Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale për situatën e rrugës Librazhd-Prrenjas. Duke ironizuar fjalimin e Ramës në mbledhjen e grupit të PS për raportin lidhur me rastin Balluku, të cilin e quan “marrëzi”, Blushi shkruan se ky është fokusi i kryeministrit në vend të izolimit të juglindjes së vendit. Sipas tij, rrugëdalja e vetme për të shpëtuar është shkatërrimi i regjimit.
Blushi e ka shoqëruar shkrimin e tij me pamje nga situata aktuale në vend dhe nga udhëtimi i kryeministrit me helikopterin e Forcave të Armatosura drejt Korçës e Vlorës.
“Halli i Edi Ramës dhe i Belinda Ballukut nuk është halli i shqiptarëve. Halli i vërtetë i shqiptarëve është se një e treta e vendit vijon të jetë e bllokuar prej gjashtë ditësh. Teksa juglindja mbetet e izoluar, Edi Rama shfaqet në ekran për minuta të tëra duke broçkullisur marrëzira dhe duke u shqetësuar publikisht që Belinda të mos arrestohet. Në vend të përqendrojë çdo sekondë për të zgjidhur hallin jetik të 1/3 së Shqipërisë, që ende nuk e di kur do hapet rruga, Edi Rama zgjedh, për minuta të tëra, të ndërtojë alibinë për t’i zgjidhur hallin vetes dhe Belindës. Ndërsa autoambulancat me të sëmurë, nga Korça drejt Tiranës, lëvizin nëpër shtigje të thepisura dhe qytetarët po paguajnë më shtrenjtë biletat, Edi Rama pas fluturimit me helikopter, zgjodhi sot të fluturojë me presh. E vetmja rrugë, më e shkurtër, më e shpejtë dhe më e sigurt për të shpëtuar nga kjo e keqe është shembja dhe bërja copë e thërrime të këtij regjimi, njësoj si asfalti i shkërmoqur që na la trashëgim”, thotë Blushi.
Komente









