Gëzim Kabashi: Nuk ka më shumë se dashuria

Gëzim Kabashi: Nuk ka më shumë se dashuria

Inxhiriana Roli është një grua me fat. Gjithë jetën përcolli dhe fitoi dashurinë e njerëzve të saj. Tani që nuk është më në jetë, ata vazhdojnë ta duan dhe të jetojnë njëlloj me të dhe për të.

Muajt e fundit, artistët e familjes Roli, Nazmiu, Dirista dhe Jonida e kanë bërë të njohur për lexuesit dashurinë e tyre për gruan dhe për piktoren Inxhiriana Roli. Tre libra me frymë poezie i kanë bashkuar përsëri anëtarët e familjes, ku vazhdojnë të bashkëjetojnë letërsia dhe arti.

Kjo është një histori e bukur, që zakonisht tregohet në prag të festave të fundvitit, është historia e një dashurie pa kufij.

Prej shumë ditësh bashkëshorti poet Nazmi Roli po kujdeset për ti çuar në vend amanetet e pashkruara e të  pathëna të zonjës së tij. Në shkollën e mesme “Aleksandër Moisiu” tashmë është vendosur një tablo e aktorit me famë evropiane, I cili ka një lidhje të drejt përdrejtë me Kavajën.

Shtatë punime të tjera, kushtuar roleve të tij të njohur në skenat e botës dhe që kanë firmën e Inxhirianës piktore, do të qëndrojnë përgjithnjë në klasat e gjimnazit të qytetit me tradita.

Një tjetër tablo i Inxhirianës  kushtuar piktorit të shquar Ibrahim Kodra do të zerë vend në shkollën që mban emrin e tij në Durrës.

“Valse jete me ty” i bëjnë bashkë Inxhirianën dhe Nazmiun, i cili në më shumë se sa 80 rrëfenja bashkëbisedon me shoqen e tij të jetës, “sepse mendoj tani, një bashkëshort duhet të kërkojë te gruaja atë që s’e ka brenda vetes, nuk e ka kultiivuar apo eksploruar, sepse, tjetra, gruaja e mirë ia jep pa i peshuar dhe me të dy duart e saj”.

Në çdo radhë të shkruar Nazmiu dhe Inxhiriana janë bashkë, që nga autoportreti i piktores në kopertinë, deri te fletët e bardha në fund për këdo që kërkon të mbajë shënime.

Por jeta e pazkontë e dy artistëve nuk  ka kaluar e panjohur në qytetin e vogël.

Një tjetër njeri i shquar i letrave, skenaristi Nexhati Tafa, e sheh plot ëndje, bashkimin e tyre dhe shkruan në parathënien analitike të librit: “Dashuria e Nazmiut me Inxhirianën është nga ato lloj dashurish që me kalimin e kohës, shndëërrohen në emblematike e bëhen pakrahasueshmërisht të bukura e të denja për të qenë shëmbëlltyrë e për tu rrëfyer”.

E më tej miku e artisti Nexhati Tafa, nxjerr konkluzionin: “Mrekullia është se ai edhe tani, kur ajo është ngjitur lart në qiej i dhuron dashuri dhe ajo, edhe lart nga qielli I dhuron dashuri”.

Familja bëhet bashkë në kohën e dytë rekuiemit të  dashurisë. Libri tjetër kushtuar nënës dhe shoqes së jetës ka një titulll në dy gjuhë: “Bashkë – Insieme”. Dirista, që jeton prej 3 dekadash në Itali, firmos së bashku me babain librin që përgatit Jonida, motra me shpirt artisti.

Jonida vë pranë dashurisë që prodhojnë dy njerëzit e dashur për nënën piktore, vargjet në gjuhët muzikore përballë Adriatikut, që i bashkon dhe ndan, letrat që ata i dërgojnë njeri tjetrit kur janë larg, vizatimet fëmijënore që i kanë rritur të tre fëmijët e çiftit Roli. Po ashtu edhe shëniimet e botuara nga kritiku i ndjerë Abdulla Tafa për ciklin e parë poetik në gjuhën italiane të Dirista Rolit.

“Cotiledone” akti i tretë poetik i poetit Nazmi për Inxhirianën piktore. 135 frymëzime dashurie në çdo faqe, me një poezi kushtuar të njejtit personazh.

Inxhiriana punoi për vite me radhë si modeliste në fabrikën e qelqit, në qytetin e saj, ndërsa e ndoqi pa ndërprerje pasionin e arteve figurative.

Katër herë e paraqiti krijimtarinë e saj në tablotë e po aq ekspozitave personale, ndërsa morri pjesë në tetë ekspozita kolektive së bashku me piktorë të tjerë jo vetëm nga Kavaja.

Veprat e saj fituan veçanërisht admirimin e grave dhe vajzave për temat e trajtuara.

Inxhiriana ka regjistruar në arkivën e saj artistike 32 libra, të cilët mbajnë firmën e ilustrimeve të saj.

Gati gjysma e tyre janë bashkëpunime në botimet e  bashkëshortit Nazmi Roli, shkrimtar dhe poet mjaft prodhimtar.

Inxhiriana Roli përgatitej të hapte një ekspozitë në Durrës, kur sëmundja ia rëndoi jetën.

Ajo la pas edhe tre fëmijë, të cilët njëlloj si bashkëqytetarët kavajas, do ta nderojnë përjetësisht kujtimin e nënës së tyre artiste.

Siç shkruan Nexhati Tafa për dashurinë e dy artistëve bashkëshortë dhe bashkëqytetarë Inxhiriana e Nazmi Roli: “Nuk ka se çfarë të dhurojnë më shumë; nuk ka më shumë se sa dashuria”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës