HIMARË- Kryeministri Edi Rama i ka qëndruar besnik datës 30 qershor, duke vënë theksin se dekreti i tretë i presidenti Meta është antikushtetues, ashtu si kurse ka qenë edhe zhdekretimi i datës së parë. Nga Himara, ndalesa e parafundit e takimeve elektorale, kreu i qeverisë ka deklaruar se 30 qershorin "nuk e luan as topi", teksa ftoi qytetarët që t'u drejtohen qendrave të votimit ditën e dielë.

"Hazhi Qametaj s'di se çfarë bën me dekretet e tij, s'di çfarë vulos. Janë vulat e panikut, e dëshpërimit dhe të grahmave të fundit të një revolucioni imagjinar që që nga dje e ka selinë në Presidencë", tha Rama. 

Ai i ka kthyer edhe përgjigje letrës që kreu i shtetit i dërgoi mbrëmjen e djeshme. "Letër dashurie" dhe "dashuri me kode" e cilësoi Rama mesazhin e Metës, duke thënë se iu duk e çuditshme për kohën kur mbërriti kjo letër, pak pasi u dogj KZAZ-ja në Bushat. Ai thotë se ky është "mesazh i koduar" për t'i thënë zmbrapsu, "ose shiko se ça po ndodhë".

"30 qershori jua kam thënë është të dielën dhe nuk e luan as topi dhe jo më ta luaj filxhani ku Monika ka zhytur gjithë opozitën. Babaxhikja që më kishte çuar dhe një letër mbrëmë, një letër dashuri,që çuditërisht e çoi pasi u dogj KZAZ, "reflekto Edi se e sheh ça po ndodh", tha Rama.

Në fund i ka kthyer përgjigje opozitës, që e kanë akuzuar se është pikërisht ai që ka orkestruar sulmin e KZAZ-së së Bushatit, akuzë që Rama e cilësoi si absurde.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:09
Rama-Metës: Ha paçe me Fahriun dhe kafen merre kokërr deri në 30 qershor, se 'iku ajo punë' (VIDEO)

Duke sjellë në vëmendje ftesën e bërë nga Meta se do ta priste nga ora 05:00-13:00 në Presidencë për të diskutuar krizën politike, Rama e kaloi me batutë dhe ironi.

”Ai i 5-s së mëngjesit nuk është se u zgjua në atë orë, ai nuk ka fjetur fare dhe kur nuk fle, ta dini ju, ai ha paçe me Fahri Balliun. U bë presidenca si pica telefon 24 orë, o zot. Ha paçe Ilir me Fahriun dhe kafen turke merre kokërr deri të dielën se iku kjo punë, 30 qershori është aty është i popullit jo i partive”-tha ai, duke shtuar se “kjo që po i ndodh vendit është e dhimbshme, por njerëzit duhet të gjejnë kurajën edhe të qeshin ndonjëherë”, tha Rama. 

Ora 11:10
E akuzojnë se i organizoi sulmin e KZAZ-së në Bushat, Rama i përgjigjet PD-së (VIDEO)

Nga Himara, kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të bëra dje nga opozita, sipas të cilëve ka qenë pikërisht ai që ka orkestruar sulmin në KZAZ-në e Bushatit.

"Lere kur thonë, organizuam sulmin mbi policinë, bashkë me policinë. Nuk kanë faj se disa herë ia kanë dalë të shpëtojnë, por 30 qershori është dita e fundit e kësaj politike maskaradë, që dalin rrugëve"tha Rama.

Ora 11:06
Rama i përgjigjet letrës së Metës: Dashuri me kode që çuditërisht erdhi pasi u dogj KZAZ-ja në Bushat (VIDEO)

Rama i është përgjigjur letrës së bërë dje nga presidenti Ilir Meta, ku i kërkonte të reflektonte.

"30 qershori jua kam thënë është të dielën dhe nuk e luan as topi dhe jo më ta luaj filxhani ku Monika ka zhytur gjithë opozitën. Babaxhikja që më kishte çuar dhe një letër mbrëmë, një letër dashuri,që çuditërisht e çaoi pasi u dogj KZAZ, "reflekto Edi se e sheh ça po ndodh", tha Rama.