TIRANË - Aktori i njohur i humorit, Agim Bajko, i nderuar me titullin "Mjeshtër i Madh", është emëruar nga qeveria drejtor i Teatrit të Kukullave. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ditën e djeshme, ndërkohë që propozimi i emrit të Bajkos është bërë nga Ministria e Kulturës. 

"Agim Bajko emërohet Drejtor i Qendrёs Kombёtare tё Kulturёs pёr Fёmijё dhe Teatrit tё Kukullave. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”", thuhet në vendimin e qeverisë firmosur nga kryeministri Edi Rama. 

Agim Bajko ka kontribuar për shumë vjet në Teatrin e varietesë të Tiranes, televizion dhe kinematografi, duke krijuar dhjetëra e dhjetëra figura të ndryshme artistike të vlersuara nga kritika profesionale dhe publiku.

Ndër të tjera ka xhiruar edhe një seri filmash komik me aktorin Agron Llakaj si: "Martesa e Hasanit", "E ema e Zeqos", "Greku ne Himare", "Rradha e vizave", "Në shtrat me OSBE", "Don Kishoti në Tiranë", "Ali Pashë Tepelena", "Gjergj Elez Alia", "Ushtria pastron", "Moisiu dhe Papa", "Pastrimi i figurave", "Inaugurimi i Missit", "S'ka vend për varre", "Koridori i 8", "Kuvendi i II i Lezhës", "Greku në Kocinare", "Çmimi i shekullit" etj...

Për kontributin e tij në medien televizive është vleresuar me çmimin "Personazhi i vitit" më 2009 nga Vlerësimi vjetor radio Televiziv. Gjithashtu, më 2012 është nderuar nga Presidenti i Republikës në atë kohë, Bamir Topi me titullin "Mjeshtër i madh".