Gëzim Kabashi: Me klerikët miq të Durrësit, një shekull më parë

Gëzim Kabashi: Me klerikët miq të Durrësit, një shekull më parë

Para një shekulli, në vitin 1924, në qytetin e Durrësit filluan funksionin religjioz dy klerikë, Mustafa Varoshi, i cili kishte përfunduar studimet teologjike në Arabinë Saudite, dhe Erazmi Jorgo, që sapo ishte dorëzuar prift nën bekimin e kreut të Kishës Autoqefale shqiptare, Fan Noli.

Durrësi i njohu ata shumë shpejt si klerikë, që arritën të jenë dhe drejtues të komuniteteve përkatëse, i pari Myftiu musliman i rrethit, dhe tjetri drejtues i komunitetit orthodoks.

Bashkë me imzot Jul Bonatin dhe Vinçens Prennushin, që zëvëndësuan njeri tjetrin në krye të kishës katolike “Shën Luçia” të qytetit bregdetar, klerikët e Durrësit fituan simpatinë e banorëve për miqësinë e ngushtë që i lidhte ata me njeri me tjetrin.

Kjo është një nga ato histori që tregohen në prag të festave.

Në një dokumentar të realizuar disa muaj më parë, gazetarët durrsakë dëshmuan marrëdhënien miqësore e intelektuale mes klerikëve të Durrësit 100 vjet më parë, përmes një shembulli të kohëve të fundit.

9 vjet më parë, pas aktit terrorist në kryeqytetin e Francës, ku mbetën të vrarë 12 gazetarë dhe punonjës të policisë, në Paris u zhvillua një manifestim ndërkombëtar për bashkëjetesën fetare.

Bota e qytetëruar u habit nga Shqipëria.

Katër klerikë shqiptarë të besimeve të ndryshme sollën së bashku në rrugët e kryeqytetit francez mesazhin e harmonisë fetare.

E njejta gjë ndodhte në Durrës në periudhën 1920 - 1940, kur drejtuesit e bashkësive fetare, shëtisnin së bashku në rrugët e qytetit, që sapo kishte nisur zhvillimin dhe modernizimin e tij.

Dy të moshuar tregojnë mbi klerikët e qytetit kozmopolit të Durrësit; mbi vizitat që kryenin në banesat e njeri tjetrit, njëlloj si familjarët durrsakë që vraponin për të uruar në familjet e besimeve të tjera gjatë festave fetare.

Myftiu Mustafa Varoshi, at Erazmi Jorgo, imzot Jul Bonati dhe imzot Vinçens Prenushi, vijnë edhe përmes kujtimeve dhe fotove të familjarëve të tyre.

Miqësia intelektuale e tyre u ndërpre pas vitit 1945, kur njeri pas tjetrit Mustafa Varoshi, Jul Bonati dhe Vinçens Prennushi u burgosën dhe vdiqën në biruca pas torturave çnjerëzore.

Myftiu Varoshi, më i riu, ishte vetëm 50 vjeç.

Në “Librin e burgut”, prof. Arshi Pipa, i cili ka vuajtur dënimin në burgun e qytetit bregdetar dëshmon mbi klerikët e burgosur në Durrës.

Pas viteve ’90, disa nga rrugët e qytetit antik trashëgojnë emrat e tyre, po ashtu edhe dy shkolla. Artistët e daltës dhe penelit po përgatisin projekte për ngritjen e një monumenti kushtuar klerikëve të Durrësit dhe miqësisë mes tyre.

Në Kon-Katedralen “Shën Luçia” ndrisin në altar emrat e dy klerikëve katolikë, Vinçens Prenushi dhe Jul Bonati, të cilët u lumnuan dhe u shpallën martirë nga Papa Françesku në vitin 2016, së bashku me 38 klerikë të tjerë shqiptarë.

Një grup të rinjsh durrsakë kanë kërkuar që burgu i vjetër i Durrësit ku klerikët e Durrësit vuajtën padrejtësisht, të jetë pjesë e guidës turistike të  qytetit..

Tashmë, një shekull më vonë e nderojmë kujtimin e tyre, duke nënvizuar fjalët e një kleriku të ri, sipas të cilit:  

“Kultura e harmonisë ndërfetare te ne, nuk është një gjë që qëndron pezull. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare nuk është diçka që lidhet me oportunitetet e çastit, porse është diçka thelbësore, e qenësishme.

Ajo kërkon përkujdesje. Ne kemi kuptuar që kjo është jetike për interesat e popullit tonë, i cili jeton në një shoqëri multireligjoze dhe multikulturore”.

Burgu i vjetër i Durrësit ku tre nga klerikët vdiqën nga torturat

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Armaldo Kllogjeri reagon për shkarkimin e Voshtinës, ish-drejtoreshës së TOB: Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda! Uroj që drejtori i ri të më rikthejë

Armaldo Kllogjeri reagon për shkarkimin e Voshtinës, ish-drejtoreshës së TOB: Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda! Uroj që drejtori i ri të më rikthejë