Masat e sigurisë dhe informacionet operative për cenimin e sigurisë dhe rendit gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë kanë detyruar drejtorin e policisë Haki Çako që për 30 minuta të kryejë një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla.
 
Në fokus, masat e sigurisë dhe infot për incidente
Takimi është zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa Report Tv ka mësuar se temë e takimit kanë qenë masat e marra të policisë dhe shkëmbimi në kohë reale i informacioneve me Prokurorinë.
 
Nga ana e tij, Llalla i ka konfirmuar Çakos se për çdo incident do të zbatohet ligji duke ngarkuar me përgjegjësi penale personat e përfshirë.
 
Një informacion i shkëmbyer midis Çakos e Llallës ka qenë dhe ai për 20 persona të ndaluar e mbajtur në vëzhgim si persona me precedent penal e të dyshuar për lidhje me rrymat radikale.
 
Protesta përfundoi paqësisht dhe sipas bilancit të policisë nuk u shënua asnjë incident deri në shpërndarjen e të gjithë protestuesve.

dy.b/shqiptarja.com