Mungesa e programeve të shkrimit krijues në universitete vështirëson formimin profesional të shkrimtarëve të rinj, ndërkohë që distancimi i brezit të ri nga folklori ka ndikuar në uljen e origjinalitetit dhe pasurisë kulturore në letërsi. Për “Report TV” nga panairi i librit, autorja dhe botuesja Rudina Çupi, flet edhe për sfidat në veçanti të letërsisë për fëmijë.
“Ku formohen këta këta shkrimtarë dhe pse pritet që këta nga këta shkrimtarë të dalë një Kadare i ardhshëm kur ndërkohë ne nuk ofrojmë atyre një mësim akademik në universitetet tona, klabe, kurse të shkrimit krijues.E vërej këtë sepse nga klabi i shkrimit krijues që unë drejtoj kam nxjerrë dy autorë të vegjël, Andrein dhe Harperin. Ata janë tetë dhe nëntë vjeç dhe madje Andrei ka bërë librin e tij të dytë. Imagjino se sa të përgatitur do ishim ne, se sa numër të madh zhanresh do të kishim tashmë në qoftë se në universitet tona do kishim degë për shkrimin krijues, ndërkohë që këto mungojnë dhe pritet nga ky autor të jetë cilësor, thjesht ngaqë ai bëhet i tillë vetëm nëpërmjet leximeve. Natyrisht që leximet janë një pasuri shumë e madhe dhe një ushqim shumë i mirë shpirtëror për atë që dëshiron të bëhet shkrimtar, por është mendoj se në çdo si në çdo fushë tjetër të artit kur gjërat merren me baza dhe me kollona të mënyrës se si ndërtohet arti, me kollona shkencore të bërit art.”, thotë Çupi.
Edhe pse ka autorë që po krijojnë seri dhe lexues të qëndrueshëm, sipas saj mbetet sfidë mungesa e librave që u prezantojnë fëmijëve trashëgiminë kulturore në mënyrë kreative dhe të aksesueshme.
Ndërkohë, ligji për librin vazhdon të paraqesë mjaft probleme dhe botuesit kërkojnë reformim të tij, duke përfshirë të gjithë aktorët e tregut: autorët, përkthyesit, botuesit dhe shpërndarësit.
“Libri dalëngadalë po bëhet një send i shtrenjtë, sidomos jo vetëm i shtrenjtë nga ana e përmbajtjes, sepse normalisht ai na bën njerëz dhe qytetarë më të mirë, por i shtrenjtë edhe nga ana monetare. Pas pandemisë, ju e dini pothuajse çmimet u dyfishuan. Dhe që libri në një farë mënyre të kishte ndikimin e vet më të mirë dhe që t'i marrim më të mirën e mendësisë kulturore që libri përcjell, unë mendoj se duhen bërë ndryshime rrënjësore në ligj, sepse kemi mbetur mbrapa dhe ka mbetur një ligj teorik.”, shprehet Çupi.
Problemi më i madh, mbetet mungesa e librarive, sidomos në rrethe.
“Shumica e librarive kryesore ndodhen në Tiranë, me një ofertë të dominuar nga tituj në gjuhë të huaj. Në shumë qytete të tjera, libraritë funksionojnë si kioska të vogla, pa mundësi për të ekspozuar botimet e reja.”, vijon botuesja.
Sipas botuesve, një rrjet i shëndetshëm librarish është thelbësor për qarkullimin e librit dhe për shmangien e stokut të tepërt që penalizon botimet e reja. Ata theksojnë se libri është pjesë e rëndësishme e kulturës, dhe tashmë është koha për të lobuar seriozisht për ndryshime konkrete në favor të tij.
Komente











