Pesëmbëdhjetë vjet pas ngjarjes së rëndë të 21 janarit 2011, ku katër protestues të paarmatosur u vranë para Kryeministrisë, sytë mbeten nga Prokuroria e Posaçme, me shpresën se hetimet e nisura prej saj do të mund të bëjnë drejtësi. Ekspertiza nga laboratorë të huaj të një regjistrimi audio me urdhrat e drejtuesve të Gardës për përdorimin e fishekëve luftarakë, dhe të  plumbit që qëlloi në kokë Aleks Nikën, mund të shënojnë një pikë kthese, për ngjarjen, hetimet për të cilën që në krye të herës, siç e vuri në dukje dhe Gjykata europiane për të Drejtat e Njeriut, u tentuan të pengoheshin ose devijoheshin nga autoritetet e kohës.

Për vrasjet e katër qytetarëve të pafajshëm, poshtë zyrës së tij, edhe sot e kësaj dite ish kryeministri Sali Berisha, nuk ka shfaqur qoftë edhe minimumin e pendesës. Përkundrazi, pasi për herë të parë u mor në pyetje për ngjarjen, vetëm dy muaj më parë, ai sërish nuk hezitoi të deklaronte se “kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme”.

Procedimi penal u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në zbatim të vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila më 14 nëntor 2023 konstatoi shkelje të rënda nga shteti shqiptar dhe kërkoi një hetim të plotë, efektiv dhe të pavarur për vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë.

Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të radhës për të zvarritur dëshminë e tij, duke luajtur me faktin se nuk kishte marrë asnjë kërkesë, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, më 19 nëntor të vitit të kaluar. Ai nuk dha asnjë detaj mbi pyetjet që i ishin drejtuar, por u zu ngushtë kur gazetarët e pyetën për fshirjen e serverave të kryeministrisë, duke ofruar një variant të rremë. “Kryeministria nuk ka patur si kryeministri asnjë lloj serveri për vëzhgimin. Nëse Garda ka patur serverin aty, është punë tjetër”, tha ai, ndonëse punonjësi i IT, që kishte në dorë serverat, të cilët dhe u fshinë, ishte në organigramën e Këshillit të ministrave. Ai vetë në atë kohë kishte pohuar gjatë një mbledhjeje qeverie, pak ditë pas vrasjeve, se ekzistonte një sistem kamerash sigurie që kishte regjistruar ngjarjet gjatë protestës

Në kuadër të hetimit janë pyetur edhe drejtues të zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, mes tyre ish-drejtori i Policisë Hysni Burgaj, ish-zëvendësi i tij Agron Kuliçaj. Më herët, SPAK ka marrë dëshmi edhe nga organizatorët e protestës dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë  Saimir Tahirin,  ish deputetin Arben Çuko dhe Xhemal Qefalinë.

Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës. Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.

SPAK ka bërë të ditur se laboratorët kriminalistikë në Shqipëri nuk kanë kapacitete teknike për ekspertimin e plotë të kësaj prove, ndaj audio-regjistrimi është dërguar për ekspertizë në laboratorë jashtë vendit. Paralelisht, prokuroria u ka kërkuar familjarëve të Aleks Nikës të sqarojnë mënyrën se si është siguruar regjistrimi,  të dorëzojnë pajisjen origjinale me të cilën është realizuar, si dhe të tregojnë burimin se kush ua kishte dhënë  audion

Prej dy vitesh, ndërsa çështja e vrasjes së Aleks Nikës, ishte në duart e Prokurorisë së Tiranës, plumbi që i mori jetën, në anën tjetër të bulevardit, larg godinës së qeverisë, është dërguar në Itali për ekspertizë.

Ndërkohë, SPAK po punon edhe me prova shkresore dhe dëshmi të tjera, për të verifikuar nëse ka pasur një urdhër politik për kalimin nga plumbat manovër në plumba luftarakë dhe nëse pas ngjarjes ka pasur veprime të qëllimshme për pengimin dhe devijimin e hetimeve, siç dhe Gjykata europiane dyshon hapur se ka ndodhur.

Procedimi penal aktualisht është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. Megjithatë, burime nga hetimi bëjnë me dije se nëse provohet se urdhri për përdorimin e armëve të zjarrit ka ardhur nga nivelet më të larta të qeverisë së asaj kohe, përgjegjësia penale do të shtrihet për të gjitha jetët e humbura më 21 janar 2011.

Familjarët e viktimave kanë deklaruar se presin nga SPAK zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e urdhëruesve dhe zbatuesve të vrasjeve, duke e konsideruar hetimin aktual si shansin e fundit për drejtësi.

Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga episodet më të rënda në historinë e tranzicionit shqiptar. Në vitin 2013, drejtësia shqiptare dënoi vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe ish përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo për vrasje nga pakujdesia, me dënime minimale. Vendimi unanim i Gjykatës së Strasburgut që rihapi dosjen, e ka vendosur theksin tek përgjegjësia e urdhëruesve dhe detyrimin e shtetit shqiptar për të garantuar drejtësi.