Thatësira dhe temperaturat e larta kanë vënë nën presion sistemin energjetik të Rumanisë, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin një operacion të pazakontë për të mbajtur në punë centralin bërthamor të Çernavodës.

Ushtria kreu një shpërthim të kontrolluar nën ujë për të hequr një formacion shkëmbor dhe për të devijuar më shumë ujë të Danubit drejt centralit, i cili përdor lumin për ftohjen e reaktorit të dytë që vazhdon të jetë në funksion.

Operacioni u realizua pasi një përpjekje e parë të dielën kishte dështuar. Ministri i Mbrojtjes, Radu Miruță, tha se "çdo ditë shtesë funksionimi i centralit të Çernavodës është një fitim", duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes në një moment kritik për rrjetin energjetik të vendit.

Çernavoda, e vendosur në juglindje të Rumanisë, është i vetmi central bërthamor i vendit. Ai përdor ujin e Danubit për ftohjen e ciklit termik, por niveli i lumit ka rënë ndjeshëm për shkak të thatësirës së zgjatur dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta.

Javën e kaluar, një nga dy reaktorët u ndal për shkak të mungesës së ujit. Pa një ndërhyrje të menjëhershme, autoritetet vlerësonin se ekzistonte rreziku që të ndalej edhe reaktori i dytë, duke pezulluar të gjithë prodhimin e centralit.

Centrali, i ndërtuar me teknologji kanadeze dhe në funksion prej gati 30 vitesh, ka dy reaktorë me kapacitet 706 megavat secili dhe në kushte normale siguron rreth 20% të energjisë elektrike që konsumon Rumania.

Për të përballuar situatën, qeveria shpalli të premten gjendjen e alarmit kombëtar deri më 31 gusht dhe njoftoi rritjen e importeve të energjisë elektrike, kryesisht nga Ukraina, për të kompensuar uljen e prodhimit vendas.

Operacioni në Danub iu besua Marinës Ushtarake, e cila përdori 180 kilogramë eksploziv për të copëtuar një shkëmb dhe për të devijuar përkohësisht ujin e një kanali drejt pellgut që furnizon centralin. Për këtë ndërhyrje, qeveria miratoi një fond të jashtëzakonshëm prej rreth 1.3 milionë eurosh.

Megjithëse operacioni rezultoi i suksesshëm, autoritetet theksojnë se emergjenca vazhdon. Prurja e Danubit në hyrje të Rumanisë ka rënë në 1.550-1.600 metra kub ujë në sekondë, gati tre herë më pak se mesatarja sezonale prej 3.900-4.700 metrash kub në sekondë.

Ministria e Energjisë ka mbledhur përfaqësues të rreth 80 kompanive për të diskutuar masa të tjera për kursimin e energjisë. Mes opsioneve janë zhvendosja e aktivitetit prodhues në orët me konsum më të ulët dhe, nëse do të jetë e nevojshme, ulja e përkohshme e prodhimit industrial.


Lajmi kryesor:

Thahet Danubi, kriza e energjisë prek 3 vende! Hungaria fik centralin bërthamor, Rumania shpërthen shtratin e lumit me 180 kg eksploziv, Serbia ul prodhimin