190 vjet Pashko Vasa, Labirinthet
e jetës së një patrioti të madh

190 vjet Pashko Vasa, Labirinthet<br />e jetës së një patrioti të madh
Është një fenomen psiko-antropologjik i njohur, por i pastudiuar sa dhe si duhet në historinë shqiptare, që nis nga antikiteti dhe vjen deri në kohët moderne prania dhe karriera e suksesshme e iliro-shqiptarëve që ngjitën shkallët më të larta udhëheqëse shtetërore dhe ushtarake dhe hynë në histori në vende të huaja.

Hynë në radhë të parë në historinë e perandorive të mëdha si ajo romake, bizantine dhe osmane, por dhe në ato vende evropiane si Italia, Greqia, Rumania etj. U bënë perandorë si Kostandini në Romë, si Komnenët në Kostandinopojë, dhjetëra krye-vezirë në Stamboll, princa si Gjikajt në Rumani apo shtetarë të lartë në Greqi.

            M’u kujtuan këto, kur zura të mendoj e të shkruaj mbi ditëlindjen jubilare të Pashko Vasës. Ç’është e vërteta, përherë më ka tërhequr dhe impresionuar, madje më është imponuar figura e tij si një personalitet i gjithanshëm me vlera të spikatura dhe kontribute shumë të çmuara, që dëshmon dhe vërteton me këtë rast fjalët mirëdashëse të historianit të shquar anglez Paul Johnson se “shqiptarët janë njerëz shumë të zgjuar, dinamikë dhe origjinalë. Kanë shumë cilësi favorizuese.”

            Pashko Vasa është nga fytyrat emblematike të Lëvizjes sonë Kombëtare, një nga ideologët e saj të parë që mori pjesë dhe u angazhua që në krye në aksione patriotike në shërbim të atdheut të robëruar. Nga kjo pikëpamje, rruga e jetës së tij do të qe e gjatë, e mundimshme, plot sakrifica, e frymëzuar nga ideale liridashëse. I lindur në Shkodër, më 17 shtator 1825, në një familje patriotike me origjinë mirditore, pasi kreu mësimet e para në vendlindje duke qene një i ri inteligjent dhe energjik, pasi punoi si sekretar i konsullatës britanike në qytetin e tij, në moshën 25 vjeçare, i nxitur dhe i inspiruar nga idetë revolucionare, hidhet në Itali dhe merr pjesë aktive në kryengritjen që kish shpërthyer atje dhe lufton kundër pushtuesve austriakë, duke u bërë shpejt dhe oficer i Kalorësisë Qytetare.

Ai shkruan veçanërisht një faqe të lavdishme trimërie e besnikërie në luftën për çlirimin e Venedikut, duke manifestuar një shpirt të lartë vetëflijimi e sakrificash. Edhe pse u kap rob nga austriakët dhe u burgos, ai rezistoi heroikisht deri sa u largua nga Italia dhe vendoset në Stamboll. Kjo periudhë 2-3 vjeçare përbënte vetëm prologun e jetës së tij politike, një jetë të ngarkuar me ngjarje, përpjekje, sakrifica, por dhe vlera që i hapën rrugën e një karriere të gjatë e komplekse politike e jo vetëm politike.

            Në Stamboll ai do ta fillojë jetën nga hiçi, duke u marrë me punë të rëndomta, por gjithnjë besimplotë në vetvete, i mbajtur pas mendimesh e planesh të guximshme, me vullnet e kurajë për të shkuar përpara. Jetën që e pret dhe detyrat që i vë vetës djaloshi inteligjent dhe trim e vështron në dy plane: si shqiptar dhe si qytetar i perandorisë turke, i pari që do të përbënte identitetin  dhe ndërgjegjen atdhetare, ndërsa i dyti mundësinë dhe aspiratat për mbijetesë në kushtet e shtetit dhe shoqërisë osmane.

Në këto dy drejtime do të orientohet dhe do të përpiqet t’i gjejë vend vetes. Ai kishte, siç dëshmojnë bashkëkohësit, cilësi të çmuara intelektuale, shpirtërore dhe të karakterit dhe do të qenë këto që e bënë të çajë në jetë. Pashko Shkodrani nuk ishte vetëm i zgjuar, i kulturuar, me iniciativë e shpirt krijues, poliglot sado që qe autodidakt (dinte 9 gjuhë të huaja), por i frymëzuar dhe nga ide të mëdha e aspirata të guximshme. Pas punëve të rëndomta, arriti të futet në Shoqërinë e tramvajeve dhe të zërë poste në administratën e huaj.

Tani nuk flinte më në varrezat e armenëve dhe s’endej rrugëve. Kish krijuar në një farë mënyre individualitetin qytetar dhe jo rastësisht, në moshën 25 vjeçare, boton në italisht librin me kujtime “Burgu im” (1850). Ndofta ky moment ka luajtur rol pozitiv në afirmimin e tij, sepse s’kaloi shumë kohë dhe ai u punësua në aparatin e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë. Sukseset që arriti në këtë detyrë, e ndihmuan të ngjisë shkallët e karrierës diplomatike, duke u dërguar me detyra të rëndësishme në Halep të Sirisë dhe në ambasadën turke të Londrës. Më pas ai kreu një mision diplomatik në Bosnje-Hercegovinë.

Kurse më 1878, në kohën e ndezur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Pashko Vasa u caktua këshilltar i Valiut të Kosovës, por në fakt, pa u shfaqur publikisht, falë atdhetarisë dhe diplomacisë së mençur, do të kontribuonte për një orientim të drejtë të veprimtarisë së Lidhjes.

            Është kuptimplotë dhe për meritë të tij Pashko Vasa, edhe pse kryente detyra shtetërore të rëndësishme, dinte t’i shfrytëzonte postet në favor të kauzës shqiptare. Kjo veprimtari patriotike nis qysh në fillim të viteve 70, kur së bashku me K. Kristoforidhin, I. Qemalin e të tjerë,  arritën të  grumbullonin fonde për të krijuar një shoqëri për shkronjat shqipe.

            Më pas kjo veprimtari u zgjerua duke krijuar një shoqëri kulturore për një alfabet të përbashkët shqip mbi bazën e alfabetit latin, ku Pashko Vasa dhe Sami Frashëri luajtën rolin kryesor. Në 1877, Pashko Vasa u bë anëtar i “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.

Ndërkaq aksionet organizative Pashko Vasa do t’i shoqëronte me studime shkencore kushtuar gjuhës shqipe, siç qe vepra “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (botuar në Stamboll) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (botuar në Londër në frëngjisht), por dhe vepra që e bënin të njohur çështjen shqiptare dhe gjuhën shqipe në botën politike dhe shkencore, si libri “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë”.

Në këtë fushë, ku shpërfaqen shkencërisht idetë e tij politike për fatin dhe të ardhmen e atdheut të tij, është “Shqipëria dhe shqiptarët”, botuar në gjuhën shqipe po të njëjtin vit (1879). Ky vit ishte produktiv dhe për faktin se ai u bë nga themeluesit e “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”. Patriotizmi i thellë i Pashko Vasës nuk mjaftoi të shfaqet e të argumentohet vetëm me veprat studimore, por fill pas tyre ai do të shpërthejë në vargje përmes poemës kushtruese “Mori moj Shqypni e mjera Shqypni”, që mbeti gjithnjë aktuale në historinë shqiptare.

Ajo pati një pritje të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe në rrethet patriotike të diasporës, duke bërë për vete zemrat e shqiptarëve me frymën atdhetare, thirrjet për bashkim kombëtar, qëndrimet realiste dhe frymën e theksuar kritike sidomos ndaj institucioneve fetare. Duke pasur në qendër figurën e nënës, poema ngriti lartë zemrat e shqiptarëve dhe tingëlloi si kushtrim lufte për Shqipërinë e lirë. Aq jehonë pati, sa u përkthye në disa gjuhë të huaja si italisht, rusisht, frëngjisht, gjermanisht etj.

            Pashko Vasa nuk do të ishte vetëm publicist, gjuhëtar, historian, memuarialist, por dhe krijues, një shkrimtar i talentuar që dha vepra letrare me vlera, të cilat pasuruan letërsinë shqipe. Ai shkroi në poezi, prozë e dramaturgji. Përveç poemës “Mori Shqypni e mjera Shqypni”, ai botoi përmbledhjen poetike “Trandafila dhe gjemba” në italisht (Stamboll1873), me një tematikë kryesisht humane, jashtë politikës, me motive autobiografike dhe frymë intimiteti. Poeti i këndon dhe evokon në radhë të parë njerëzit e familjes, nënën (Nënës sime), gratë e ndjera (Në kujtim të Maries sime), vdekjen e pangushëllueshme të fëmijëve (Birit tim).

Ndjehet në to dhimbja e thellë e njeriut human, lidhja shpirtërore me to. Por nuk mungojnë motivet për vetveten si “Ëndrra e mërgimtarit” që trajton mendimin se ai është gati të luftojë jo vetëm për lirinë e popujve fqinjë, por dhe për çlirimin e popullit të vet.

        “Sikur nën qiell të atdheut / të kish paqe shpirti im” shprehet tek “Ëndrra e mërgimtarit”. Shpirti i tij poetik vlon nga ndjenja liridashëse, por për kushtet dhe pozitën që ka, ai shprehet përmes aludimesh të largëta. Në poezinë e tij që karakterizohet nga fryma romantike dhe nga nota të theksuara lirike nuk mungojnë motive kushtuar poetëve klasikë e bashkëkohorë italianë si Petrarkës, Tasos etj., dhënë përmes soneteve të goditura. Gjithashtu paraqesin interes disa nga poezitë lirike kushtuar dashurisë, dufeve shpirtërore e zhgënjimeve që dëshmojnë për shpirtin delikat të poetit.

            Pashko Vasa ngrihet në lartësinë e një shkrimtari me nivel të panjohur në letërsinë shqiptare, kur më 1890 boton në Paris në gjuhën frënge romanin “Bardha e Temalit” nën pseudonimin  Albanus Albano (Shqiptar Shqiptari). Botimi i tij përbën një ngjarje në letërsinë tonë si një nga romanet e parë në historinë e saj. Përpara kësaj vepre ishte botuar romani “Dashuria e Talatit me Fitnetin” në gjuhën turke i Sami Frashërit (jo me temë shqiptare), por romani i Vasës, për vlerat e përmbajtjes dhe nivelin artistik, duke trajtuar një temë kryesisht shqiptare, i kapërcen kufijtë e veprës së sivëllait të tij.

Ai hedh një hap më tej përpara. “Bardha e Temalit”, për subjektin, karakteret dhe atmosferën shoqërore, përshkrimin e jetës zakonore, paraqitet thellësisht shqiptare dhe i motivuar nga pikëpamja sociale dhe psikologjike.

            Romani ka për subjekt jetën shqiptare të kohës, historinë e një krushqie të martesës së Bardhës, vajzës së një familjeje të pasur shkodrane, me Lulin, një bajraktar nga një derë e moçme e Malësisë. Është një martesë pa dashuri dhe krijon një familje sipas kanuneve të jetës zakonore të maleve.

Subjekti i romanit ndërthuret me konflikte nga më të ndryshmet, me ndeshje nga më të egrat, me akte kriminale, me intriga, besëtytni, paragjykime nga më tronditëse. Flitet për prapambetje e padituri, shkak i të cilave, sipas autorit, është pushtimi otoman. Shkrimtari tregohet realist kur bën dallimin në mes popullit të virtytshëm e fisnik dhe shtresave të larta, bartëse të zakoneve prapanike, instinkteve të egra, krimeve, pabesive etj. Në këtë drejtim autori nuk kursen kritikat ndaj klerit katolik, që në vend t’i luftojë ata, i mbështet. Përjashtim bën prifti Leonardo me përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë popullit me mësimet kishtare.

            Vlerë të veçantë i jep romanit trajtimi i problemit të emancipimit të gruas, që bartet e mishërohet në figurën e Bardhës. Kjo e bën veprën me karakter të dyfishtë, social dhe zakonor, gjë që autori ia ka dalë me sukses, shprehje kjo e botëkuptimit të tij liberal e demokrat. Marrja në mbrojtje e gruas, ideja për emancipimin e saj në një kohë të errët e në një shoqëri të prapambetur përbën një nga shtyllat e veprës, ashtu siç bën përgjegjës indirekt pushtuesit otomanë për gjithçka të keqe që ndodh në vendin e tij.

            Pashko Vasa me këtë roman, duke e shkruar në frëngjisht, i bën të njohur opinionit evropian realitetin e rëndë shqiptar dhe shpall mesazhe liridashëse.
            Është interesant që pas botimit të romanit në Paris, Pashko Vasa u emërua nga Sulltani Guvernator i Libanit, i titulluar tani Vaso Pasha, një pozitë shumë e lartë që flet për aftësitë e kapacitetin e shquar qeverisës të tij në një vend pak a shumë të zhvilluar, siç ishte kjo pjesë e perandorisë . nga ana tjetër, ai qeverisi këtu për afro dhjetë vjet (1883-1892), kur sipas  rregullit perandorak nuk duhet t’i kalonte më shumë se pesë vjet. Kjo dëshmon qartë se, pavarësisht nga opozicioni i fshehtë patriotik, ai ishte një burrë shteti me cilësi të veçanta.

            Prof. Vehbi Bala, nga kërkimet dhe studimet e tij për Pashko Vasën, na sjell të dhëna dokumentare shumë të çmuara për veprimtarinë e tij shtetërore-kulturore-emancipuese gjatë shërbimit në Liban. Sipas kronikave libaneze guvernatori shqiptar bëri reforma administrative, krijoi një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet elementeve fetare dhe atyre krahinore, ndërmori ndërtime të mëdha ushtarake, si ura e rrugë, sa filluan ta quajnë Libanin “Venediku i thatë”, hapi shkolla në vende të prapambetura, nxori organin “El Liban” në gjuhën libaneze, duke shkruar edhe vetë artikuj për çështjet jetike të ditës.

            Nga kujtimet e një mikut tim diplomat që shkoi në Liban i ngarkuar nga qeveria jonë në vitet 70 për të marrë eshtrat e Pashko Vasës mbaj mend të më ketë thënë se sa vështirë e kish pasur nga qeveria libaneze të tërhiqte eshtrat e Vasës.

Ajo paraqiste shumë arsye për të mos i dhënë ato duke i argumentuar me meritat dhe kontributet e Vasës për të mirën e Libanit, veç të tjerash, përpjekjet e tij për themelimin e një teatri kombëtar libanez, faktin që ai kish shkruar dhe vetë pjesë teatrale, të cilat ishin vënë në skenë. Madje, nga të dhënat e historianit libanez I. Asuadi, del që Guvernatori ishte enciklopedik, tepër i kulturuar, njohës i thellë i letërsisë dhe arteve, fliste në shumë gjuhë dhe i bënte për vete njerëzit me natyrën fisnike dhe horizontin e gjerë.

            Duke qenë në postin e lartë në një vend afrikan, ai do të ndihmonte politikisht, moralisht dhe financiarisht diasporën shqiptare. Ndihmoi F. Shirokën, J. Vreton etj. Ai mbante lidhje me gazetën “Drita” të Bukureshtit, nga merrte libra, sidomos të N. Frashërit, dhe shprehej me admirim për poemën “Bagëti e Bujqësi”. Ai thoshte për veprat e Naimit se “ato janë shkrue për të gjithë motet”.

            Nuk mund të lëmë pa përmendur se me gjithë sukseset që arriti në jetën e tij si burrë shteti, si njeri plot talente, veçanërisht si veprimtar e ideolog i Lëvizjes sonë Kombëtare, ai pati dhe fatkeqësi të rënda familjare. Kështu nuk qe fatlum në martesat, i vdiqën disa gra njëra pas tjetrës, po kështu disa fëmijë në moshë të mitur. Më jetëgjatë qe martesa me francezen Berta Lerishin me të cilën pati dy djem, njërin nga të cilët e pagëzuan me emrin e gjyshit Mëhill.

            Pashko Vasa u nda nga jeta më 2 korrik 1892, në moshën 77 vjeçare. Ishte guvernatori më jetëgjatë në këtë detyrë të Libanit. Një personalitet që, nën kostumin e burrit të lartë të shtetit, fshihej një nga ideologët dhe udhëheqësit e Rilindjes sonë Kombëtare, një republikan i bindur, intelektual iluminist dhe enciklopedik, krijuesi, poeti, prozatori dhe dramaturgu, historiani dhe gjuhëtari, publicisti dhe ekonomisti.

            Nga gjithë sa shkroi dhe na la si trashëgim shpirtëror do të citoja, në përkujtim të 190 vjetorit të lindjes, fjalët e shkëputura nga libri “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, ku përshkruan vizionin që ka për të ardhmen e atdheut të tij: “Në kushtet më të mira, Shqipëria jo vetëm nuk do t’ia kishte zili Zvicrës, por do t’ia kishte kaluar kësaj nga bukuria, poezia dhe fuqia.”
pashko vasa

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Zyrtarizohet Po-ja e Izraelit për armëpushimin në Liban, e miraton kabineti i sigurisë, 60 ditë ndërprerje e luftës

Media: Zyrtarizohet Po-ja e Izraelit për armëpushimin në Liban, e miraton kabineti i sigurisë, 60 ditë ndërprerje e luftës