhë të koduar për të diskutuar për ryshfete dhe veprime kriminale.

Nga regjistrimet del emri i Ihor Myroniuk, emri i koduar “Rocket”, i cili në të kaluarën ishte asistent i Andrii Derkach, një ish-avokat ukrainas i akuzuar nga ana e tij për “tradhti të lartë”, i arratisur në Rusi dhe sot anëtar i Senatit në Moskë. Të akuzuarit, ndër të tjera, thuhet se i kanë paguar 1,2 milionë dollarë dhe 100.000 euro Chernyshov-it, i njohur si “Che Guevara”. Ky ishte tashmë i akuzuar në qershor dhe i detyruar të jepte dorëheqjen. Deri mbrëmë, nga tetë të pandehurit, të paktën pesë ishin arrestuar.

Mungesa e mbrojtjes

Duket se plani i përgjithshëm përfshinte mbledhjen vjetore të 10–15 për qind të të ardhurave të kompanive furnizuese të Energoatom, e cila ka një qarkullim vjetor prej rreth 4,7 miliardë dollarësh. Nga regjistrimet del gjithashtu se bashkëpunëtorët ishin fillimisht hezitues për të ndërtuar masa mbrojtëse për centralet energjetike kundër sulmeve ruse, por më pas vendosën t’i instalonin ato përmes kompanive të gatshme të paguanin ryshfete. Një detaj ky i fundit që pritet të shkaktojë indinjatë të mëtejshme mes ukrainasve./Corriere della sera