Kongresi Kombëtar i Arsimit! Rama: Gjuha shqipe sot më e rrezikuara, kërcënimi më i madh se asnjëherë! Të mbrohet me provim njësoj si anglishtja

TIRANË-“Arsimi është arma më e fortë e përparimit të kombit”. Kështu tha kryeministri Edi Rama në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku po mbahet Kongresi i Arsimit me temë ‘Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit europian’. Rama i dha fokus gjuhës shqipe duke thënë se është e rrezikuar dhe ka kërcënim më të madh se asnjëherë më parë.

Sipas tij, të gjithë duhet të punojnë për të forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ. Ajo çfarë Rama kërkon është që të futet në çdo nivel arsimor mbrojtja me provim e gjuhës shqipe njësoj si anglishtja.

“Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amëtare” - tha Rama. Në panelet e Kongresit të Arsimit, tha se duhet të ketë 2 elementë ku duhet të fokusohen, arsimi profesional dhe universiteti. Për këtë të fundit u shpreh se të gjithë duhet të punojnë që diplomat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të njihen në sistemin europian. 

Gjithashtu tha se arti dhe zejet duhet të futen si program në shkollë. Nuk la pa përmendur si pjesë të prioriteteve edhe vullnetarzimin duke thënë se duhet të njihen orët e vullnetarizmit si një cilësi e vecantë kur të rinjve i jepet e drejtë studimi apo pune.

Edhe futjen e abetares së unifikuar në vitin e ri arsimor e cilëson si një gur themeli. Gjatë punimeve 2 ditore të Kongresit kombëtar për Arsimin, shefi i mazhorancës tha pas Kosovës, sfidë e qeverisë së tij mbetet unifikimi i Abetares edhe me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe luginën e Preshevës.  Risi është edhe kurrikula TIK në klasat e para, me Laboratorët Smart që janë ngritur edhe në 100 shkolla të tjera në të gjithë vendin.  Këtij qëllimi i shërben Laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit. Kryeministri tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, për ti përgatitur ata për një treg të ri pune.

Rama nuk la pa përgjigje zërat opozitarë, të cilët akuzojnë qeverinë për një sistem arsimor të degraduar.

"Mësueset e mësuesit e këtij vendi ishin skllevër të politikës, nuk mund të vendosnin dot asgjë për fatin e tyre me meritën e tyre", tha Rama.

Kongresi Për Arsimin mblodhi në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ministra, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj, si dhe agjenci, partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorë të projekteve në fushën e arsimit, etj. Panelet do të vijojnë punën 2 ditore dhe do të përqendroheb në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjellë për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:59
Ambasadori britanik kërkon një minutë heshtje për Mbretëreshën Elizabeth II në Kongresin e Arsimit

 

Ambasadori britanik nisi fjalimin e tij në Kongresin Kombëtar të Arsimit duke kërkuar një minutë heshtje për të nderuar ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elisabeth II.

Alastair King-Smith tha se do të jenë edhe shqiptarë mes liderëve botërorë që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të mbretëreshës.

“Në emër të popullit doja të shpreh vlerësimin tonë për ngushëllimet në Shqipëri. Madhëria e saj do përcillet në banesën e fundit në praninë e liderëve botëror sigurisht edhe të Shqipërisë. Duam të mbajmë një minutë heshtje, në nder të Mbretëreshës”, tha Alastair King-Smith.

Ora 11:28
Ambasadorja amerikane: Arsimi do të jetë kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE

 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim është e pranishme në Kongresin e Arsimit, ku u shpreh se arsimi do të jetë pikë kyçe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. 

"31 vite më parë askush nuk e kishte menduar që sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sot uleni në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ju hapët zyrtarisht negociatat për tu bërë anëtar i BE. Arsimi do të jetë kyç se sa shpejt do të lëvizni dhe sa shumë përparim do të bëni.

Mbështetja jonë është e rëndësishme sepse politika jonë është që duam t’ju shohim të integruar në Europë. Në 31 vitet e fundit, shqiptarët dhe amerikanët kanë marrë pjesë në disa shkëmbime. Shqipëria ka pritur vullnetarë të korpusit të paqes që kanë shërbyer dhe e kanë quajtur Shqipërinë shtëpinë e tyre të dytë.

Jemi të kënaqur që ata do të rikthehen dhe pak ditë më parë bëmë njoftimin. Do ju mbështesim ndërsa përmirësoni sistemin arsimor. Kjo është detyra jonë që t’i japim mundësinë që t’ia dalin në Shqipëri dhe të sjellin ndikim në Europë dhe botë", tha Yuri Kim.

Ora 10:27
Rama: Të bindim BE që të krijojë mundësi që universitetet tona të hyjnë në sistemin europian

 

Kryeministri Edi Rama theksoi se dy element në të cilët duhet të fokusohet Kongresi është arsimi profesional dhe universiteti, ndërsa vëmendje të madhe duhet të marrë njehsimi i diplomës në vendet e BE dhe krijimi i kolegjeve profesionale.

“Këtu do të ketë 2 ditë panele dhe punë me aspektet e veçanta, por dua të ndalem dhe pak tek 2 elementë të tjerë, arsimi profesional dhe universiteti.

Arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishëm por të pamjaftueshëm. Ashtu si me universitetin. Por të kthehemi për një moment nga jemi nisur, është dita me natën. Të gjithë i kujtoni universitetet fantazëm që shisnin diploma, i kujtoni radhët kaotike, merita nuk ishte e gjitha, lidhjet partiake, shoqërore e korruptive përcaktonin shumë. Sot kjo nuk ndodh më, nuk ka shans që fëmija i një deputeti të zërë radhën e një fëmije të një bariu se i gjithë procesi është i dixhitalizuar dhe rëndësi ka rezultati.

Çdo ndërhyrje lë gjurmë dhe nuk ka të tilla. Sot procesi nuk ka asnjë ankesë për padrejtësi. Edhe ai proces ka nevojë për përmirësime, të cilat janë diskutuar dhe ne po i bëjmë hap pas hapi. Ndërkombëtarizimi i të gjithë sistemit tonë universitar është domosdoshmëri. Shpresojmë që përmes lobimit politik pranë BE dhe KE duke përfituar dhe nga pozicioni i ri që kemi si vend që negocion së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, ta bindim BE që ta përfshijë sistemin universitar të vendeve tona në sistemin europian për t’i krijuar mundësi universiteteve tona të hyjnë në sistemin universitar europian, ku më pas sinergjitë dhe njehsimi i diplomës është shumë i thjeshtë dhe proces i mbështetur financiarisht.

Krijimi i kolegjeve profesionale është objektivë që duhet ta ndjekim e plotësojmë. Dua të rikapitulloj se për ne, dixhitalizimi i vendit dhe i ndërveprimeve në nivelin e sipërmarrjes dhe të marrëdhënieve të qeverisë me qytetarët, si një proces themelor për të krijuar kushte për një punësim cilësor dhe të ardhura më të larta është prioritet në arsim”, tha Rama.

Ora 10:21
Rindërtimi/ Rama kujton bisedën me një drejtor: Më tha kishim shkollë pa banjë, sot ka më shumë banjo se i gjithë fshati

 

Kryeministri Edi Rama, teksa mbante fjalën në Kongresin e Arsimit kujtoi bisedën me një drejtor shkolle që u rindërtua pas dëmtimit të madh që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Më tha bukur një drejtor shkolle në një nga zonat e Rindërtimit, kishim shkollë pa banjë, sot shkolla ka më shumë banjo se i gjithë fshati. Edhe program i arteve dhe zejeve në shkollë do të nisë e nuk do të ndalet. Përkrah me teknologjinë e finalizimin duhet të fusim këto aktivitete”, tha Rama.

Ora 10:09
Rama tregon historinë e mësueses që shante qeverinë në takimet e Berishës: Është edhe e lirë të shkojë në tubimet e ‘Shqipërisë në Rrezik’

Kryeministri Edi Rama një fjalën e tij ka thumbuar opozitën teksa sipas tij ka risjellë në vëmendje faktin se mësuesit dikur ishin skllevër të politikës. Rama tha se e kishte ndjekur personalisht historinë e mësueses, e cila në rrjetet sociale kishte marrë shumë mbështetje nga përkrahësit dhe komentuesit, sipas kryeministrit, e etiketonin arsimtaren si ‘viktimë të politikës’.

Kreu i qeverisë u shpreh se kishte dëgjuar deklaratat e mësueses e cila ankohej për situatën ku ishte për shkak të kontratës së përkohshme. Por pavarësisht se ajo ishte kundër qeverisë së tij, mësuesja tashme ka fituar një kontratë të përhershme pasi kishte aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Sipas Ramës portali nuk njeh bindje politike, pasi çdo ndërhyrje lë gjurmë. 

‘Është e rëndësishme të kujtohemi nga e nisëm. Sot jemi dita me natën, po të mendojmë ku do shkojmë jemi nata me ditën. Më parë mësuesit ishin skllevër të politikës. Mund të ngryseshin në një vend pune dhe të gdhiheshin të hedhur në një tjetër vend pune. I gjithë sistemi i rekrutimit bazohej në parti, politikë dhe heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësia e tyre, përpjekja për ti trajtuar gjithnjë e më mirë, brenda mundësive tona, shoqëruar me një proces tërësisht të pavarur, siç është portal mësues për Shqipërinë, e ka ndryshuar situatën e mësuesve.

Më bëri përshtypje një kronikë që ishte përhapur në rrjetet sociale e një mësuese që ishte nënë me dy fëmijë, dhe me kontratë të përkohshme që ankohej për situatën në të cilën gjendej, nga pasiguria e kontratës së përkohshme, dhe një sërë komentatorësh e mbështesnin si viktimë e politikës. Sepse kjo mësuese ishte shumë aktive në takimet që organizon grupi ‘Shqipëria në Rrezik’. Përtej faktit se kjo mësuese shprehte inatin e saj ndaj qeverisë, ndryshe nga të tjerë i kishte bërë detyrat e veta duke konkurruar në portal dhe ja që sot kur rezultatet janë shpallur ajo është fituese për kontratë të përhershme.

Pavarësisht se për këtë voton, se sa shprehesh për qeverinë apo për opozitën. Për ata që e mbajnë mend se çfarë kohe ishte kur kjo gjë as nuk mund të imagjinohej besoj se është diçka me rëndësi të madhe për dinjitetin e mësuesve dhe për lirinë dhe garancinë e konkurencës. Dua t’i uroj suksese mësueses e  cila në kohë të lirë mund të vazhdojë të shkojë në fushtat e ‘Shqipërisë në Rrezik’. ‘- tha Rama.

 

Ora 10:01
Batuta në Kongresin e Arsimit, Ramës i ndërpritet fjalimi: Ka nga ata që jetojnë me ‘radio’ në xhep! Njëri më tha është zilja e gruas

 

Kryeministri Edi Rama po mbante fjalën në Kongresin e Arsimit kur në sfond po dëgjohej një muzikë. Rama nuk hezitoi ta largonte për pak çaste vëmendjen nga arsimi duke bërë një batutë që shkaktoi të qeshura mes të gjithë të pranishmëve në sallë.

“Sot në këtë kongres është e rëndësishme të bëhet diçka që nuk e ka shumë dëshirë. Të kujtojmë nga e nisëm nën tingujt e kësaj muzike kaq kuptimplotë të dikujt që duhet të jetë shumë optimist që jeton me radio në xhep dhe nuk po spekuloj por më ka ndodhur disa herë që ndizen këto radiot nëpër xhepa. Një herë kam marrë guximin ta pyes personin dhe më ka thënë, është zilja e gruas. Se kështu janë burrat shqiptarë, të fortë, të pavarur, sundimtarë të pakontestueshëm jashtë mureve të shtëpisë. Tani meqë po flisnim për komunikimin dixhital të lidhur dhe me një fije zëri me murin e shtëpisë që e kanë si zinxhirin e qenit”, tha Rama.

Ora 10:00
Rama: Mangësi që nuk kemi në sistem edhe një provim për Gjuhën Shqipe, të futet në çdo nivel arsimor

Në fjalën tij në Kongresin e Arsimit, kryeministri Edi Rama tha se gjuha Shqipe duhet të futet në çdo nivel të arsimit. Kreu i qeverisë u shpreh se gjuha Shqipe duhet të mbrohet me provim, njëlloj si anglishtja.

‘Kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se çdo herë tjetër. Çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim, forcat që kërcënojnë gjuhët janë të tilla që duket të pathyeshme. Nga ana tjetër. Më vjen mirë që këtu në këtë kongres mund të them se Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe nuk janë më nevoja të adresuara, por janë projekte që kanë hyrë në rrugën e realizimit të tyre. Është për të ardhur keq që për shumë vite ne nuk e patëm këtë mundësi. Sot është shtruara rruga për t’i pasur këta libra themelor për vendin tonë e botën tonë akademike. Në këtë rrugë siç e thashë përpjekja për gjuhën duhet të jetë një përpjekje e gjithë anshme. Gjuhën Shqipe duhet ta fusim në çdo nivel të arsimimit. Duhet ta diskutojmë futjen e gjuhës shqipe në çdo nivel arsimor. Është mirë që kemi sistem të provimit të anglishtes, por është mangësi që s’kemi po të njëjtin sistem për gjuhën tonë amëtare. Futja e abetares së unifikuar është një gur themeli.’- tha Rama.

Ora 09:50
Rama: Sot gjuha është më e rrezikuara! Të kërkojmë rrugë për ta forcuar pozicionin e saj në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ

 

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin në Kongresin e Arsimit me fjalimin e Dervish Himës ndërsa theksoi se arsimi është arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, por sot gjuha është më e rrezikuara. Rama thekson se duhen gjetur mënyura që forcojnë pozicionin e gjuhës në kaosin gjuhësor dhe komunikativ.

“Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimi i kombit shqiptar. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull, një gur themeli që u fokusua tek gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një kongres që është shumë modest për nga pesha por në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar.

Mësimi i shqipes dhe përparimi ishte për delegatët e kongresit të Manastirit, mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesi, po nga se do të mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigja është e thjeshtë. Mjafton të harxhojë secili një orë për të lundruar në kanalet e informacionit që të shohë cfarë ndodh me gjuhën shqipe, me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi.

Gjuha është më e rrezikuara dhe kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë por të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe shpejtësia e komunikimit bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj që na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama.

Ora 09:30
Kongresi i Arsimit, Kushi: Kemi përgatitur programe dhe bursa studimi që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria

 

Kongresi Për Arsimin mblodhi në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ministra, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj, si dhe agjenci, partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorë të projekteve në fushën e arsimit, etj.

Kongresi i arsimit i cili do të jetë në datat 12 dhe 13 shtator, përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjella për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.

Të pranishëm në hapjen e këtij kongresi ishin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, anëtarë të kabinetit qeveritar, pedagogë, mësues, etj.

“Ju falënderoj të gjithëve që jemi mbledhur së bashku për këtë kongres, Kongresi i Arsimit, i cili përkon edhe me fillimin e vitit të ri shkollor. E me këtë rast, dua ta nis me një urim të përzemërt për te gjithë nxënësit dhe mësuesit, në të gjithë vendin, për një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm!

Arsimi, përveçse është një e drejtë themelore për çdo njeri, është edhe faktori kryesor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të çdo kombi. Ndryshimet qe po ndodhin sot ne bote:

-Nga njëra anë, fatkeqësitë natyrore, pandemi, luftëra, kriza ekonomike, ndryshimet klimatike;

-E nga ana tjetër, zhvillimet e teknologjisë, digjitalizimi, e nevojat e tregut të punës për profesione të reja,

sjellin nevojën për një vizion të ri arsimor. E prandaj edhe Samiti Global i Arsimit, që do të zhvillohet pas pak ditësh në New York, ka zgjedhur pikërisht këtë temë “Transformimi i Arsimit”. Si përgjigje e një krize globale në arsim, krizë cilësie, krizë pabarazie dhe gjithëpërfshirjeje.

Nuk ka asnjë dyshim që për arsimin, në çdo kohë e në çdo vend, duhet një angazhim dhe solidaritet i madh kombëtar, por veçanërisht në kohë sfidash e transformimesh, arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhendë, dhe të harmonizojë politikat me veprimet, për t’u rimëkëmbur në këtë botë që ndryshon me ritme shumë të shpejta.

E ne këtë frymë, edhe qëllimi i këtij kongresi është të bëjë bashkë shumë aktore në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin profesional, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, partneret në nivel kombëtar e ndërkombëtar, pedagogë, mësues, studiues e politikebërës, për të nxitur bashkëpunimin për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor, të barabartë e gjithëpërfshirës, drejt BE.

Por, përveç krizës globale, ne këtu në Shqipëri, po përballemi edhe me një sfide tjetër, një tendencë me të cilën në fakt po përballet i gjithë rajoni ynë ballkanik. Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni, për studime apo për punësim, drejt vendeve perëndimore, si Gjermania por jo vetëm, vende të cilat, duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke patur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët, infermierët, por edhe profesione të tjera të kohës.

Për t’iu përgjigjur kësaj tendence, ne kemi hartuar disa politika të reja, siç është:

-ndërkombëtarizimi i universiteteve, si dhe financim shtesë, për programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me universitete prestigjioze në BE, por edhe për struktura ekselence evropiane, që mund të jenë departamente, fakultete, qendra kërkimore. Qëllimi ynë është për të rritur cilësinë, dhe për t’i dhënë më shumë vlerë diplomave tona, njësoj si në universitetet më të mira të BE;

-po ashtu, një tjetër politike është edhe përcaktimi i programeve të studimit prioritete për zhvillimin e vendit, si dhe bursa studimi më të lartat ndonjëherë për këto programe, siç janë bujqësia, mësuesia, shërbimet, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, në Shqipëri, të japin kontribut për vendin e për njerëzit tanë;

Por a mjaftojnë këto politika? Natyrisht që në arsim, ndryshe nga sektorët e tjerë, të gjithë ekspertët bien dakord që, politikat dhe reformat, sa më të mëdha e të thella të jenë, aq më shumë kohë kërkojnë për t’u zbatuar e vlerësuar, sepse edhe rezultatet nuk janë as të menjëhershme, e as lehtësisht të matshme.

Ndaj, unë besoj që në panelet e këtij kongresi, sot dhe nesër, kjo temë do të ketë diskutim të gjerë, dhe ju do të na jepni opinione e sugjerime me vlerë, që me pas, ne të mund t’i integrojmë me politikat dhe veprimet tona.

E ndërkohë kërkimi shkencor. Sfidat që përmenda që në hyrje të fjalës sime, e bëjnë te domosdoshme ngritjen e tij në një nivel te ri. Pa dyshim që duhen më shumë financime, më shumë mbështetje, por mbi te gjitha duhet një qasje e re.

Deri me sot, universitetet janë aktorët më të rëndësishëm në këtë proces, me projektet e tyre kërkimore, me pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare, bashkëpunime, shkëmbime dhe partneritete me institucione te huaja, ku për hir të së vërtetës, ka rezultate shumë të mira. Në këtë drejtim, ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi shembull pozitiv edhe në rajon, për thithjen e fondeve nga BE për arsimin dhe kërkimin shkencor. Nëse i referohemi vetëm Programit Horizont Evropa, universitetet tona e kanë rritur performancën, dhe tashme jo vetëm qe përfitojnë me shume financim, por janë edhe lider kryesor në projekte te ndryshme.

Megjithatë, edhe këtu besoj se duhet bere shume me tepër. Ka ardhur koha që vetë bizneset të jenë më të përfshira, me aktive, madje pse jo edhe katalizator i këtij procesi, duke bashkëvepruar ngushtë me institucionet e arsimit të lartë. 

Në këtë kongres, kemi dedikuar panele të posaçme edhe për kërkimin shkencor, ku kemi ftuar, veç universiteteve dhe qendrave kërkimore, edhe përfaqësues të biznesit e dhomave të tregtisë, dhe mirëpresim më shumë interes kontributin e tyre, me propozime dhe angazhime konkrete.

 

 

Edhe në sistemin arsimor parauniversitar sfidat janë te mëdha, për të arritur që nxënësit tanë të përfitojnë aftësitë e reja te shekullit 21, te bëhen profesioniste te mire, punonjës te suksesshëm dhe qytetare te denje te se ardhmes.

Kemi investuar në instrastrukturën shkollore, kemi përmirësuar kurrikulat, tekstet shkollore, trajnimin e mësuesve, mirëqenien psiko-sociale te nxënësve, mbështetjen për nxënësit me aftësi ndryshe.

Por kryefjalë në politikat tona, dhe fokusin më të veçantë, jam e bindur që duhet ta ketë pa diskutim digjitalizimi. Sepse është pikërisht transformimi digjital i arsimit që zbut pabarazinë, dhe nxit gjithëpërfshirjen në arsim. Falë digjitalizimit dhe sistemeve të reja online, ne garantojmë dhe lehtësojmë regjistrimin e nxënësve, ndërveprimin shkolle-prindër, meritokraci dhe transparencë për regjistrimin e studentëve në universitete, por edhe punësimin e mësuesve.

Nga ana tjetër, studimet me te fundit i kushtojnë rendësi te veçantë edukimit ne fëmijërinë e hershme. Ato tregojnë qe nëse kemi programe cilësore për këtë grup moshë, atëherë nga çdo dollar i investuar, përfitimet me vone janë 10 here me te larta, ose e thënë ndryshe kursimet ne periudhën afatgjate janë vertete te konsiderueshme.

Prandaj shpresoj që gjatë këtyre dy ditëve në këtë kongres të kemi diskutime produktive edhe për këtë aspekt të edukimit. Në një kohë të shkurtër është e pamundur te ndalem ne çdo problematike apo politikë tonën arsimore, sepse në fakt do të jenë pikërisht panelet e këtij kongresi, me tematika specifike, që do të na ndihmojnë ta vendosim arsimin në krye të agjendës sonë politike.

Në mbyllje të fjalës sime, kam kënaqësinë te ftoj këtu 3 te rinj. Ata do ta prezantojnë vetë, nga vijnë, dhe kanë me siguri edhe mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe bashkëmoshatarët e tyre. Arsyeja pse ata janë këtu është sepse të rinjtë duhet të kenë një zë ne vendimmarrje. Ne duhet te përpiqemi jo vetëm qe te përmirësojmë arsimin për te rinjtë, por ne duhet ta përmirësojmë arsimin bashke me të rinjtë", tha Kushi.

Ora 08:30
Nis zbatimin i pari program kodimi në Shqipëri për fëmijët që në klasë të parë, Rama: Kemi 100 laboratorë smart, do i shtojmë

Viti i ri arsimor nis me risinë e kurrikulës TIK në klasat e para, me Laboratorët Smart që janë ngritur edhe në 100 shkolla të tjera në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe drejtoreshën e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Inovacionit, Romina Kostani vizitoi shkollën 9 - vjeçare “Jeronim De Rada”, në kryeqytet, ku për herë të parë, kurrikula e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) do të zhvillohet që në klasë të parë. 

Këtij qëllimi i shërben Laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit. Kryeministri tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, për ti përgatitur ata për një treg të ri pune.

“Janë 100 laboratorët e parë që ne i instalojmë në bashkëpunim me AADF. Ndërkohë kemi programin me Bankën Botërore dhe ndërkohë kemi edhe një plan që të mbështesim edhe ne nga pikëpamja buxhetore, duke bërë që i gjithë ky sistem të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme. Ajo që është themelore është që t’u japim mundësi më të rriturve që të hyjnë në një fazë të thelluar të kodimit dhe përmes asaj diturie të bëhen të aftë për një treg tjetër. Ne do t’i shtrijmë më tutje të gjitha programet e kodimit në bashkëpunim me sipërmarrjet në mënyrë që të krijojmë një shtresë komplet të re që ka filluar të formësohet, por ne do ta nxisim që brenda periudhe të kemi një numër të konsideruar të rinjsh, të cilët janë të punësuar në një treg komplet tjetër që është tregu i punës online dhe ka të ardhura shumë të larta”, tha Rama.

Në shkollën “Jeronim de Rada”, mësuesja zbuloi detaje nga platforma e kodimit për fëmijët e klasës së parë.

“Platforma e kodimit do të sjellë mënyrë të re të të mësuarit të kësaj lënde. Përdoret nga 25 milionë fëmijë në të gjithë botën ndërsa mund të përdoret edhe në shtëpi. Fëmijët pasi të kenë mësuar përdorimin e mausit dhe tastierës, do të prezantohen me kastorin, i cili duhet të kalojë një sërë sfidash në habitatin e vet. Faqja e aplikacionit është shumë e thjeshtë për fëmijët”, tha mësuesja.

Pjesë e këtij eventi ishin përfaqësues nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nxënës të kësaj shkolle të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti të ri në Shqipëri, mësues e përfaqësues të ndryshëm të institucioneve respektive.

Angazhimi i ministres përgjegjëse për Rininë dhe Fëmijët në këtë projekt, i cili do të nisë me testimin e tij përgjatë tre viteve shkollore të para deri në zgjerimin e projektit në nivel kombëtar, është konfirmuar që me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe AADF-së, në maj të këtij viti, për krijimin e 100 laboratorëve SMART.

Sipas Muzhaqit, “këta fëmijë do të hapin rrugën për Shqipërinë e Teknologjisë”, ku fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë do mund të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme, duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.

Ky program, - i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, - zhvillon fushën dhe kompetencat kryesore përmes 4 tematikave kryesore: Bota e kompjuterit, Hyrje në multimedia, Të menduarit kompjuterik dhe kodimi, Siguria e të punuarit në kompjuter.

/M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb