10 vjet pa Nikolet Vasinë, piktorin e të gjitha gjinive

10 vjet pa Nikolet Vasinë, piktorin e të gjitha gjinive

Nikolet Vasia

Nikolet Vasia (5.08.1947 – 28.07.2011) ishte një nga piktorët më prodhimtarë të vendit.

Vasia ndërroi jetë 10 vjet më parë, vetëm një javë para se të festonte përvjetorin e 64-rt të lindjes, ndërsa la pas një pasuri të artistike mjaft të vyer. Artisti i kompletuar durrsak ka punuar në të gjitha gjinitë e artit pamor: pikturë, skulpturë, mozaik, pikturë murale, vitrazh, skenografi dhe grafikë.

Ai ka lënë pas një trashëgimi të vërtetë artistike, që nis me një pafundësi skicash, dokumentime skrupoloze të objekteve arkeologjike të zbuluara gjatë ekspeditave në qytetin antik.

I diplomuar në Akademinë e Arteve më 1970, për 14 vjet më radhë ai punoi si piktor dhe skicograf nën drejtimin e arkeologut të pasionuar Vangjel Toçi. Piktori durrsak u bë një nga konsulentët kryesorë në formulimin muzeal dhe artistik të muzeut etnografik të Durrësit, si dhe në projektin e muzeut të ri arkeologjik të Durrësit.

Por Nikolet Vasia nuk u ndal këtu. Tablotë e tij “Rreth flamurit të përbashkuar”, “Kuvendi i burrave”, “Homazh për Kosovën”, “Tek arbëreshët” apo “Shote Galica” janë pjesë e fondit të veprave me temë historike.  Legjendat shqiptare për Rozafën, Doruntinën, Mujin dhe zanat, etj. u bënë tema të preferuara të tij, një pjesë e të cilave më pas u kthyen edhe në koleksione filatelike të pullave të Postës Shqiptare.

Në vitet 2000 atyre iu shtuan edhe seritë e tjera filatelike “Përvjetori i OKB”, “200-vjetori i Revolucionit francez”, “Van Gog”, “Lojrat olimpike”, etj.

Përveç qindra punimeve në pikturë dhe skulpturë, Nikolet Vasia është autori i stemës heraldike të qytetit të Durrësit dhe shumë institucioneve të tjera.

Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.

Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë.

Tablotë nga Durrësi në Evropë e Amerikë

Nikolet Vasia, së bashku me kolegun Gavril Priftuli janë autorë të mozaikut për çlirimin e Durrësit, instaluar në hyrje të Mauzoleut të Dëshmorëve të qytetit bregdetar, ndërsa një tjetër mozaik me përmasa të mëdha, “Kushtrimi”, vepër e përbashkët e të dy artistëve nga Durrësi, ka zënë vend në hyrje të sallës së fitoreve ne Muzeun historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Po në këtë muze ndodhet edhe piktura në vitrazh (xham i ngjyrosur) e firmosur prej tij me titull “Tradita”.

Gjatë karrierës së tij artistike Nikolet Vasia ka hapur 12 ekspozita personale, jo vetëm në qytete të ndryshme të vendit, por edhe jashtë tij.

Duke iu referuar punimeve që ekspozoi në vitin 2007 në Las Vegas (SHBA), drejtori hollivudian i fotografisë kinematografike Mishel Hugo shkruante: “Nikolet Vasia ofron aq shumë sa nuk di të përzgjedh. Ngjyrat që ai përdor janë plot jetë, atraktive dhe abstragimi i personazheve është magjepsës”.

Kritiku amerikan R. Baird Shuman nënvizonte se “Gjërësia e punimeve të Nikoletit është e klasit botëror, që të godet me energji dhe imagjinatë”.

Kritikët përtej Atlantikut nuk e dinin se geni i tij familjar dhe artistik rridhte nga Kolë Idromeno, artisti shumëplanësh shkodran i fillimshekullit të 20-të, një nga më të shquarit e artit figurativ shqiptar.

Nikolet Vasia ishte pedagogu dhe edukatori artistik i dhjetra nxënësve të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit, ku për 25 vjet me radhë ai punoi si mësues.

Nikolet Vasia, autori i qindra portreteve – dhuratë për fëmijët durrsakë

Nikolet Vasia, piktori që ndërroi jetë në vitin 2011 në moshën 64-vjeçare nuk arriti të hapte një ekspozitë personale me portretet fëmijërore, që kishte realizuar ndër vite.

Mjaft punëtor dhe produktiv Nikolet Vasia për më shumë se 30 vjet ka pikturuar portretet e qindra fëmijëve, dhurata të artistit për prindërit e tyre

Një pjesë e këtyre tablove tashmë janë shpërndarë nëpër Shqipëri dhe në vende të tjera të botës, ashtu si edhe tablotë e tjera të cilat ndodhen në duart e koleksionistëve në Itali, Rumani, Greqi, Belgjikë, Spanjë, Francë, SHBA, etj.

Nuk dihet numri i saktë i veprave të këtij lloji, por në katër të parat Vasia kishte hedhur në telajo fytyrat e katër fëmijëve të tij.

Pasioni që lindi rastësisht iu shtua veprimtarisë së ngjeshur artistike të piktorit Vasia punonte në vaj tablo të përmasave të vogla, ndërsa më pas aplikoi teknikën e akrilikut, pasi bojrat thaheshin më shpejt.

Njëlloj si qindra bashkëmoshatarë të tij, lindur në vitet 1960, edhe violinisti Florian Vlashi, themelues i Bienales NMK të Durrësit, mban në shtëpinë e tij në Spanjë një portret të punuar nga Nikolet Vasia.

Portretin me firmën e  Nikolet Vasisë e ruan edhe violinisti durrsak Olen Çezari, tashmë mjaft i njohur në Itali e më gjerë.

Janë të gjitha tablo të punuara pa asnjë shpërblim, por vetëm për kënaqësinë që i jepnin fëmijët, dhe një kompensim për ndihmën që i jepnin prindët e tyre gjatë punës intensive që kryente artisti i shquar Nikolet Vasia, të cilin bashkëqytetarët, kolegët dhe nxënësit e tij do ta kujtojnë me respekt përsëri, në 10-vjetorin e largimit.

Nikolet Vasia

 

Vepër e Nikolet Vasia

K.T./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 26/07/2021 12:52

    Piktor i madh por dhe nje figure qytetare brilante .Njerezit model te shoqerise nuk vdesin kurre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja