Guvernatorë dhe drejtues të bankave qendrore nga disa prej ekonomive kryesore të botës janë bashkuar në një deklaratë të përbashkët në mbështetje të kryetarit të Rezervës Federale Jerome Powell, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me një hetim penal ndaj tij në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratë thuhet se nënshkruesit “qëndrojnë në solidaritet të plotë” me Powell dhe theksojnë se pavarësia e bankave qendrore është një shtyllë themelore e stabilitetit të çmimeve, financiar dhe ekonomik, në interes të qytetarëve që ato shërbejnë.

Christine Lagarde dhe Jerome Powell

Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga guvernatori i Bank of England, Andrew Bailey, presidentja e Banka Qendrore Europiane, Christine Lagarde, si dhe nga drejtues të tjerë të rëndësishëm të sistemit financiar global.

Mes tyre janë edhe Sveriges Riksbank, Danmarks Nationalbank, Swiss National Bank, Reserve Bank of Australia, Bank of Canada, Bank of Korea, Banco Central do Brasil dhe Bank for International Settlements.

Reagimi vjen pasi Powell dhe Rezerva Federale po përballen me kërcënime për veprime ligjore nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, në kuadër të hetimeve paraprake mbi rritjen e kostove të rinovimit të godinave të Rezervës Federale. Powell e ka cilësuar këtë proces si një përpjekje për të ushtruar ndikim mbi politikën monetare të Shteteve të Bashkuara.

Mandati i Powell në krye të Rezervës Federale përfundon në muajin maj.  Zhvillimet e fundit kanë shtuar pasigurinë mbi emërimin dhe miratimin e pasardhësit të tij nga Kongresi amerikan.