GJIROKASTËR- Organizimet e Bashkisë së Gjirokastrës në kuadër të 16-vjetorit të përfshirjes së qytetit të gurtë në UNESCO kulmuan mbrëmjen e djeshme me një aktivitet të zhvilluar në kalanë e Argjirose. Të pranishëm kanë qenë ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik të disa vendeve të BE-së, drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, etj.
Kryebashkiaku Flamur Golemi i dorëzoi edhe “Çelësin e qytetit”, ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Për ambasadorin Soreca, qyteti i Gjirokastrës përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore botërore, ndërsa Shqipëria në tërësi spikat për monumentet e kulturës. Ai pohoi se së shpejti BE do të nisi një projekt për ndërhyrjet restauruese në vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qyteti i parë në të cilin do të prezantohet ai është Gjirokastra.
"Kam ndaluar në Gjirokastër gjatë turit tonë nga veriu i Shqipërisë në jugun e saj. Jam shumë i lumtur të jem përsëri këtu në këtë ditë simbolike për të festuar 16-vjetorin e futjes së Gjirokastrës në UNESCO. UNESCO dhe trashgëmia botërore e saj është mjaft prestigjoze. Qytetarët e Gjirokastrës duhet të jenë tepër të nderuar për këtë. Në vitet e fundit është bërë mjaft punë për të nxjerrë në pah bukuritë e këtij qyteti. Urime për Bashkinë e qytetit por dhe institucionet qeveritare dhe donatorët. Falë kësaj punë të përbashkët Gjirokastra është bërë një yll mjaft i rëndësishëm në të gjithë punët që janë bërë në Shqipëri. Të qenurit pjesë e UNESCO është një aset mjaft i rëndësishëm. Trashëgimia Kulturore është një vlerë e rëndësishme për e Bashkimit Evropian. Ne ruajmë të kaluarën tonë për të ndërtuar së bashku të ardhmen tonë! Bashkimit Evropian është këtu sepse Gjirokastra është Evropë", u shpreh Soreca.
Përgjatë këtij aktiviteti iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” edhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli për punën dhe kontributin e dhënë për rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të Gjirokastrës.