Sali Berisha do të garojë i vetëm në zgjedhjet e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike, një proces që vetë ai e ka cilësuar si “modern”. Por për analistin politik Kreshnik Spahiu, kjo është prova se në PD nuk ka pasur kurrë garë të vërtetë për drejtimin e partisë.
I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Spahiu u shpreh se Berisha ka ndërtuar prej dekadash një model politik ku kontrolli mbi partinë nuk është vënë asnjëherë realisht në diskutim.
“Berisha çdo gjë e ka të fundit që do të thotë mitingu i rradhës do të jetë më madhështori i historisë sipas tij, zgjedhjet e ardhshme do të jenë më moderne sipas tij, protesta e rradhës do jetë e fundit që do rrëzojë qeverinë, sipas tij. Pra mendoj që kjo është cilësia dhe karakteri i një politikani të konsumuar i cili ka 40 vjet dhe nuk ka çfarë jep më tepër veçse të përsërisë retorikën e tij politike. ”, tha Spahiu.
Ai u shpreh se në thelb Berisha nuk ka zhvilluar kurrë zgjedhje reale në Partinë Demokratike, duke theksuar se kontrolli mbi partinë ka qenë gjithmonë në duart e tij, edhe kur nuk mbante formalisht postin e kryetarit.
“Në thelbin e vet, Berisha gjithmonë nuk ka realizuar zgjedhje, as brenda partisë, as jashtë saj. Kjo do të thotë se edhe kur ska qenë kryetar, të gjithë e kanë kuptuar që partinë e ka komanduar ai. Asnjeri nuk e ka menduar se kur Berisha ishte president i Shqipërisë, Tritan Shehu ishte kryetar i PD-së. Çdo kush e kuptonte që kryetar partie ishte Berisha. Edhe kur ka patur kandidatë, gara në PD ka qenë me kandidatë fiktivë”, deklaroi ai.
Spahiu shtoi se edhe në rastet kur ka pasur kandidatë përballë Berishës, gara në PD ka qenë formale dhe me kandidatë “fiktivë”.
Duke krahasuar PD-në me Partinë Socialiste, ai tha se socialistët kanë zhvilluar gara të forta për drejtimin e partisë ndër vite. Sipas tij, fakti që Edi Rama nuk sfidohet sot në PS lidhet me faktin se ai fiton zgjedhjet, ndërsa debati për lidershipin lind zakonisht tek partitë humbëse.
“Ky është ndryshimi mes PD dhe PS. Socialistët kanë zhvilluar gara të fuqishme e të forta, mes Majkos dhe Metës, mes Metës apo Nanos, mes Mejdanit apo Ramës. Në tërësinë e vet, kandidatët në PS kanë bërë një garë të fortë për kryetarin. Ata që përpiqen të krahasojnë PD me PS është e padrejtë. Ka njerëz që thonë se edhe Rama nuk organizon zgjedhje, por ka një ndryshim: në të gjithë Europën, partia që fiton zgjedhjet nuk ka debat për kryetarin. Kjo do të thotë që partia që zgjedh kryeministrin, është populli që ka vendosur në mënyrë peblishitare që vendos kush do të jetë drejtues i partisë që merr pushtetin. Debati zhvillohet për partinë që humb zgjedhjet" tha ai.
Në fund, ai akuzoi Berishën se ka krijuar një model të dëmshëm politik, që sipas tij po ndiqet edhe nga partitë e tjera.
“Mosdhënia e dorëheqjes nga Berisha, ka krijuar modelin 40 vjeçar , pra edhe partitë e reja ndjekin të njëjtin model, as nuk rinovohen e as nuk japin dorëheqje. Ky është një model shumë i shëmtuar i bllokimit të establishmentit politik” tha ai.

Gjatë intervistës me emisionin 'Sot Live në Shqipëri' analisti Kreshnik Spahiu komentoi edhe qëndrimin e Sali Berishës ndaj procesit të integrimit europian, duke thënë se kreu i demokratëve bashkoi votat me Edi Ramën për çështje që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimi Evropian, pasi kishte informacion se procesi i negociatave do të avanconte dhe se raporti IBAR do të hapte rrugën për mbylljen e kapitujve.
"“Berisha proteston pas orarit zyrtar dhe gjatë orarit zyrtar bashkon votat me PS-në. Është dëshmi që ai bashkoi votat për rezolutën për anëtarësimin në BE, sepse mori vesh që IBAR do gjejë konsensusin dhe do miratojë hapjen e procesit të rradhës për të shkuar drejt mbylljes së kapitujve. Pra Berisha do të ndajë fitoren me Ramën, suksesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Do të thotë që ‘ne e votuam’ se ‘pa kushtet që vendosëm ne nuk do të futej Shqipëria në BE.’ Pra Berisha është shumë i informuar dhe kontaktet e tij nga Partitë Popullore e kanë rekomanduar që ‘bëhu pjesë se integrimi nuk ndalet.’ Integrimi është proces gjeopolitik, nuk është preferencë qeveritare” tha Spahiu

Kreshnik Spahiu thotë se arsyeja pse në garën për kreun e PD-së nuk ka kandidatë të tjerë, lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e procesit të votimit dhe fshehjen e numrit real të anëtarësisë. Sipas tij, PD-ja, nuk ka më shumë se 10 mijë anëtarë aktivë.
“Sali Berisha i eliminoi të gjithë kundërshtarët brenda partisë, të gjithë kandidatët e saj, cdokënd që do ishte në garë dhe që do të kishte të drejtën për komisionerë. Eliminimi i të gjithë kundërshtarëve bën të mundur që Berisha të fshehë anëtarësinë e vërtetë në PD. Duke votuar një anëtar në votë, nëse do të merrnin pjesë Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Meremja apo Vladimiri, të pestë këta do të kishin komisionerë dhe do numëroheshin të paktën votat e prëgjigjshme. Sali Berisha do ta fshehë rrudhjen e partisë sepse ajo parti nuk ka më shumë se 10,000 anëtarë. Duke mos lejuar kandidatët në garë, Berisha ka vetëm komisionerët e vet dhe do deklarojë 100,000 vota, 100,000 anëtarë. Pra do gënjejë edhe për numrin e anëtarëve dhe votuesve. Ai fsheh rrudhjën e partisë. Berisha përmes eliminimit të kundërshtarëve, eliminon ccdo lloj fraksioni që në të ardhmen do të zyrtarizohej dhe në zgjedhjet e ardhshme, kur Berisha të jetë 90 vjec, ai fraksion do të ishte në rritje" tha Spahiu

Analisti Kreshnik Spahiu kritikoi sot mungesën e garës në Partinë Demokratike dhe aftësinë e Sali Berishës për të fituar zgjedhje. Me tone ironike, Spahiu tha se e vetmja mundësi që Berisha të fitojë zgjedhje është që fleta e votimit të ketë vetëm emrin e tij dhe të PD-së.
“Berisha, i cili ka më shumë se 20 vjet që nuk fiton zgjedhje, as brenda e as jashtë partisë, ka vetëm një mundësi të fitojë zgjedhjet: të ketë një fletë votimi pa rival. Vetëm kjo është mundësia që Berisha të fitojë zgjedhjet. Vetë e deklaron që Edi Rama nuk largohet me votime dhe se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Ai do që PS të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe Edi Rama të mos jetë në garë” tha Spahiu
Komente










