Një vrasje e kryer në vitin 1997 në fshatin Gjegjan e ndjek ende nga pas 63 vjeçarin Pjetër Marku, i cili pasi ka kryer 19 vite burg, i braktisur nga familja dhe pa shpresë për t’u kthyer në fshat, jeton i braktisur.

Pasi fitoi lirinë në vitin 2015, atëherë ku nuk gjeti më familjen, ai është përballur me një kavar vuajtjesh që po ja rëndojnë tuberkulozin që duket se nga mungesa e kushteve ja ka vështirësuar situatën.

Prej daljes në liri ai kurrë nuk ka pasur një strehim të sigurt. Disa herë është strehuar për mirësi nga njerëz të ndryshëm, ndërsa së fundmi vetëm mali dhe një objekt i braktisur janë kthyer në çati mbi kokën e tij.

"Unë kam dalë prej hallit në mal, se nuk kam ku të shkoj", thotë ai.

Duket se është pajtuar me fatin, por jeton me frikën se mund t‘i ndodh me e keqja në vetmi, teksa ka humbur shpresat se dikush mund të kujtohet më për të, i zhytur në zhgënjimet që i ka rezervuar jeta.

"Kam shumë ditë që jam pa bukë, nuk reziston dot njeriu", shton ai.

Pjetër Marku sot vuan në heshtje dhe larg vëmendjes se atyre që duhet të kujtoheshin për ti siguruar të paktën minimumin, të drejtën për të jetuar.

Nuk do të dijë askush për vendndodhjen e tij në malet e Pukës, thjesht i mërzitur nga jeta do që të shuhet ne vetmin e malit dhe të papriturat që sjell jeta në harresë.

I bindur se arma nuk sjell kurrë zgjidhje ai ka dhe një apel nga shtrati prej kartoni ku gdhihet e ngryset çdo ditë i harruar nga të gjithë.

"E mira është t’i shmangemi armës”, thotë ai.

63 vjeçari Pjetër Marku thotë se për të shteti nuk ka ekzistuar kurrë, ndaj i mërzitur nga jeta nuk pret me asgjë, madje as keqardhjen kur t’i ndodhë më e keqja.