Prindërit dhe grupet që kërkojnë kufizime më të rrepta mbi rrjetet sociale e kanë mirëpritur vendimin e një gjykate në Los Anxhelos, e cila i dha një fitore të paprecedentë një vajze të re e cila kishte paditur Meta dhe Youtube për varësinë e saj nga rrjetet sociale gjatë fëmijërisë.

Gjykata vendosi se Meta, e cila është pronare e Instagram, Facebook dhe WhatsApp, dhe Google, i YouTube, qëllimisht krijuan platforma sociale që shkaktonin varësi dhe dëmtuan shëndetin mendor të 20-vjeçares.

Kaley u dëmshpërblye me 6 milionë dollarë, një rezultat që pritet të ketë ndikim në qindra raste të ngjashme që aktualisht po kalojnë përmes gjykatave amerikane.

Meta dhe Google thanë se nuk pajtoheshin me vendimin dhe kishin ndërmend ta apelonin.

Meta deklaroi: “Shëndeti mendor i adoleshentëve është jashtëzakonisht kompleks dhe nuk mund të lidhet me një aplikacion të vetëm. Ne do të vazhdojmë të mbrohemi me vendosmëri, pasi çdo rast është i ndryshëm, dhe kemi besim te të dhënat tona në mbrojtjen e adoleshentëve online.”

Një zëdhënës i Google tha: “Ky rast keqkupton YouTube, i cili është një platformë transmetimi e ndërtuar me përgjegjësi, jo një faqe rrjeti social.”

Gjykata vendosi që Kaley të marrë 3 milionë dollarë si dëmshpërblim kompensues dhe 3 milionë dollarë të tjerë si dëmshpërblim ndëshkues, sepse ata përcaktuan se Meta dhe Google “vepruan me keqdashje, shtypje ose mashtrim” në mënyrën se si kompanitë operonin platformat e tyre.

Meta pritet të mbulojë 70% të dëmshpërblimit, ndërsa Google 30%.

Prindërit e fëmijëve të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e padisë së Kaley, por pretendojnë se gjithashtu janë dëmtuar nga rrjetet sociale, po prisnin jashtë gjykatës. Gjyqi zhvillohej prej 5 javësh.

Kur u dha verdikti, prindër si Amy Neville u panë duke festuar dhe duke përqafuar prindërit dhe mbështetësit e tjerë që kishin pritur për një vendim.

Vendimi erdhi një ditë pasi një gjykatë në New Mexico tha se Meta është përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikojnë fëmijët dhe i ekspozojnë ata ndaj materialeve seksualisht eksplicite dhe kontakteve me grabitqarë seksualë.