Nja dy vjet pas luftës çlirimtare të Kosovës, një kampion i arteve marciale, i cili jetonte e vepronte në SHBA, u kthye për një vizitë në vendin e vet, me rastin e një aktiviteti sportiv.

I pyetur nga gazetarët për mendimin e tij për çështjen e pavarësisë, sportisti u përgjigj me sarkazëm: “Shikoni, neve si popull na kanë shtyrë, na kanë shtyrë aq shumë sa na kanë vënë me shpatulla pas muri.

Tani e vetmja gjë që na mbetet, është të çajmë murin!!!”

Ai sigurisht që e kishte fjalën për faktin se, ndërkohë që në Jugosllavi popujt e ndryshëm prisnin që luftën e parë për çlirim prej Serbisë do ta hapnin shqiptarët, si më të shtypurit e më të nëpërkëmburit që ishin, këta mbetën bash të fundit dhe e hapën luftën vetëm atëherë kur thika u mbërriti në asht...

Në fakt, preokupimi i shumicës së më të shtypurve për një kohë të gjatë ishte thjesht mbijetesa, mundësisht duke u larguar prej vendit, pra “çarja e murit” e jo kundërvënia ndaj atyre që po i vinin me shpatulla pas murit.

Thënia e sportistit vazhdon të ruajë një farë aktualiteti edhe sot, kur shtypës, nëpërkëmbës, agresor që e ka vënë popullin me shpatulla pas murit, nuk është më thjesht Serbia, por një kastë politikanësh shqiptarë.

Këta politikanë ia kanë shtrydhur edhe pikat e fundit të djersës e të gjakut Kosovës, duke stërvjedhur e stërdhunuar.

Por, ia dalin të ruajnë pushtetin përmes mbështetjes që e marrin prej disa ambasadorëve, të cilët për Kosovën kanë vetëm një shqetësim, jo demokracinë, jo zhvillimin ekonomik, por thjesht të ruhet statusquo-ja.

Ruajtja e statusquo-s nënkupton ruajtje të raporteve të forcës ekonomike e politike mes kastës të stërpasuruar dhe popullit të stërmjerë, për të mos thënë dhe të përmjerë.

Papunësia mbi 45%, jetesa nën nivelin e varfërisë për mbi 19% të popullsisë, ndërkohë që rreth 10% të tjerë jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme (pra gati 30% në skamje).

Shembull i kësaj është rasti i fëmijës së shqyer nga qentë.

Ai fëmijë nuk po shëtiste në ndonjë park, por ishte duke kërkuar bukë në grumbujt e plehrave, duke u bërë kështu konkurrent i qenve.

Kjo është ruajtja e statusquo-s, kaq e sponsorizuar ndër të tjera edhe nga ambasadorja amerikane Jacobson, e cila publikisht para disa javëve i nxiti disa parti opozitare të bashkëpunojnë me Thaçin, pasi nuk është vetëm Thaçi i korruptuar, por janë edhe ato.

Pra Jacobson lëshoi thirrjen për solidarizim mes të korruptuarve, të cilët asokohe “Vetëvendosje” po përpiqej t’i përçante.

Sepse përçarja e të korruptuarve do të nënkuptonte dobësim të tyre dhe dobësimi i tyre do të nënkuptonte sfidim të statusquo-s.

Kështu që u lëshua haptazi e pa pikë turpi thirrja “hajna të të gjitha ligave, bashkohuni”.

Hajnat e dëgjuan ambasadoren, dhe u mblodhën të përbashkuar rreth flamurit të tyre, që nuk është ai shqiptar.

Ndërsa populli, masat, mbetën me shpatulla pas muri, madje tash gjenden përballë një presioni edhe më të madh të varfërisë dhe të mungesës së shpresës.

Kurrfarë shprese nuk mund të të mbetet në të tilla raste cinike.

Por populli është i njëjti, ai vetvetiu nuk këqyr se si t’i kundërvihet atyre që po ia marrin frymën dhe po e vënë me shpatulla pas muri, por këqyr se si ta thyejë murin e të arratiset diku tjetër.

Arratisjet e preferuara janë ato për në Evropë dhe për në Lindjen e Mesme. Të dyja reflektojnë bindjen e thellë që ky vend s’bëhet më, dhe e keqja është bërë aq e madhe sa s’ia vlen ta luftosh.

Pikërisht ruajtja e kësaj lloj statusquo-je ka prodhuar fenomenin e “Nish Ekspresit”, ku mijëra qytetarë në ditë po nisen për në Serbi për të përfunduar më pas në kampet e refugjatëve në Hungari, Francë e Gjermani, me shpresë se mos gjejnë ndonjë copë punë për të mbajtur familjet.

Ruajtja e kësaj statusquo-je ushqen edhe radhët e ekstremistëve fetarë, të cilët përfitojnë nga rrënimi programatik i identitetit kombëtar dhe i patriotizmit shqiptar, si dhe nga dështimi total i shtetit dhe i drejtësisë që ka ngërthyer në korrupsion lokalë e ndërkombëtarë.

Sigurisht, askush nuk ka qejf të mbajë mbi shpatulla përgjegjësinë për refugjatët e 2014-s, apo për rekrutët e ISIS-it. Kështu që, pse jo, le t’ia hedhim fajin “Vetëvendosjes”.

Ambasadorja, pasi që e kreu punën me qeverinë “Thaçi – Jabllanoviq – Mustafa”, tha në një intervistë se nuk ka qenë asnjëherë kundër “Vetëvendosjes” në qeveri, dhe nuk ka bërë presion për t’u bërë aleanca mes LDK-së e PDK-së.

Por, pse nuk e tha këtë zonja ambasadore para se të krijohej Qeveria, p.sh. në takimin e famshëm me shoqërinë civile, ku vuri standarde të reja për gjuhën diplomatike e politike?

Pse po e thotë që s’ka asgjë kundër “Vetëvendosjes” vetëm tani kur u krijua “boshti i së keqes” në Qeveri?

Kjo deklaratë bie në kundërshtim 100% me atë që kanë thënë publikisht përfaqësues të LDK-së, madje edhe vetë kryeministri “i ri”.

Mustafa ka thënë hapur se ambasadorja ka kundërshtuar përfshirjen e “Vetëvendosjes” në Qeveri. Mes dy palëve njëra gënjen doemos.

Ne nuk kemi qejf të mendojmë se gënjen ambasadorja. Ama kjo nënkupton se na paska sjellë në Qeveri edhe një tjetër gënjeshtar të madh.

Jo se nuk e dinim. Por kishim nevojë edhe për konfirmimin e ambasadores!
Tash ambasadorja po përpiqet të ulë dëshpërimin popullor, duke thënë se shpreson që Qeveria e re të luftojë korrupsionin...

Po të kisha mundësi do t’i jepja një këshillë ambasadores, edhe pse e di që ajo nuk pranon të komunikojë me “Vetëvendosjen”, pasi nuk dëshiron që t’i vihet në rrezik statusquo-ja e hajnave.

E vetmja mundësi që ambasadorja të mbulojë kutërbimin e qeverisjes do të ishte po t’i rikthehej projektit të provuar disa herë (dhe të dështuar disa herë) prej ndërkombëtarëve.

Pra duke ndërtuar një parti të re me atë çka mund të përdoret prej “shoqërisë civile” dhe prej “të pakënaqurve” dhe “të pangopurve” të partive të tjera, duke shtuar aty dhe Mimoza Kusarin e cila ka mbetur pa parti.

Kjo “forcë e re” opozitare do të ndihmohej mediatikisht që të bënte deklarata për “luftë ndaj korrupsionit”, “do të fliste për zhvillim”, por nuk do ta vinte në diskutim “servilizmin ndaj ndërkombëtarëve”.

Ku ka më mirë se sa po të vendoseshin në krye të kësaj force ca “fytyra të reja” me shkollim në Amerikë, e të vazhdonte kështu skenari që tashmë e kemi parë e riparë në Kosovë.

Edhe pse skenari dështimin e ka të garantuar, ambasadorja nuk ka alternativë tjetër për ta mbajtur estradën politike gjallë.
Sepse nëse nuk e krijon një marionetë “të re”, atëherë do t’i duhej të takohej me “Vetëvendosjen” dhe të diskutonte haptazi me të, për kërkesat e të dyja palëve për njëra-tjetrën.

Por “Vetëvendosja” është subjekt serioz, dhe serioziteti është diçka që prish rendin e stabilizuar të kësaj farse që po ndodh në Kosovë.

Sado që të përpiqen ta përbaltin përmes taktikave aspak etike dhe shpifjeve të portaleve, dihet qartë se “Vetëvendosja” nuk ka qenë kurrë e dhunshme dhe nuk është për dhunë, as për luftë, por vetëm për vetëmbrojtje, se nuk ka qenë kurrë dhe nuk është për flirt me fetarë, por vetëm për respektim të të drejtave demokratike në një shtet laik, se nuk ka qenë kurrë dhe nuk është për armiqësi me ndërkombëtarë, por vetëm për demokraci, shtet të së drejtës, reciprocitet në rajon dhe dinjitet. Sepse askush nuk ka të drejtë të na i refuzojë dinjitetin.

“Vetëvendosja” është subjekti i vetëm me program të qartë emancipues dhe progresiv dhe me kapacitetet njerëzore për ta realizuar atë.
Dhe progresi që kërkon “Vetëvendosja”, e për të cilin ky popull ka nevojë urgjente, në mos po do përfundojë masivisht në azil, nuk mund të pajtohet dot me statusquo-n.