Pak ditë më parë, Berisha u shfaq i tensionuar në daljen e tij nga Prokuroria e Posaçme, ku pranoi që SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj tij dhe familjarëve të tij. Ndonëse organi i akuzës nuk ka ende një njoftim zyrtar për shtyp, vetëm ditët e fundit shkallët e Prokurorisë së Posaçme i kanë ngjitur dy eksponentë të rëndësishëm të zhvillimeve të Kuvendit të Rithemelimit: Belind Këlliçi dhe Indrit Hoxha.

Sipas burimeve, të dy janë pyetur për financimet e Kuvendit të Rithemelimit më 11 dhjetor 2021, të cilat rrjedhimisht, sipas të gjitha gjasave, kërkojnë ta orientojnë akuzën e SPAK te hetimi pasuror i kreut aktual të PD-së, Sali Berisha.

Po të njëjtat burime, bëjnë me dije se në Prokurorinë e Posaçme për këtë çështje do të pyeten të gjithë organizatorët dhe kontributorët e Kuvendit të Rithemelimit të PD-së.

Çfarë deklaronte Berisha në 13 dhjetor 2021?

Në një konferencë për shtyp, pamjet e së cilës gazeta TemA po i risjell në vëmendje, tregon Berishën teksa pyetet për organizimin e dy ditëve më parë, ndërkohë që kreu i PD-së përgjigjej se shpenzimet janë transparente dhe nuk janë aq sa i deklaron pengmarrësi Edi Rama dhe pengu i tij Lulzim Basha në media.

 

Po a ka një faturë të deklaruar Kuvendi i Rithemelimit?

Njëjtë sikurse lobimi i La Civitas në zgjedhjet e fundit, edhe për Kuvendin e Rithemelimit nuk ka një shifër reale të deklaruar dhe nuk ka donatorë të vërtetë që të kenë shpenzuar për Berishën në atë kohë.

Sipas një tabele financiare që qarkullon, të cilën gazeta TemA e disponon dhe i referohet Kuvendit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, të mbajtur më 11 dhjetor 2021, rezulton se aktiviteti ka pasur kosto të konsiderueshme financiare, të detajuara në disa zëra kryesorë shpenzimesh.

Në listë përfshihen shpenzime për qira stadiumi (Air Albania), brendim dhe skenografi stadiumi, sisteme fonie dhe ndriçimi, regji qendrore, siguri, transmetim televiziv, si edhe një volum i lartë materialesh propagandistike, përfshirë flamuj, badge, fletëpalosje, axhenda, lanyardë dhe materiale zgjedhore. Po ashtu, evidentohen kosto për transport delegatësh, bileta avioni nga Europa, ushqim dhe ujë, si dhe për fushatë në rrjete sociale dhe reklama televizive në prime time.

Sipas tabelës, totali i shpenzimeve të evidentuara arrin në rreth 1.1 milion euro, një shumë që pasqyron vetëm kostot e dokumentuara dhe të njohura publikisht deri më tani.

Megjithatë, burime pranë çështjes theksojnë se këto janë kosto të përafërta dhe jo domosdoshmërisht përfundimtare, pasi ekziston mundësia që të ketë shpenzime të tjera shtesë, të kryera jashtë këtij dokumenti, të cilat nuk janë bërë publike apo nuk rezultojnë të formalizuara në këtë përmbledhje financiare.

Berisha sot: Hetimi politik, Basha i dha listën e bizneseve që sponsorizuan Kuvendin e PD-së Eskobarit dhe Kim

I pyetur sot në konferencën për gazetarë, Berisha iu rikthye akuzave, duke e quajtur hetimin e tij pasuror si një hakmarrje politike, të nisur nga një ish-xhelat i diktaturës komuniste, duke iu referuar prokurorit Kraja, ndërkohë që nuk i ka ndalur akuzat me kaq, ku ka përfshirë në komplotin kundër tij edhe Lulzim Bashën, i cili, sipas Berishës, ka komplotuar me SHBA-të nëpërmjet Ekspbar dhe Yuri Kim, duke i dhënë listën e bizneseve që kanë sponsorizuar Kuvendin e Rithemelimit.

 

A është hetimi pasuror i Berishës edhe fundi i tij politik?

Ndonëse e gjithë përpjekja që prej shpalljes së tij non grata e deri më sot, duke përfshirë edhe Kuvendin e Rithemelimit, ka qenë për t’i shpëtuar drejtësisë, me sa duket, ky hetim i ri pasuror do ta fusë sërish në siklet Berishën përsa i përket së ardhmes së tij. Se sa do t’ia arrij kësaj radhe Prokuroria e Posaçme ngelet për t’u parë, mirëpo këto dalje dhe shpërthime të një pas njëshme të Berishës nuk parathonë asnjë gjë të mirë për të.

PD-ja do të vijojë të ngelet peng i Berishës apo do ta tejkalojë figurën e tij?

Në të gjithë këtë panoramë të re, pyetja që shtrohet është: A do të gjejë forcë PD-ja ta tejkalojë Berishën? Lëvizja e Salianjit ishte një shenjë, mirëpo, siç po shihet, e gjithë PD-ja zyrtare është nën thundrat e Berishës. Nëse do të vijojnë të jenë edhe pas kësaj çështjeje, ngelet për t’u parë, por që të ndryshojnë gjërat gjasat janë shumë të pakta./TemA

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Precedent: 14/01/2026 17:26

    Jo nuk eshte fundi ! Hetimi pasuror do të jete precedent per politikan te tjere duke u bere nje forme veting ! Doktori eshte i paster por me kete precedent do digjen dhjetëra politikan te tjere nga politika sepse hetim pasuror apo (veting pasuror) eshte nje stad evolucioni ne politiken moderne!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Janar, 18:35

    Arratisja e Ndocit, mendoni se Burgjet kanë standardet e duhura të sigurisë?