Mijëra punonjës në të gjithë Greqinë lanë sot punën dhe dolën në rrugë për 1 Majin, duke bllokuar transportin dhe një pjesë të madhe të shërbimeve publike në vend. Greva 24-orëshe është thirrur nga sindikatat kryesore, GSEE dhe ADEDY, me pjesëmarrjen edhe të EKA-s dhe PAME.
EKA (Qendra e Sindikatave të Athinës) është një organizatë që përfaqëson dhjetëra sindikata të kryeqytetit dhe luan rol kyç në organizimin e protestave dhe mobilizimin e punonjësve në Athinë. Ndërsa PAME (Fronti Luftarak i Punëtorëve) është një front sindikal i lidhur me Partinë Komuniste të Greqisë, i njohur për qëndrime më radikale dhe organizimin e protestave të veçanta nga sindikatat e tjera.
Protestat zhvillohen në disa qytete, ndërsa tubimet kryesore janë planifikuar në Athinë. Transporti publik është goditur rëndë. Metroja e Athinës, përfshirë linjën ISAP dhe tramvajin, janë ndalur për gjithë ditën. Probleme ka edhe me trenat dhe linjat periferike. Autobusët dhe trolejbusët qarkullojnë me orar të kufizuar, nga ora 09:00 deri në 21:00. Ndërkohë, anijet kanë mbetur në porte, pasi edhe detarët i janë bashkuar grevës.
Pas kësaj lëvizjeje qëndron pakënaqësia në rritje për koston e jetesës dhe kushtet e punës. ADEDY thotë se veprimi kolektiv është “më urgjent se kurrë”, duke kërkuar drejtësi sociale dhe një shtet që u shërben qytetarëve, jo interesave të pakicës.
Sindikata kërkon rikthimin e pagave shtesë, rritje pagash përmes marrëveshjeve kolektive, lehtësira fiskale dhe heqjen e ngrirjes së pagave që u vendos gjatë krizës financiare. Po ashtu kërkon më shumë punësime në sektorin publik, financim më të madh për shëndetësinë dhe ndalimin e privatizimeve.
Nga ana tjetër, GSEE u bën thirrje punonjësve të marrin pjesë masivisht, duke theksuar se “asgjë nuk është e garantuar pa luftë kolektive”. Sindikata e sektorit privat kërkon forcimin e kontratave kolektive, masa për krizën e strehimit dhe rritjen e çmimeve, si dhe më shumë siguri në vendin e punës.
EKA e përshkruan 1 Majin si “një lidhje të gjallë” mes betejave të së kaluarës dhe atyre të sotme, ndërsa PAME kërkon përshkallëzim të përplasjes me atë që e quan “pushteti i kapitalit” dhe fundin e shfrytëzimit.
Komente










