Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një aspiratë, por një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen e Evropës. Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Konferencës mbi Mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua dje në Luksemburg.

Në fjalën e tij, Hoxha tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me atë të Bashkimit Evropian dhe se anëtarësimi në BE mbetet projekti kombëtar i Shqipërisë, që udhëheq reformat dhe forcimin e institucioneve.

Ministri vlerësoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar një mekanizëm që mbështet vendet që avancojnë me reformat dhe forcon qeverisjen, llogaridhënien dhe kapacitetet institucionale.

Duke folur për ecurinë e Shqipërisë, Hoxha bëri të ditur se vendi ka siguruar 212.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, shuma më e lartë e përfituar nga një vend i Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, kjo është rezultat i zbatimit të reformave.

Ai theksoi gjithashtu se procesi i reformave duhet të lidhet më ngushtë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në mënyrë që progresi i vendeve kandidate të jetë më i shpejtë dhe më i parashikueshëm.

Në përfundim, Hoxha tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një përgjegjësi e përbashkët, duke theksuar se vendet kandidate duhet të vijojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që progresi real të njihet dhe të shpërblehet, pasi besueshmëria dhe besimi i ndërsjellë janë thelbësore për suksesin e procesit