Kompania më e madhe e tregtimit të karburanteve në vend, Kastrati SHA, ka blerë së fundmi 75% të aksioneve të Auto Star Albania Sh.A, që ka Përfaqësinë e Përgjithshme të Daimler AG në Shqipëri dhe tregton makinat e reja të markës Mercedes-Benz.
 
Transaksioni është reflektuar dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, ku në datën 20 tetor është depozituar ekstrakti nga QKRA-ja, datë 23.09.2015 sipas të cilit vërtetohet transferimi i 75% të aksioneve nga aksioneri Basri Rruka në favor të aksionerit, shoqëria KASTRATI sh.a. 25% të aksioneve kanë mbetur në pronësi të z.Basri Rruka.

Kontributi në para për blerjen e 75% të kapitalit, sipas deklarimit në QKR ishte 855 milionë lekë, apo rreth 6.1 milionë euro.

Pas realizimit të transaksionit është vendosur dhe largimi nga detyra i administratorit të shoqërisë Basri Rruka dhe emërimi në vend të tij të Musa Kastrati.  Shefqet Kastrati, (aksioneri i Kastrati SHA) është emëruar si kryetar i Këshillit të Administrimit.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)