TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka nisur me një mesazh falenderimi fjalën e saj për ndihmat e dhuruara për Shqipërinë për të nisur rindërtimin pas tërmetit, megjithatë, vë theksin se tani nis sfida e vërtetë për qeverinë. Duke e cilësuar këtë të fundit si të paaftë për të menaxhuar shumën e parave, Kryemadhi shprehet se do të vëzhgojnë me shumë kujdes procesin e shpenzimeve, që miliardat e eurove të shkojnë tek shqiptarët dhe jo në "xhepat e rilindasve". Nga selia e LSI-së, Kryemadhi thotë se Rama ka dashur prej kohësh që të merrte një kredi në bankat ndërkombëtare për të paguar shpenzimet e kripura të administratës së tij dhe sot 885 mln që u morën në Konferencën e Donatorëve në formë huaje, do duhen shpenzuar me kujdes, pasi sipas saj, në fund do paguhen nga vetë shqiptarët.

"Ky falenderim është më shumë se falënderim, por është një shpresë, e cila do t’u japë shqiptarëve forcën, kurajon për të vazhduar betejën e tyre dhe për t’u treguar atyre që nuk janë vetëm, por janë gjithmon të përkrahur dhe janë gjithmonë në mbështetje nga popujt e tyre, nga Bashkimi Europian dhe nga institucionet ndërkombëtare.
Takimi i djeshëm tregoi qartë që nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por përkundrazi ata i duan dhe i respektojnë ata dhe madje ndjejnë detyrim për t’i ndihmuar.
Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne është që notat e entuziazmit tashmë mbaruan, por duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare. Dje në takim pothuajse me përafërsi akoma të pazyrtarizuara përfundimisht, por në atë çka është deklaruar dhe dje, për shqiptarët dhe shtëpitë në rindërtim do të shkojnë 265 milion euro, të cilat janë para që do t’i krijojnë mundësi për shqiptarët dhe familjet që kanë humbur shtëpitë e tyre, të mos vazhdojnë të paguajnë kreditë e kripura që janë ngritur pas tërmetit. Do të thotë që të ndërtohen sa më shpejt shtëpitë e tyre, që jo të dalë dimri i vitit tjetër, por edhe pranvera e këtij viti ata të hyjnë të lumtur në shtëpitë e tyre, sepse takimi i djeshëm ia dha këtë mundësi dhe shans që ata të jenë të qetë dhe të hyjnë sa më shpejt në shtëpitë e tyre",
tha Kryemadhi, teksa shtoi se u tregua që askush nuk i paragjykon shqiptarët në Europë.

"Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne është që notat e entuziazmit tashmë mbaruan, por duhet të fillojë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare", tha kryetarja e LSI-së. 

Konferenca e Donatorëve "Bashkë për Shqipërinë" organizuar ditën e djeshme nga Komisioni Evropian në Bruksel, mblodhi 1.15 miliardë euro grante, hua, e fonde për projekte zhvillimi nga rreth 100 vende që morën pjesë në këtë konferencë për të shprehur solidaritetin ndaj Shqipërisë në përpjekjen për t'u ringritur pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 që la pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë nga godinat e rrënuara e të dëmtuara.