Dy vite pa Dritëroin, Sadije Agolli: E gjithë jeta në një muze (Intervista e plotë)

Dy vite pa Dritëroin, Sadije Agolli: E gjithë jeta në një muze (Intervista e plotë)

Sadije Agolli gjate intervistes per Report Tv

“E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë, unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë dhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një future, që do të dalë nga kockat e mia”...

Një dashuri 52-vjeçare, e që ende vazhdon ajo e Sadijes me Dritëro Agollin... Bashkëshortja, lexuesja e tij e parë, redaktorja, shoqja e tij besnike e ditëve të bukura e të vështira, rrëfen në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, se ende jeton me kujtimet e tij, me veprat, porositë e personazhet aq të dashura për lexuesin.

“Personazhet që ka krijuar kanë hyrë në jetën tonë të përditshme si njerëz që jetojnë në mesin tonë dhe përmenden kur zhvillohen biseda ose polemika: Zylo, Rrapo Tabani, partizani Meke, Demka, Maro Gruda etj., na duken se i takojmë në mesin tonë”. I ndodh tani të ulet në vendin e tij, të çmallet me kujtimet që flet shtëpia e tyre ku jetuan për 45 vite e ku vazhdon ende të jetojë dhe sot. Është e lidhur me këtë strehëz, ku çdo send e cep i saj mbart një histori nga shkrimtari, njeriu bashkudhëtari i saj, por ka vendosur bashkë me fëmijët të kapërcejë vetveten.

Agolli nuk është fizikisht aty, që të jap mendimin e tij, por zonja e fortë ka marrë vendimin që të sakrifikojë, duke  lejuar që shtëpia e Agollit, që ka qenë përherë e hapur për ata që patën nevojë e trokitën, tanimë të mund të vizitohet nga të gjithë, të kthehet në shtëpi muze. 

Në këtë intervistë ekskluzive për “ReportTv” Sadije Agolli rrëfen një jetë të jetuar me Dritëron, që nga dita kur e njohu në momente të vështira e deri në çastet e fundit të jetës. Tani që ajo e tha të sajën, hapi i radhës i takon kryetarit të Bashkisë, për të bërë të mundur që shkrimtari që i shkroi popullit, poeti  më i dashur i shqiptarëve të jetë edhe më pranë tyre, siç qe edhe në jetë.

INTERVISTA E PLOTË ME SADIJE AGOLLIN NGA VALERIA DEDAJ
Zonja Sadije, prej disa muajsh Bashkia e Tiranës ka propozuar, që shtëpitë e dy shkrimtarëve, Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, të kthehen në muze. Aktualisht në shtëpinë e Kadaresë ka nisur puna. Çfarë mendoni ju për këtë nisëm? A do të pranonit që edhe shtëpia juaj të kthehej në muze?

Ç’është e vërteta edhe unë kur u bë një propozim i tillë nuk isha dakord. Kam jetuar një jetë të gjatë këtu. Kemi 45 vite, që kur kemi ardhur në ‘74. Fëmijët kanë qenë të vegjël. Lona ka qenë 6 vjeç, ndërsa Artani 4 vjeç. Kishim edhe vjehrrën. Sigurisht që ne këtu kemi kujtime, kemi shumë gjëra që më lidhin me këtë shtëpi, prandaj e kam shumë të vështirë që të shkëputem. Por, kaluan dy vjet qëkur Dritëroi nuk është më. Unë e kam ndier shumë shumë mungesën e tij, do doja që të kisha mendimin e tij. Për çdo gjë unë flisja me të. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, që gjithë ky ambient që kemi jetuar një jetë të tërë të jepet për muze. Mirëpo, duhet të kapërcej vetveten në këtë rast. Edhe për hir të Dritërorit, që deri më tani nuk është bërë asnjë muze, qoftë edhe në fshat, që i kemi çuar edhe materialet qëkur ishte Dritëroi gjallë. Nuk u bë asgjë. kështu që tani duhet bërë kjo sakrificë nga unë edhe nga fëmijët, që ky ambient të paktën të kthehet në muze. Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim. Prandaj edhe me fëmijët e diskutova. Thamë se mund të bëhet. Por, propozim direkt mua deri tani nuk më është bërë.

Ndërkohë, ju aktualisht jetoni këtu. Çfarë është e nevojshme që kjo nisëm të realizohet edhe për Dritëro Agollin?
Sigurisht që ne duke lënë këtë shtëpi, duhet patjetër që ata të na sigurojnë se ku do jetojmë. Do të merren gjëra, por edhe do të lihen. Prandaj duhet bërë një bisedë e gjatë me kryetarin e Bashkisë apo me atë që do merret më këtë. Unë mendoj që unë të strehohem në një dhomë dhe në një kuzhinë, se mendoj që të jetoj edhe të punoj me Dritëroin. Por edhe fëmijët, të kenë edhe ata apartamentin e tyre, sepse djali edhe nusja kanë dy fëmijë. Djalin 15 vjeç dhe vajzën 18 vjeç, Drisarta me Emili. Këto duhet që të bisedohen patjetër me Erionin.

Cilat janë disa nga kujtimet më të bukura, që ju kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës suaj në këtë shtëpi?
Unë isha 22 vjeç kur kam njohur Dritëroin, i cili ishte 33 vjeç. Dritëro sigurisht që ka pasur një jetë, që ka qenë edhe pak një dramë. Kishte gruan ruse, Ninën dhe djalin Arianin 7 vjeç. Kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ajo kishte hallin e Arianit ku do të studionte edhe donte të ikte. Kur u njohëm me Dritëroin ai vetëm qante vazhdimisht. Vendosën që të divorcoheshin, ajo të ikte në Rusi me djalin. Ndërsa, unë isha gazetare në “Zërin e Popullit” dhe do të vazhdoja jetën time. U njoha me Dritëroin në këto kushte. Qoftë nga dhembshuria që kisha unë për atë që ai kishte kaluar, por edhe nga dashuria që duke e njohur edhe ai ma shprehu. U martuam në 4 korrik të vitit 1965. Bëmë një jetë deri tani, se për mua nuk ka vdekur, unë vazhdoj të jetoj me veprën e tij. Këto dy vite duke qëndruar vetëm, më dukej sikur kisha edhe Dritëroin. Kam zënë vendin e tij, ulem atje ku rrinte Dritëroi. E kam gjithmonë me vete. Kjo ishte një dashuri 52-vjeçare, ku unë nuk mund të dalloj një kujtim nga tjetri. Që nga lindja e fëmijëve apo kur shkruante libra, që disa e shanin edhe disa e lavdëronin, të gjitha këto i kalonim së bashku.

Kontribut të madh Agolli ka dhënë edhe në politikë, qoftë para viteve ’90, por edhe pas viteve ’90, sidomos nëpërmjet publicistikës. Çfarë mund të na thoni për rolin e tij në këtë fushë?
Ai ka qenë shumë aktiv, qoftë para viteve ’90, qoftë pas viteve ’90. Por sidomos me ngjarjet që nisën pas viteve ’90 ai ndihmoi shumë, qoftë edhe në reformimin e Partisë Socialiste, punonte  edhe pas mesnate. Të gjithë shkrimet që u botuan pas viteve ’90, ja kam shkruar unë me makinën e shkrimit, ndërsa në mëngjes ua dorëzonin gazetarëve. Këto shkrime u pritën shumë mirë nga njerëzit. Dritëroi u bë shumë popullor. Të gjithë donin të dinin mendimin e tij. Dritëroi qoftë për Partinë Socialiste, qoftë për atë Demokrate, kritikonte gjithmonë për ato gjëra që mendonte se nuk ishin të drejta. Prandaj e respektonin si demokratët edhe socialistët. Nuk ishte partiak Dritëroi, që të ishte fanatik partiak. Frrok Çupi kur botoi përshëndetjen e parë në RD për të, disa nuk donin, se kishte qenë komunist, mirëpo ai e botoi dhe u prit shumë mirë.

Ku ulej kur shkruante zakonisht?
Në fillim në studio, ndër më pas në këtë tavolinë që jemi ne shkruante. E ndiente veten më komod. Por ndodhte edhe që i vinte një mendim, një varg apo diçka dhe ulej e shkruante edhe në dhomën e gjumit. Por pjesa më e madhe e veprave të tij janë shkruar në këtë tavolinë.

Çfarë e frymëzonte që të shkruante, pasi veprat e tij lexohen edhe sot?
Dritëroi, duke qenë gazetar brodhi në çdo cep të Shqipërisë. Nuk bënte dallim për askënd, nëse ishte njeri me shkollë apo pa shkollë, fshatar edhe intelektual. Shkruante për temat e ditës, që i ndiente çdo njeri, për hallet, për vuajtjet edhe jetën e njerëzve. Sa herë unë i redaktoja kisha kureshtjen se çfarë kishte shkruar, por çdo poezi më dukej e re, sepse ai shkruante për jetën e çdo njeriu. Prandaj ka mbetur poezia e tij.

Ju kujtohet si keni ardhur në këtë pallat?
Këtë pallat e ka projektuar Maks Velo dhe ishte caktuar për Ismailin, do të vinin dhe ca të tjerë, që të ishin nga klasa punëtore. Mirëpo kur e mori vesh këtë Mehmet Shehu, tha ta marrë Dritëro Agolli, pasi në këtë hyrje ishte caktuar një ish-ministër. Hyrjet tona ishin ndryshe nga të tjerat. Kjo është historia si hymë ne në këtë pallat.

Në këtë pallat kanë jetuar edhe kompozitori Feim Ibrahimi dhe shkrimtari Ismail Kadare. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ta?
Ne i kemi pasur marrëdhëniet të mira, qoftë me Feimin, qoftë me Ismailin. Me Feimin, i cili ishte edhe sekretar i Lidhjes për Muzikën dhe kompozitor shumë i mirë shkonim me rast edhe pa rast. Por, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira edhe korrekte dhe me Kadarenë. Ne shkonim tek shtëpia e Isamilit, një kat poshtë nesh. Ndërsa, sa herë që ndodhte ndonjë ngjarje apo ndonjë gjë, vinte Ismaili edhe diskutonte.

Në çastet tuaja nostalgjike, si e kujtoni? Cilat janë fjalët apo gjestet që mbani mend prej tij?
Unë dhe Dritëroi kemi qenë shumë të lidhur, sidomos pas viteve ’90, që ai u mbyll e punonte në shtëpi më donte pranë. E kështu u mbylla dashje apo padashje edhe unë. Gjatë katër viteve të fundit edhe pensionin që shkoja e merrja vet, më tha që t’u thosha atyre të ma sillnin në shtëpi. U lidhëm edhe shumë më tepër.

A ka dorëshkrime të tjera të pabotuara prej tij?
Ne kemi botuar tre libra, “Dashuri në moshën e Krishtit”, një me aforizma edhe një libër me poezi. Këto dosje ishin të gatshme, i kishte lënë të përgatitura Dritëroi. Kemi edhe një roman të papërfunduar , “Vrasja e kukuvajkës”, por edhe poezi. Ka shumë krijimtari, që mund të dalin në dy apo tre libra. Por edhe këto kërkojnë kohë.

Data 3 shkurt, 2 dy vjet pa Dritëro Agollin. Çfarë ju mungon më shumë prej tij?
Këtë herë do ta kalojmë më thjesht, me familjet do të shkojmë në varreza. Unë thashë që jam përpjekur tërë kohës që mos të krijoj gjendje të keqe në shtëpi, duhet që ta pranoj ashtu siç ndodh në jetë. Ne e jetuam jetën, si unë edhe Dritëroi. Dritëroi pati fat se më kishte mua, ndërsa unë tani kam fat se kam fëmijët dhe veprën e tij, jetoj me të. Mendoj se duhet që të punoj sa të kem mundësi. Sa e kisha gjallë Dritëroin nuk më dukej vetja plak, më dukej vetja e re se vrapoja. Tani e ndiej veten të moshuar, por mundohem të mbahem. Jeta duhet jetuar, se Dritëroi ka lënë shumë materiale që unë duhet të punoj me to.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja