Ndonëse ende fëmijë më magjepsi timbri I shkëlqyer i zërit të saj dhe një muzikalitet i lindur. Fati e solli që në vitin 1951 të shkoj me studime në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku artistja Jorgjia Truja ishte një nga pedagoget e para të kësaj shkolle dhe jepte mësimin e kantos. Respekti dhe mirënjohja për të nuk ishte vetëm nga unë, por nga gjithë ai brez, që ajo dhe gjithë personeli i asaj shkolle rriti dhe përgatiti për të dalë nesër në jetë si këngëtarë lirikë, piktorë, skulptorë, regjisorë dhe aktorë të disa brezave.
Isha studente në Konservatorin “P. I. Çajkovskij” të Moskës, kur së bashku me studentët e tjerë shqiptarë kemi ndjekur me entusiazëm nëpërmjet shtypit dhe filmimit venien e parë të një opere në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të posaformuar dhe kjo ishte opera “Rusallka” e kompozitorit rus Dargomizhskij, ku artistja Jorgjia Truja interpretonte rolin kryesor, atë të Natashës (Rusallkës.) .
Po njohja më e mirë me këtë artiste të madhe për mua ka qenë kur ajo, si regjisore e parë shqiptare vuri në skenë për herë të parë në Teatrin tonë të Operës dhe Baletit, operën “Madama Baterflaj” të Xh. Puçinit, ku unë interpretoja rolin e Suzukit., në vitin 1961. Aty unë njoha jo vetëm një artiste të madhe, por edhe një grua të emancipuar dhe me shumë kulturë. Ajo zotëronte disa gjuhë të huaja. Puna e saj si regjisore me ne interpretuesit e operës ishte cilësore, e kujdeshme dhe ajo që më ka bërë përshtypje ishte, se punonte shumë me detajet për të nxjerrë karakterin e çdo personazhi. Ishte një grua fjalëëmbël, që edhe kur bënte një vërrejtje atë e bënte me një etikë të lartë dhe me shumë takt. Nuk e mbaj mend kurrë të nxehej dhe kjo sjellje e saj, kjo edukatë qytetare ishte një shëmbëll i shkëlqyer për ne të gjithë artistët e rinj të asaj kohe. Kjo venie në skenë për herë të parë e operës “Madama Baterflaj”nga kjo artiste pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe mbahet ende e gjallë jehona e saj edhe sot.
Ishte përsëri një fat i madh për mua bashkëpunimi me këtë artiste, si regjisore në vënien në skenë për herë të parë të operës “Dasma e Figaros” e W. Moxartit , në vitin 1965. Edhe kjo venie në skenë e kësaj opere pati përsëri një sukses shumë të madh, por fatkeqësisht, me dhembje them, se mbas shumë shfaqjesh të suksesshme, shfaqjet e kësaj opere u ndërprenë me urdhër nga lart dhe vënia në skenë nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit u “kritikua” rëndë nga vetë Enver Hoxha në kongresin e 5-të të PPSH në nëntor 1966, duke e quajtur këtë opera me ndikim “borgjez” në kundërshtim me “frymën revolucionare”, që në të vërtetë ishte një rënie në antikulturë. Kjo na dhëmbi shumë ne të gjithë artistëve të TOB dhe pasojat e kësaj i patëm më vonë, ku operat klasike u hoqën nga repertori iTOB dhe u zevendësuan me baletin kinez “Detashmenti i kuq i grave”…
Por, miqësia, respekti dhe mirënjohja ime e madhe për zonjën, artisten e ndritur Jorgjia Truja vazhdoi edhe pasi ajo doli në pension. Vazhdimisht shkoja dhe e takoja në shtëpinë e saj, ku kërkoja konsultë për programet e studentëve të mi të kantos dhe si gjithmonë ajo më priste me atë buzëqeshjen e saj, që rrezatonte vetëm mirësi, me një edukatë dhe mirësjellje të shkëlqyer. Ikja nga kjo jetë e kësaj artisteje, regjisoreje të parë, e kësaj mikeje të shtrenjtë të të gjithë ne artistëve, që erdhëm pas saj, më trishtoi shumë, por kujtimi i saj i ndritur do të më bëjë dritë, jo vetëm mua dhe brezit tim, që pati fatin të mësojë prej saj dhe të punojë me të, por gjithë brezave të artistëve të TKOB në Shqipëri. Ndaj them me gjithë shpirt : “Të faleminderit e ndritura artiste e Popullit Jorgjie Truja, për gjithçka i dhe artit tonë lirik! NDERIM, RESPEKT DHE MIRËNJOHJE PAFUND!”*Ish Soliste dhe Dirigjente kori e TKOB
Regjisorja Jorgjia Truja me interpretuesit e Operas “Dasma e Figaros”. Në qendër Luiza Papa, djathtas Jorgjia Truja , majtas ( Luizës ) Rozmari Jorganxhi në rolin e pazhit
d.b/shqiptarja.com