1.2 miliardë dollarë investime për rindërtimin, ministri: Në shtator përfundojmë pjesën më të madhe, të fokusuar në Kombinat dhe 5 Maj

1.2 miliardë dollarë është shuma që mund të shkojë për rindërtimin. Kështu deklaroi ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë, i cili shtoi se kjo shumë ishte parashikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ahmetaj tha se procesi i rindërtimit pritet të përfundojë thuajse në të gjithë vendin brenda muajit shtator.

Ahmetaj theksoi se pas kësaj periudhe punimet do të vijojnë vetëm te “5 Maji” dhe në zonën e Kombinatit ku ka pasur më shumë vonesa, për shkak të problemeve me shpronësimet dhe vendimeve të gjykatave.

“Do fokusohem te vendimet për rindërtimin. Janë një sërë vendimesh për rindërtim të pallateve apo ndërtimeve individuale. Konfirmojnë edhe përfundimin me faza të objekteve arsimore. Një seri objektesh arsimore janë duke u dorëzuar të përfunduara, Ndërkohë statistikë e rëndësishme është se po ndërtojmë 167 shkolla.

Vetëm në Tiranë po ndërtohen 37 shkolla, më shumë se në 30 vitet e fundit. Shuma në programin e rindërtimit në të gjitha vitet në ato që kanë kaluar dhe në një vit e gjysmë në vazhdim mund të shkojë në 1.2 mld dollarë. Në të njëjtën kohë ndaj me qytetarët një informacion për pjesëmarrjen e kompanive në procesin e rindërtimit. Programi i investimeve publike më social që ka prekur direkt dhe indirekt gjysmë milioni qytetarë dhe ka pjesëmarrjen më të gjerë të kompanive në të gjitha fazat e veta.

Janë vetëm te FSHZH 137 kompani që marrin pjesë. Fondet janë ndarë me transparencë që nga planifikimi i buxhetit e deri te vendimet e qeverisë. Dua të ndaj me qytetarët që jemi në shumicën e bashkive të dëmtuara nga tërmeti në fund të procesit të rindërtimit. Dy zonat që do vazhdojnë përtej vjeshtës janë 5 Maji dhe Kombinati për shkak të problemeve të pronësisë apo vendimeve gjyqësore”, tha Ahmetaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
Financim shtesë për spitalet, Ministrja e Shëndetësisë: Modernizojmë infrastrukturën dhe rrisim cilësinë e shërbimit

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije vendimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen e huasë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore, për financimin shtesë në sistemin shëndetësor, me qëllim modernizmin dhe rritjen e standardit për shërbimet shëndetësore në spitalet universitare, rajonale e bashkiake.

‘Sot qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë të projektit “Për përmirësimin e sistemit shëndetësor” në vlerën 25 milionë euro. Është një projekt i cili vjen në kohën e duhur pasi ne jemi në një reformë të rëndësishme të sistemit shëndetësor. Një reformë e cila do të fillojë implementimin e saj menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit “Për kujdesin spitalor në Republikën e Shqipërisë” ku pjesë e këtij ligji është gjithashtu dhe modeli i ri i autonomisë spitalore. Një model i cili do të sjellë një përmirësim të efiçencës së shërbimeve për qytetarët dhe pacientët në spitalet tona”, tha Manastirliu.

Duke folur për investimet në Shëndetësi Manastirliu nënvizoi:  “Edhe pse në një periudhë të vështirë, tërmetit, pandemisë gjithashtu, ne nuk i kemi ndalur investimet në shëndetësi. Ne kemi bërë të mundur që të vazhdojë kantieri i shëndetësisë dhe të finalizojmë projekte të rëndësishme të infrastrukturës spitalore, sikurse Materniteti i Lezhë, Materniteti i Beratit, struktura të cilat kanë përfunduar në vitin e fundit dhe të cilat janë vënë në funksion për kujdesin e shërbimti ndaj nënës dhe fëmijës. Vijojmë projekte të rëndësishme sikurse është spitali i ri i sëmundjeve të brendshme. Kemi nisur projektin për rehabilitimin e spitalit infektiv i cili po ecën në mënyrë intensive me punimet në këtë spital. Përfunduam spitalin pediatrik fazën e parë në QSUT. Kemi përfunduar spitalin pediatrik të Durrësit. Javën tjetër çelim sërish një spital të rehabilituar me buxhetin e shtetit, spitalin pediatrik të Elbasanit’, tha Manastirliu.

Financimi shtesë në vlerën 25 milionë euro për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri, do të mundësojë përshkallëzim të mëtejshëm të aktiviteteve të projektit mëmë dhe do të sigurojë ndikim të drejtpërdrejtë tek përfituesit dhe përmirësim të mëtejshëm të ofrimit të shërbimit të kujdesit spitalor në vend. Financimi do të mbështesë më tej reformën spitalore që rrjedh nga Masterplani i Spitaleve, si një parakusht për racionalizimin e nivelit dytësor të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit dhe përmirësimit të cilësisë së spitaleve.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim në Zveçan, policia dyshon se u përdor granatë dore

Shpërthim në Zveçan, policia dyshon se u përdor granatë dore