18 vite më parë, më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në një mbledhje të jashtëzakonshme, me bekimin ndërkombëtar, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ky 17 shkurt, i 18-i si shtet i pavarur, e gjen Kosovën, me sfidën e gjyqit në Hagë për 4 ish krerët e UÇK-së që luftuan për ta parë vendin të lirë. Ndaj, monumenti ikonik “Newborn” që u ngrit ditën kur Kosova shpalli pavarësinë, këtë vit, mori një pamje krejt tjetër dhe u vesh me 500 emblema të UÇK-së.
Këtë 17 shkurt, festimet në Prishtinë nisën me ngritjen e Flamurit të Kosovës në oborrin e Qeverisë. Aktakuza e rëndë e Hagës ndaj luftës së Kosovës, ishte kryefjalë e mesazheve në seancën solemne në Kuvend.
“UÇK është ideali më i madh që ka nderuar shqiptaret ndër shekuj. Lufta ishte gjithnjë e drejtë, e pastër e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur apo relativizuar viktimën me agresorin, është e padrejtë dhe historikisht e pavërtetë. Ta ruajmë Kosovën si amanetin tonë”, tha Osmani.
“Ne nuk mund të lëshojmë pe, se nuk bëjmë kompromis me lirinë dhe zhvillimin. Krerët e UÇK po akuzohen padrejtësisht se guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Hagës për krime kundër njerëzimi nuk qëndrojnë, nuk marri parasysh kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare. Krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve ka kryer Serbia e Millosheviç, kërcim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiç, barazimi i krerëve të UÇK-së me një regjim gjenocidal është i papranueshëm. Sot serbia merr eurot nga BE dhe orientimin nga Kremlini”, tha Albin Kurti.
Në seancën solemne i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj që tha se akuzat mbi liderët e UÇK-së janë të montuara, ndërsa udhëheqjes së Kosovës i kërkoi të përballojnë me mençuri sfidat e dialogut dhe integrimit.
“Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit dhe bashkë luftëtarëve të tyre. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen me akuza të montuara duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ne jemi një komb, Shqipëria është shtëpia juaj, Kosova është shpirti ynë”, tha Bajram Begaj.
Homazhe u mbajtën edhe në Memorialin e familjes Jashari në Prekaz. Që prej 2008, shtetësia e Kosovës njihet nga 121 vende të botës, por sfidë ende përbën mungesa e njohjeve nga disa vende të NATO-s dhe të bllokut evropian.

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë për 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka ndarë fotografi nga takimi, Presidentja Osmani ka falënderuar Begajn që ka qenë gjithnjë krah Kosovës.
“18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës na bëri bashkë me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në një atmosferë festive.
Faleminderit që jeni gjithnjë pranë Kosovës dhe qytetarëve tanë, Zoti President!”, ka shkruar Osmani.
Trupat e Ushtrisë së Kosovës, efektivët e Policisë dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës parakaluan sot plot krenari dhe nder në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, duke shënuar18-vjetorin e Pavarësisë.
Të rreshtuar në formacion, me uniforma ceremoniale dhe armatim në duar, ushtarët dhe policët marshuan para qytetarëve që ishin mbledhur përgjatë bulevardit pavarësisht motit të keq.
Fotografitë nga parada janë realizuar nga fotoreporteri i gazetës Koha në Prishtinë Driton Paçarada.
Ora shënonte 15:39. Ishte 17 Shkurti i vitit 2008. Në atë moment, në sallën e Kuvendit në Prishtinë, Hashim Thaçi lexoi fjalët që ndryshuan historinë e Kosovës.
Në seancë morën pjesë 109 nga 120 deputetë. Para tyre dhe para gjithë shqiptarëve, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratë.
Ai moment, i fiksuar në orën 15:39, mbetet një nga çastet më të forta dhe më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës.
Përpara çeljes së paradës së njësive të sigurisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se liria e Kosovës nuk nisi 18 vite më parë, por u ngjiz shumë më herët. Ai shprehu nderimin ndaj veteranëve dhe të rënëve të luftës, ndërsa shtoi se në një ditë feste, nuk mbyllen sytë para padrejtësive.
Kurti nënvizoi besimin te drejtësia, por mbajti qëndrimin se nuk mund të pranohet të rishkruhet historia e një lufte të kulluar dhe clirimtare.
"Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Europës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vjetësh.
Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e parreshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike.
Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë", tha Kurti.
Në nisje të paradës të Forcave të Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani mbajti një fjalë duke i paraprirë marshimit qytetar që do të pasojë në orën 14:00. “Një histori e shkruar me gjak nuk mund të fshihet e shtrembërohet”, tha Osmani teksa shprehu mbështetje të plotë kundrejt protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Si presidente e Republikës së Kosovës, i jap mbështetje të fuqishme këtij marshi sepse qytetarët tanë nuk kërkojnë asgjë tjetër veç drejtësisë. Qytetarët tanë e dinë mirë se mbrojtja e luftës sonë çlirimtare është mbrojtje e vetë shtetit të Kosovës, sepse e dinë mirë se UÇK-ja është betimi i përgjakur i popullit tonë nga i cili nuk do të heqim dorë asnjëherë”, tha presidentja.
Ajo shtoi se sot Kosova është e gatshme të mirëpresë përgjegjësi dhe të anëtarësohet në NATO.
“Sot Kosova po ndërton kapacitetet e saj të mbrojtjes me përgjegjësi dhe vizion. Sot, trashëgimtarët e UÇK-së, Forca jonë e Sigurisë dhe Policia e Kosovës po na bëjnë çdo ditë krenarë. Ata po dëshmojnë se Kosova është gati për NATO-n. Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë janë dëshmi se ky shtet ka bij e bija të gatshëm t’i shërbejnë atdheut me nder, përkushtim dhe të kontribuojnë në paqen globale. Sot Kosova është më e fortë, më e përgatitur se kurrë, sot Kosova është më e vendosur se çdo herë për të ecur ëprpara pavarësisht sfidave”, tha presidentja, duke shtuar edhe një fjalë për të rinjtë e vendit: “Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju”.

Kjo është Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, dokumenti që u lexua dhe u nënshkrua më 17 shkurt 2008 në Prishtinë, duke shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Në këtë tekst historik, udhëheqësit e zgjedhur të vendit shpallën Kosovën republikë demokratike, laike dhe multietnike, me zotimin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë para ligjit.
Dokumenti përfshin angazhimin për zbatimin e Planit të Ahtisaarit, respektimin e obligimeve ndërkombëtare dhe synimin për integrim në Bashkimin Europian dhe strukturat euroatlantike.
Sot, 18 vite më pas, kjo deklaratë mbetet akti themelues i shtetësisë së Kosovës.
Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë nisur paradën në Prishtinë pas përfundimit të fjalës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Mesazhet janë të qarta: qytetarët mbështesin fuqishëm ish-krerët e UÇK-së sepse ajo që po ndodh në Hagë ështrë tronditëse dhe pretenca është parë si zhbërje e luftës për lirisë që shqiptarët e Kosovës kanë pasur me mekanizmin simbolik të UÇK-së.
Parakalimi i njësive të organeve të sigurisë bëhet në mënyrë madhështore, në çdo përvjetor të shtetësisë së Kosovës. Veç trupave të sigurisë, parakalojnë edhe mjetet ushtarake.
Kosova feston 18-vjetorin dhe dita e sotme parashikohet të jetë një axhendë e ngjeshur me aktivitete. Report TV ndodhet sot në Kosovë për të ndjekur gjithçka po ndodh dhe përcjellë zhvillimet në kohë reale.
Gazetari Arlind Isa, raporton nga Memoriali i familjes Jashari në Prekaz se atje kanë nisur homazhet që prej orëve të para të mëngjesit. Në këtë memorial, ku prehen 59 anëtarët e familjes Jashari të vrarë në përpjekje kundër forcave serbe, kanë ardhur figura politike, qytetarë e veteranë për të bërë nderimet e tyre.
Veteranët u janë drejtuar edhe shtëpive të vjetra të familjes, teksa mbizotëron një atmosferë solemne.
Pas kësaj, do të jetë parada ushtarake e Forcave të Sigurisë së Kosovës, por vëmendja më e madhe mbetet te protesta e lajmëruar në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Protesta është një shprehje e fortë revolte ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit me 45 vite burg secilit. Sipas gazetarit, priten të jenë të pranishëm rreth 200-250 mijë njerëz.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne për 18-vjetorin e pavarësisë tha se liderët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm përse guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal. Kurti theksoi se akuzat për krime lufte nuk qëndrojnë, por se ishte Serbia e Millosheviç ajo që kreu krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve. Kryeministri i Kosovës shtoi se Serbia e Aleksandër Vuçiç është ajo që ende kërcënon me krime kundër njerëzimit.
“Me shpalljen e pavarësisë u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në dhe Europë. Sot është ditë përkujtimi për ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka për Kosovën. Aktivistët dhe luftëtarët së paku që nga 1968 dhe këtej, nuk kanë pasur të njëjtin përfytyrim e vizon se si do ishte republike, pro ata kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika është shprehje e sovranitetit. Ne nuk mund të lëshojmë pe, se nuk bëjmë kompromis me lirinë dhe zhvillimin. Pa sakrificën e tyre s’do ta kishim shtetin dhe ata na frymëzojnë për ta forcuar edhe më shumë. Kujtojmë qëndresën e 1990, përkulemi para dëshmorëve dhe përpiqemi që ta ruajmë dhe të lartojmë republikën tonë edhe në emër të tyre. Krerët e UÇK po akuzohen padrejtësisht se guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Hagës për krime kundër njerëzimi nuk qëndrojnë, nuk marri parasysh kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare. Krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve ka kryer Serbia e Millosheviç, kërcim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiç, barazimi i krerëve të UÇK-së me një regjim gjenocidal është i papranueshëm”, tha Kurti.
Kurti e mbylli fjalimin e tij duke thënë se “sakrifica për liri ka qenë e përkryer, puna jonë për Republikën duhet të jetë po aq e përkryer.”
Shqipëria është krah Kosovës. Ky ishte mesazhi që përcolli presidenti Bajram Begaj gjatë senacës solemne në Kuvendin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë. Begaj tha se lufta ish-krerët e UÇK-së, për të cilët Prokuroria e Hagës ka kërkuar 180 vite burg, po përballen me akuza të montuara. Begaj bëri thirrje që të hiqen sanksionet e BE ndaj Kosovës, ndërsa shtoi se Shqipëria do jetë “jetë e mot me Kosovën”. “Ne jemi një komb, Shqipëria është shtëpia juaj, Kosova është shpirti ynë.”, theksoi Begaj.
“Kënaqësi të jem në këtë solemnitet të Kuvendit të Kosovës. Ju uroj gëzuar ditën e pavarësisë, çdo shqiptar, kudo ndodhet, çdo familje shqiptare, sot ndihet pjesë e festës, gëzimit, urimit dhe krenarisë. Sot është ditë e madhe, sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, shtet sovran, sot është vendi ku liria frymëzon. Kosova është shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella kontributesh e sakrificash. Ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, pa harruar themelet me të cilat u ndërtuar, intelektualët dhe luftëtarët. Luftuan me sukës për ideale të mëdha, lirinë, të drejtat e tyre, identitetin kombëtar shqiptar dhe mbijetesën. Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm. Kosova ishte me fat që i pati, i rriti i besoi, dhe i mban siç e meritojnë, simbole frymëzuese të Republikës së Kosovës. Kosova është histori që bën krenar kombin tonë dhe ata që luftuan, por edhe miqtë e partnerët tanë strategjikë, sidomos SHBA dhe bashkësinë perëndimore. Për herë të parë, NATO përdori nenin e angazhimit duke parandaluar katastrofën humanitare, gjenocidin dhe dëbimin kolektiv të qytetarëve të Kosovës, duke mundësuar rikthimin në tokën e tyre, në familjen e vlerave europiane. Zërat tona janë me dëshmorët e lirisë, por sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit dhe bashkë luftëtarëve të tyre. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen me akuza të montuara duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. UCK që mori armët për të kërkuar lirinë, do jenë simbole të lirisë. E vërteta nuk mund të tjetërsohet, historia nuk mund të rishkruhet, sepse liria ka emër, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Shqipëria është me UÇK, qytetarët e Kosovës. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën. Ne jemi një komb, Shqipëria është shtëpia juaj, Kosova është shpirti ynë. Bashkëpunimi ynë nuk është zgjedhje politike, por detyrim i yni ndaj brezave, Shqipëria dhe Kosova ecin krah përkrah drejt një hapësire ku vlerat e demokracisë dhe paqes janë të pacenueshme. Ky 18-vjetor na rikujton se do jemi bashkë edhe në tryezat e Brukselit për të dëshmuar se shpirti i shqiptarit ka qenë dhe do të mbetet euroatlantik”, tha Begaj.
Në fjalën e saj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, presidentja Vjosa Osmani nënvizoi se historia nuk mund të rishkruhet mbi sakrificat që janë bërë në emër të lirisë.
Osmani falënderoi çdokënd, përfshirë shtetet që kanë mbështetur Kosovën në rrugën drejt lirisë, teksa shpalosi sfidat që e presin vendin në vijim.
“Kosova u bë shtet për të mbrojtur të vërtetën dhe mos të lejuar kurrë që historia të reishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka. Populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka, deri edhe fëmijët në djep në mënyrë që sot ta gëzojmë lirinë, ndaj nuk do ta pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për liri. Rruga e Kosovës drejt lirisë ka qenë një rrugëtim i gjatë, i mundshëm dhe i mbushur me sfida, por dhe me aleanca të fuqishme e miqësi të sinqerta. Me mirënjohje të thellë dua t’i falënderoj të gjithë aleatët tanë që i ndërtuam me mençurinë dhe vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe burra e gra që i qëndruan pranë në ndërtimin e këtyre aleancave që do t’i mbrojmë me çdo kusht. Falënderojmë SHBA-të, aleatin tonë strategikçdo shtet europiane gjetiu, gjithë partnerët ndërkombëtarë që qëndruan pranë Kosovës kur liria dukej e largët dhe e pamundur. Pa përkrahjen e tyre politike, diplomatike edhe ushtarake, ëndrra jonë për liri do të ishte akoma e largët.
Sot pas 18 vitesh, kemi arritur shumë, por kemi akoma shumë rrugë për të bërë përpara. Përgjegjësia jonë është që idealin për të cilin u flijuan dëshmorët, të vazhdojmë ta shndërrojmë në shtet të fortë, me sovranitet në çdo pëllëmbë, drejtësi funksionale e të paanshme, zhvillim ekonomik për çdo qytetar, integrim në familjen euroatlantike dhe mbi të gjitha shpresë për të rinjtë. 18 vjet shtet janë edhe më shumë përgjegjësi. Le ta ruajmë Kosovën si amanet, le ta ndërtojmë të ardhmen me guxim, le ta mbajmë të gjallë dashurinë për atdheun, ta ruajmë lirinë si gjënë më të shtrenjtë dhe ta ndërtojmë shtetin si shtëpi për brezat që do të vijnë pas nesh. Lavdi dëshmorëve të kombit e martirëve! Urime 18 vjetori i Pavarësisë! Rroftë Republika e Kosovës për mot e jetë!”, tha Osmani.
Presidentja Vjosa Omani në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës në kuadër të 18 vjetorit të pavarësisë, nderoi të rënit në luftën për liri.
“18 vite më parë, Kosova u ngrit nga vuajta në dinjitet dhe nga rezistenca në shtetësi duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vite më parë u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të dhimbshëm dhe duke hapur një kapitull të ri të historisë tonë. Sot me respektin më të thellë përulemi përpara atyre që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë Republikë, në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë e me mençuri ,durim dhe vizion, me besim të palëkundur në dinjitetin e popullit tonë, ai udhëhoqi Kosovën në kohët më të renda.
UCK është ideali më i madh që ka nderuar shqiptaret ndër shekuj. Lufta ishte gjithnjë e drejtë, e pastër e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur apo relativizuar viktimën me agresorin, është e padrejtë dhe historikisht e pavërtetë. Çlirimtarët e Kosovës që sot gjenden në Hagë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që minon drejtësisë, por dëmton rëndë themelet e paqes. Lufta e UÇK ishte shtylla jonë me fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Mbi cdo dallim ekziston përgjegjësia e përbashkët për ta mbrojtur këtë shtet që është rezultat ti një sakrifice shekullore. Duke mbrojtur të vërtetën mbrojmë shtetësinë tonë. Secili prej tyre i dha vulën në trup, në shpirt dhe kujtesë shtetit të cilin e gëzojmë sot”, tha ndër të tjera Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se vendi po rritet dhe fuqizohet më shumë.
Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e Kosovës, tha se në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtohen se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.
Sipas tij kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.
“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, tha ai.
Ai kujtoi se ish-krerët e UÇK-ë po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, shtoi Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.
“I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha Osmani.
Komente












