TIRANE- Nëse keni vendosur që të nxiheni në bregdetin shqiptar, atëherë duhet të tregoni kujdes për plazhet në të cilat do të laheni. Sipas raportit të fundit të ministrisë së Mjedisit, që kanë monitoruar cilësinë e ujërave në të cilat lahen shqiptarët, më të pastërtit, pa ngarkesë mikrobike mbeten ata të Jugut. Pavarësisht nismave të shumta për pastrimin e bregdetit, edhe për këtë vit plazhet ideale ku mund të laheni pa patur frikë se mund të merrni ndonjë infeksion, mbeten Himara, Dhërmiu, Borshi, Saranda dhe Ksamili. Plazhe të pastërta, por jo rërë të pastër, gjen edhe në Veri të vendit, por duhet ta njohësh mirë zonën. Por sipas specialistëve, problemi qëndron tek plazhet e Durrësit, Kavajës dhe plazhin e vjetër të Vlorës, madje edhe Velipoja ku situata vazhdon të jetë alarmante, pasi derdhen të gjithë ujërat e zeza të zonës. Rezultatet kanë dalë pas një monitorimi një vjeçar nga agjencitë e mjedisit, ministria e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik, në të gjithë bregdetin, ku në bazë të matjeve përcaktohet niveli i ndotjes me fekale i ujërave nëpërmjet prezencës së dy mikroorganizmave indikatorë që janë: koliformet fekale dhe enterokokut intestinal. Nga 70 stacione të monitoruara në 17 prej tyre, ekspertët e mjedisit rekomandojnë që të ndalohet rreptësisht larja, ndërsa rrezet mund t'i merrni pa frikë në 39 prej të tjera tyre që kanë ujëra të një cilësie shumë të lartë.

PLAZHI I VELIPOJES
Sipas raportit plazhi i Velipojës është plazhi më i madh i zonës veriore të vendit, i cili vitet e fundit është zgjeruar së tepërmi. Nga rezultatet e përftuara nga llogaritja e 95% të IE dhe FC, vetëm 14% e tyre janë në kategorinë A (cilësia shumë e mirë), 43% janë kategoria B (cilësi e mirë) dhe 43% kategoria C (mjaftueshëm), në krahasim me vitin 2009 ku cilësia e ujërave në të gjithë stacionet ishin kategoria A dhe B. "Pra gjatë vitit 2010 vihet re një keqësim i rezultateve të analizave të ujërave. Vlerësojmë se edhe mbeturinat e ngurta që vazhdimisht gjendeshin mbi sipërfaqen e rërës kanë ndikuar negativisht në nivelin e ndotjes", - shpjegojnë ekspertët e mjedisit në raport.
PLAZHI I SHENGJINIT
Ujërat urbane të Shëngjinit derdhen në lagunën e Kënallës dhe nuk ndikojnë në ndotjen e plazhit të Shëngjinit, sidoqoftë shtimi i ndërtimeve mund të ketë impakt negativ për sa i përket ndotjes së plazhit. "Gjatë vitit 2010 ndonëse rezultatet e analizave e klasifikojnë këtë plazh në kategorinë A, 60% dhe në kategorinë B, 40%, në krahasim me vitin 2009 kemi një rënie të lehtë nga klasifikimi në kategorinë A. Sidoqoftë rezultatet e analizave të kryera janë brenda normave të rekomanduara, por duhet theksuar se në mjediset e plazhit gjenden mbeturina të shumta jashtë kushteve higjieno-sanitare", - mendojnë specialistët që kanë monitoruar cilësinë e ujrave.
PLAZHI I DURRESIT
Nga përpunimi i rezultateve të analizave të kryera në plazhin e Durrësit, rezulton si plazhi më i ndotur. "85% e rezultateve e klasifikojnë këtë plazh në kategorinë D, shumë të ndotur, ku duhet të merren masa urgjente për përmirësimin e situatës. 14% në kategorinë C, cilësi e mjaftueshme, dhe vetëm 4 % në kategorinë B, cilësi e mirë. Madje jemi të mendimit që në disa zona duhet të vendosen tabela ndaluese për larjen e pushuesve sepse rezultatet janë alarmante. Ky vlerësim kërkon marrjen e masave urgjente për përmirësimin e gjendjes pasi risku për shëndetin publik është shumë i lartë", - shkruhet në këtë raport për plazhin më të madh të vendit, atë të Durrësit.
PLAZHI I KAVAJES
"Plazhi i Kavajës monitorohet nga përroi i Agait (Giardino, Mali i Robit deri në zonën e fshatit Qerret) në 10 stacione kampionimi. Nga përpunimi i të dhënave rezulton se plazhi i Kavajës është plazhi më i ndotur pas plazhit të Durrësit. 70% e rezultateve të analizave e klasifikojnë plazhin e Kavajës në kategorinë D, shumë të ndotur, ku duhet të merren masa urgjente për përmirësimin e situatës, dhe 30% në kategorinë B, cilësi e mirë. Më i ndotur paraqitet plazhi i Golemit stacionet 1, 2, 3 dhe 4. Me ngarkesë jo shumë të lartë paraqitet zona e Mak Albanias, ndërsa në zonën e Malit të Robit e deri në Qerret vihet re një rritje e ngarkesë bakteriale në krahasim me vitin 2009. Kjo si rezultat i shkarkimeve të pakontrolluara të ujërave të zeza. Zona e malit të Robit gjatë 2 viteve të fundit, si rezultat i shtimit të numrit të pushuesve paraqet edhe një ndotje urbane të konsiderueshme nga mbeturinat e ngurta. Në zonën e plazhit të Golemit duhet të merren masa urgjente sepse gjendja është alarmante ose në të kundërt duhet të vendosen tabela ndaluese për larjen e pushuesve. Një ndikim negativ kanë shkarkimet e pakontrolluara të ndërtimeve të shumta të kësaj zone që nuk kanë kanalizime, vetëm gropa septike, të cilat nuk e përballojnë sasinë e madhe të ujërave nga numri i madh i pushuesve duke u derdhur direkt në mënyrë të pakontrolluar në det", - rekomandojnë ekspertët për një tjetër plazh mjaft të frekuentuar.
PLAZHET E VLORES
"Nga rezultatet e përftuara në plazhet e Vlorës vihet re se, zona e bregdetit në plazhin e vjetër deri në plazhin e ri ka një ndotje tepër të lartë, stacionet 1, 2, 3 dhe 4 (37% kategoria D- cilësi e keqe masa urgjente) shumë herë mbi normat e rekomanduara dhe gjendja është shumë alarmante. "Zona Skelë deri tek Plazhi i Ri duhet që të ndalohet për larje sepse përbën rrezik të lartë për shëndetin e popullatës, deri sa të merren masa për rregullimin e gjendjes. Pjesa tjetër e stacioneve të monitorimit pas tunelit 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 (ish-vilat - Orikum) deri në zonën e plazhit të Orikumit rezultojnë 63% kategoria A, cilësi shumë e mirë", - citon raporti.
PLAZHET E SARANDES
Nga rezultatet e analizave të kryera në plazhin e Sarandës, 50% e tyre klasifikohen në kategorinë A, cilësi shumë e mirë, 17% cilësi e mirë dhe 33% D, cilësi e mjaftueshme (stacioni i monitorimit kanali i Çukës si dhe stacioni 3 në qendër). Rezultatet e analizave të përftuara dalin mbi normat e rekomanduara si rezultat i shkarkimit të ujërave urbane të qytetit të Sarandës. Në kanalin e Çukës duhet të vihen tabela ndaluese pasi shkarkohen ujërat e zeza të qytetit të Sarandës.
MATJET
Specialistët që kanë përgatitur këtë raport thonë se gjatë viteve të fundit me fondet e Bankës Botërore janë planifikuar dhe janë në ndërtim veprat e trajtimit të ujërave të përdorura në qytetet kryesore bregdetare Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Aktualisht është vënë në funksionim impianti i trajtimit të ujërave urbane të qytetit të Kavajës në fshatin Qerret. Sipas tyre krahasimi i rezultateve është bërë vetëm me vitet 2009-2010 pasi që nga viti 2009 janë vendosur standarde të reja për vlerësimin e cilësisë së ujërave të larjes dhe nuk mund të krahasohen me ato të viteve të mëparshme. Ata shpjegojnë se nga krahasimi i rezultateve vërehet një përmirësim cilësor në cilësinë e ujërave të larjes. "Kemi rritje të numrit të stacioneve që plotësojnë cilësinë e kategorisë shumë të mirë nga 27 në vitin 2009 në 39 në vitin 2010; me 3 stacione të cilësisë së mirë, ulje me 1 stacion të cilësisë jo të mirë dhe ulje me 18% ose 13 stacione të cilësisë shumë të keqe. Raporti i fundit i monitorimit të mjedisit në vendin tonë, është publikuar në fletoren zyrtare të datës 23 mars.
REKOMANDIMET
Plazhet me cilësinë më të mirë të ujërave të larjes janë plazhi i Dhërmiut, Borshit, Himarës dhe Shëngjinit, plazhe ku cilësia e ujërave të larjes klasifikohet në kategorinë A - Shumë e mirë dhe B - e mirë. Nga 70 stacione monitorimi 36 stacione janë të cilësisë A (Exelent quality); 13 stacione janë të cilësisë B (good quality); 4 stacione janë të cilësisë C (sufficient quality) dhe 17 stacione të cilësisë D (Poor quality- Immediat Action). Në raport thuhet se faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare të larjes, janë shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare direkt ose indirekt si dhe ndotja nga vetë pushuesit sidomos në zonat ku numri i tyre është i lartë (plazhi i Durrësit, plazhi i Kavajës). Në këtë raport specialistët kanë dhënë edhe disa rekomandime. Sipas tyre duhet të merren masa urgjente për vendosjen e tabelave ndaluese në zonat ku ndotja e ujërave bregdetare është shumë e lartë, për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme infektive (plazhi i Durrësit, plazhi i Kavajës- Golem, Plazhi i Vlorës, plazhi i Vjetër, shkolla e Marinës, Plazhi i Ri, plazhi i Sarandës, kanali i Çukës). Gjithashtu ata rekomandojnë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të përdorura në zonat bregdetare për pakësimin e ndotjes nga shkarkimet urbane të patrajtuara; marrjen e masave urgjente për sistemimin dhe pastrimin e kanaleve të ujërave të larta si dhe pastrimin e plazheve nga mbeturinat e ngurta urbane si dhe përfshirjen në skemën e monitorimit e të gjithë bregdetit të vendit. Matjet që kanë shërbyer për të nxjerrë këto të dhëna janë pbërë përgjatë gjithë vitit 2010, por raporti është miratuar vetëm gjatë muajit mars në mbledhjen e qeverisë.
(sg/shqiptarja.com)