Në punishten e Muhamet Trepçit nuk gjen vetëm punime druri. Një zog i fshehur në drurin e ullirit, u bë pikënisja e një rrugëtimi të pazakontë për mjeshtrin nga Shkodra. Që prej asaj kohe, numëron 30 vepra artistike me autor natyrën.
"U bënë 30 vjet që punoj me drurin e ullirit, e dua sepse është i shenjtë për të gjitha fetë. Përmendet në Bibël dhe Kuran ky dru dhe unë kam gjetur disa të fshehta që janë quajtur vepra arti.
Isha 17 vjeç kur fillova punën. Mora kategoritë përkatëse të vogla fillimisht. Kryeva shërbimin ushtarak dhe u ktheva për të vazhduar punën si marangoz.
Puna me drurin e ullirit u përqëndrua në katër sektorë: punë dore si artizan me enët e kuzhinës me suvenire, me objekte fetare edhe bizhuteri. Gjatë kësaj kohe unë nxora një figurë zogu. Gjëja kryesore ishte çudia e madhe, por artikulli i Umberto Ecos shërbeu si busull për mua. Atëherë bëra shumë kujdes në gjetjen e figurave dhe këtu në thelb janë dy momente interesante si gjetja dhe rastësia.", tregon mjeshtri i drurit për fillesat e këtij misioni të veçantë.
Gjatë punës së përditshme që bën me drurin e ullirit, ai i rikthehet copave për të identifikuar një figurë. Thuhet se pema fotografon, por jo kushdo mund të hasi veprat e natyrës.
"Meqë pema ka brenda celulozë impresionohet prej dritës së madhe që ka shkreptima dhe fotografon objektet. Kjo është një tip legjende edhe mua më intereson edhe më pëlqen me e besu, por për ta përcaktuar duhen botanistët. Veprat e gjetura prej natyrës janë ekspozuar në monumentin historik të Vittoriano në Romë dhe unë isha i vetëm me këtë gjini", tregon Muhameti ndërsa shton se këto gjetje u ekspozuan gjithashtu në Stamboll, Selanik, Budva dhe Londër.
Më tej mjeshtri i drurit shpjegon sesi u prezantuan këto vepra dhe çfarë i ndan ato nga puna e një piktori.
"Figurat i kemi konceptuar në disa pozicione: fotografi, ikonografia, vepra arti. Piktori ideon, merr penelin dhe fillon të hedh ngjyrat. Kjo është figurë që të del gjatë punës dhe ti e evidenton ose jo. Kontrastet e ngjyrave janë nga e verdha bojëkafe deri në zezë. Janë kontrastet në maksimum dhe harmonia e linjave është në perfeksion të natyrës.", thotë Muhameti.
Ai është i vetmi në Shqipëri që merret me këtë punë, por shpreson që në të ardhmen të gjejë dhe individë të tjerë që do të kërkojnë këto vepra artistike.
"Rastësia është thelbi. Ata mund të presin gjithë pyllin dhe mund të mos gjejnë asgjë. Pema ka emocionet e veta dhe figurat mund të dalin të ndryshme. Personalisht kënaqësia është shumë e madhe kur gjej edhe kur shoh reagime shumë interesante nga personat e tjerë. Do kisha dëshirë që të kishim një grup që merret me këtë punë, mos jem i vetëm. Unë mendoj se kam kryer një detyrë qytetare në Shkodër i kam shërbyer ambientit dhe kam lënë një gjurmë që do të vlerësohet nga strukturat, persona të ndryshëm. Kam gjetur 30 vepra, por me respektu personat që do vijnë pas meje kam thënë që do gjenden vepra më të bukura.", përfundon Muhamet Trepçi.
Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente











