“A e di bir?/ Më bëre poet/ që me vargjet e mia të nemitura/ t’u këndoj heshtjeve të tua”. Shkruan kështu, autori Nikolin Gurakuqi, në më të fundit poemë të tij “Eja ikim”, dedikim për birin e tij Marsidin, në këtë 10-vjetor të ndarjes nga jeta. Na e rrëfen inspirimin, ndjesitë e dhimbjen, në këto ditë Panairi të Librit, në takimet e tij të drejtpërdrejta me lexuesin

“Praktikisht, është e vërtetë, ai më bëri poet. Unë, gjatë muajve të parë,  sigurisht e përjetova dhe se pranova humbjen, por në momentin që fillova ta pranoj kuptova që unë duhet të bëj vetëm vepra artistike për të. Dhe këtë kam bërë!”, thotë regjisori e autori Nikolin Gurakuqi.  

Nga “Stinët e dhimbjes sime” , që gdhendi britmat e humbjes së fëmijës në 124 poezi, Gurakuqi nuk ka reshtur së shkruari, ndërsa siç thekson kritika në vargjet e tij ka kualitet.  Dy libra të tjerë, tanimë të përfunduar, presin botimin.

“Më ka ndihmuar shumë. Krijimtaria poetike është shumë e çuditshme, është një mjekim i shpirtit...”, thotë më tej.

E konsideron si kulmin e krijimtarisë së tij, poemën “Eja ikim”, ku poeti në 70 vargje, rend pas një pikëbashkimi të dy botëve, për të takuar djalin e tij.

“Nuk është e lehtë të shkruash një poemë, poema noton, nuk do të thosha nëpër dhimbje, por noton në një dialog midis atit e birit ndonëse në dy botë të ndryshme ata dialogojnë me njëri tjetrin dhe kërkojnë të ikin në një hapësirë asnjanëse. Babai të iki nga hapësira e jetës, djali nga hapësira e vdekjes dhe të takohen diku...”, rrëfen Gurakuqi.