Partia Demokratike kundërshton prishjen e objekteve në të dy anët e "Unazës së Re" të cilët preken nga projekti i zgjerimit të rrugës. Madje opozita shkon edhe më tej kur thotë se pas këtij projekti fshihen afera korruptive. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëron se nesër PD do denoncojë me fakte e dokumente sipas tij skemën e hajdutërisë që parashikon shembjen e 300 shtëpive në "Astir".

Kryehajduti për të mbushur xhepat e tij nuk ndalet para lotëve të fëmijëve, as para shtëpive të njerëzve dhe as para simboleve kombëtare. Pse u hoq Shqiponja? Ç’aferë fshihet pas shkatërrimit të 300 shtëpive te Astiri? Nesër me fakte e dokumenta skema e hajdutërisë te Unaza e Re.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Dy ditë më parë ishte përkrah protestuesve te "Unaza e Re" për të kundërshtuar shembjen e shtëpive. Basha tha se qeveria duhet të dëmshpërblejë banorët me vlerën e çmimit të tregut. Nga ana tjetër, Autoriteti Rrugor ka nisur punimet për zgjerimin e "Unazës së Re" nga sheshi "Shqiponja", në hyrje të Tiranës, ku edhe do të ndërtohet një mbikalim.