Alban Xhaferi mund të rikthehet në stadium për Vllazninë pas 8 ndeshjes. Presidenti i klubit shkodran u dënua me 15 ndeshje përjashtim nga Komisioni i Disiplinës pasi goditi me grusht arbitrin e katërt Ergys Spahiu pas ndeshjes Elbasani-Vllaznia.
Edhe pse kërkoi falje Xhaferi do të duhet të shlyejë të paktën gjysmën e dënimit. Sipas rregullores së futbollit, në rast se Komisioni i Apelit nuk e zhbën dënimin, Xhaferit i lind e drejtë që pas 8 ndeshjesh të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit me gjobën prej prej 700 mijë lekësh. Konkretisht rikthimi do të jetë i mundur në javën e 11-të kur Vllaznia pret Elbasanin në stadiumin “Loro Boriçi”. Sfidë e cila do të luhet në fillimin e muajit nëntor kur Xhaferi do të kishte mbushur dy muaj jashtë stadiumeve.
Për ndeshjen në Elbasan Arena e ka pësuar edhe trajneri Edi Martini, i cili gjithashtu është pezulluar me 6 ndeshje. Sipas komisionit të disiplinës trajneri ka shkelur rregullat themelore të sjelljes së mirë, duke vënë në dyshim vërtetësinë e gjyqtarëve dhe VAR-it si dhe ka bërë sjellje jo sportive ndaj arbitrave.
Me dy ndeshje është pezulluar edhe trajneri i Dinamos Ilir Daja për shkak të sjelljes jo të mirë ndaj arbitrave, ndërsa Tirana këtë fundjavë do të luajë ndeshjen e parë në shtëpinë e saj në ‘Selman Stërmasi’ pas 2 humbjeve që rendisin në vendin e fundit. Megjithatë të dielën në orën 16:00 kundër Vorës Tirana do të zbresë në fushë pa praninë e tifozëve, pasi është e dënuar nga disiplina me 2 ndeshje për shkak të trazirave në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar kundër Elbasanit.










Komente
Komento