Viti 2026 do të jetë vendimtar për strategjinë e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, gjatë ceremonisë së nisjes së presidencës italiane të Strategjisë Evropiane për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), të mbajtur në selinë e Unioncamere në Romë.
“Gjatë presidencës sonë do të forcojmë angazhimin për rikthimin e Ballkanit në historinë evropiane, që është një prioritet absolut strategjik për qeverinë dhe për mua personalisht. Është investimi më i madh strategjik që mund të bëjë Evropa. Viti 2026 është një vit vendimtar”, deklaroi Tajani.
Sipas tij, Italia do të punojë për të çuar përpara të gjitha prioritetet e strategjisë EUSAIR, me fokus te lidhjet infrastrukturore dhe energjetike, të cilat i cilësoi thelbësore për forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe diversifikimin e tyre.
Tajani tha se Italia është në vijën e parë të zhvillimit të korridoreve të mëdha logjistike, si IMEC, që synon të lidhë Evropën me tregjet aziatike, ndërsa porti i Triestes dhe rrjeti i porteve të Adriatikut do të kenë një rol kyç.
Ai përmendi gjithashtu mbështetjen e Italisë për zhvillimin e Korridorit VIII, rëndësinë e punimeve në Korridorin X, si edhe projektin për linjën hekurudhore Trieste-Zagreb-Ljubljanë-Beograd, për të cilën po kryhet një studim paraprak.
“Do të punojmë për rezultate konkrete që u shërbejnë bizneseve dhe qytetarëve tanë: më shumë lidhje, më shumë tregti dhe më shumë mirëqenie. Së bashku do ta bëjmë rajonin Adriatiko-Jonian një hapësirë gjithnjë e më të madhe dialogu, stabiliteti dhe zhvillimi, duke nxitur ribashkimin e Ballkanit me Evropën”, u shpreh ministri italian.
Komente






