Trembëdhjetë vende të Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të rishikojë legjislacionin ekzistues, të heqë rregullat që nuk sjellin më vlerë dhe të ulë barrën burokratike për bizneset.

Austria, Çekia, Danimarka, Gjermania, Estonia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Sllovenia dhe Sllovakia kanë firmosur një dokument të përbashkët, ku kërkojnë një rishikim sektor pas sektori të ligjeve europiane për të përcaktuar nëse ato duhen mbajtur, përditësuar apo shfuqizuar.

Sipas dokumentit, legjislacioni i Bashkimit Evropian nuk duhet të jetë qëllim në vetvete dhe shmangia e mbirregullimit duhet të jetë një nga parimet kryesore gjatë hartimit të ligjeve të reja. Nisma synon të kufizojë krijimin e barrëve të reja administrative dhe ta bëjë ekonominë europiane më konkurruese.

Dokumenti u shpërnda përpara krijimit të një aleance të re për uljen e barrës burokratike, e cila synon të bashkojë vendet anëtare që mbështesin thjeshtimin e rregullave si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë europian.

Nisma shkon një hap më tej edhe se përpjekjet e deritanishme të Komisionit Evropian për thjeshtimin e rregullave. Trembëdhjetë vendet kërkojnë që çdo ligj i ri i BE-së të vlerësohet edhe për ndikimin që ka te konkurrueshmëria e ekonomisë dhe të miratohet vetëm kur objektivat nuk mund të arrihen nga vetë shtetet anëtare.

Po ashtu propozohet shpallja e një "Viti Evropian të Zbatimit dhe Konsolidimit", gjatë të cilit fokusi të jetë te zbatimi i ligjeve ekzistuese, thjeshtimi i tyre, ulja e detyrimeve të dyfishta të raportimit dhe ndryshimet e domosdoshme ligjore.

Sipas propozimit, çdo detyrim i ri për raportim apo pajtueshmëri duhet të paraprihet nga një rishikim i detyrimeve ekzistuese në të njëjtën fushë, me synimin për t'i bashkuar, thjeshtuar ose shfuqizuar ato. Gjithashtu, çdo ligj i ri duhet të ketë një klauzolë rishikimi të detyrueshme të paktën çdo pesë vjet, për të vlerësuar nëse i ka arritur objektivat për të cilat është miratuar.

Sipas 13 vendeve nënshkruese, qëllimi është një legjislacion europian më i thjeshtë, më i parashikueshëm dhe më i favorshëm për investimet, inovacionin dhe rritjen e bizneseve, pa cenuar standardet aktuale për shëndetin, sigurinë dhe mbrojtjen e punëtorëve.