Në 15-vjetorin e ngjarjes tragjike të 21 janarit, avokati Fran Dashi mendon se çështja do të shkojë shumë shpejt për gjykim dhe autorët do të dalin para drejtësisë. “Është çështje javësh”, tha ai në një intervistë me “Studio Live” në Report TV.

Sipas tij zbardhja e ngjarjes dhe dalja e autorëve para drejtësisë do të jetë rezultat edhe falë rikuperimit të provave dhe serverave të Kryeministrisë. 

“Është një provë shumë e fuqishme që është rikuperuar: qendrat e kamerave të sigurisë. Aty mendohet se është një provë e pakontestuar që do t’i japë zgjidhje përfundimisht ngërçit të 21 janarit" tha ai.

Duke analizuar të gjithë ngjarjen, Dashi shprehu keqardhjen që zbardhja e saj dhe dalja e autorëve para drejtësisë nuk pati një fillim të mbarë. Sipas tij, i gjithë zinxhiri komandues i Gardës së Republikës, si edhe drejtori dhe nëndrejtori i Policisë së Shtetit të asaj kohe, duhej të ishin prapa hekurave.

“Unë mendoj që zbardhja e së vërtetës nuk ka filluar mbarë. Fakt konkret: ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama nxori 4 urdhër-arreste për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, por drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ktheu mbrapsht për plotësime – jo të atësisë, jo të ditëlindjes – që nuk ishin të sakta. A kishte mundësi prokurorja e përgjithshme që për gjysmë ore t’i identifikonte të dhënat e sakta të të gjithë zinxhirit komandues, për të cilët kishte urdhër? Nëse policia nuk i ekzekton urdhrat e ndalimit,  Ina Rama kishte të drejtën ligjore të arrestonte shkaktarët që pengojnë arrestimin dhe zbatimin e urdhrave të ndalimit të prokurorisë. Më pas gjithçka filloi të zbehej. Çështja kaloi nga hetimi në gjykim; u mor i pandehur vetëm oficeri Agim Llupo dhe pas disa seancash u mor i pandehur edhe Ndrea Prendi, drejtues i Gardës. Njëri u dënua me 1 vit burg, tjetri me 2 vjet burg. Për mendimin tim, në atë kohë prokuroria ka bërë një punë sistematike, ka kërkuar masa të ashpra dënimi, por ato u zbutën jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë, por edhe në atë të Lartë; ata u liruan dhe ikën. Për 4 viktima, minimalisht duhej të ishte i gjithë zinxhiri komandues i Gardës së Republikës, si edhe drejtori dhe nëndrejtori i Policisë së Shtetit të asaj kohe, prapa hekurave”, tha ai.

Sipas Dashit, politika ka futur hundët në sistemin e drejtësisë duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

“Dihet që Garda shkon me atë që ka pushtetin. Në atë kohë, në pushtet ishte Sali Berisha me PD-në; Garda komandohej nga Ministria e Brendshme që drejtohej nga Lulzim Basha, dhe kuptohet që politika fut hundët në sistemin e drejtësisë”, tha ai.

Megjithatë, Dashi beson se rezultatet e punës së SPAK në zbardhjen e së vërtetës do të jenë të shpejta.

“Besoj që prokurori që po ndjek çështjen e 21 janarit po ecën me shpejtësi dhe besoj se do të ketë rezultate konkrete dhe do të ketë arrestime për këtë çështje. Janë 4 viktima! Të mos harrojmë që djali i njërit prej viktimave bëri vetëvrasje në Fier, sepse u sforcua duke parë që nuk po merrte drejtësi për babain. Familjet e 4 dëshmorëve të 21 janarit kanë kaluar trauma shumë të mëdha. Është momenti historik i SPAK që ta zbardhë ngjarjen e 21 janarit dhe t’i vërë prapa hekurave përgjegjësit që e shkaktuan atë”, tha ai.

Sipas Dashit, SPAK duhet të hetojë edhe “komandantin e zjarrit”, i cili pas Gardës u bë kryetar bashkie dhe më pas deputet.

“Unë besoj që dy persona u dënuan dhe mund të rikthehen sërish hetimet, qoftë për ish-komandantin e Gardës dhe oficerin që qëlloi. Është folur shumë për komandantin e zjarrit që pasi la detyrën në Gardë u emërua kryetar bashkie dhe u bë deputet. Ai duhet të merret në përgjegjësi penale. SPAK duhet ta hetojë deri në bërthamë pozicionin e tij atë ditë, deri sa u largua nga Garda. Le të jetë deputet, pak rëndësi ka. SPAK nuk pyet për emra. SPAK mbështetet totalisht nga SHBA që japin ndihmë juridike”, tha ai.

Duke komentuar deklaratat e Edi Ramës dhe Sali Berishës për 15-vjetorin e 21 janarit, ku akuzonin njëri-tjetrin për atë që ndodhi, avokati tha:

“Sot për sot, ata janë liderët kryesorë në Shqipëri dhe kanë vite që sundojnë politikën. Unë nuk dua të mbroj asnjërin prej tyre. Në aspektin procedurial, pozicioni i Edi Ramës me protestuesit ndryshon si dita me natën, me pozicionin e Berishës me Gardën e Republikës. Nuk mund të them që protestuesit nuk kanë sulmuar policinë me gurë spontanisht, por ndaj tyre është përdorur arma e zjarrit, jashtë rrethimit të Kryeministrisë. Katër protestuesit kanë qenë jashtë rrethimit. Është fakt i pamohueshëm. Berisha le të bëjë deklarata sa të dojë. Kryeministri ka detyrim ligjor dhe moral para familjarëve të protestuesve që të investohet si mazhorancë për t’i ofruar SPAK-ut të gjithë ekspertizën dhe ndihmën, me prova dhe fakte, për të zbuluar autorët e vërtetë dhe për t’i vënë pas hekurave kushdo qoftë ai. SPAK heton me prova dhe fakte pavarësisht emrit”.

Duke krahasuar edhe tragjedinë e 21 janarit me atë të Gërdecit, Dashi i bëri thirrje SPAK që t’i ndalojë Fatmir Mediut daljen jashtë shtetit duke i bllokuar pasaportën, një masë që sipas tij është e justifikuar nga rëndësia e ngjarjes.

“Unë do t’i kërkoja SPAK-ut që të marrë një masë sigurie ndaj Fatmir Mediut për çështjen Gërdeci: qoftë ndalim për dalje jashtë shteti duke i bllokuar pasaportën. Fatmir Mediu shkon dhe bën foto me kongresmenë në Amerikë dhe do të impresionojë SPAK. I bëj thirrje që urgjentisht të nxjerrë një masë sigurimi ndaj Fatmir Mediut, t’i bllokojë pasaportën, ta gjykojë dhe nëse del i pafajshëm, le të vazhdojë jetën parlamentare. Të akuzohesh për dy vepra penale të rënda dhe të mos kesh asnjë masë sigurimi? Vepra penale e Mediut, në raport me veprën penale të Berishës, ndryshon si dita me natën”, tha ai.

Dashi e konsideron punën e SPAK për zbardhjen e së vërtetës si një moment historik.

“Nëse SPAK dëshiron të tregojë veten se kush është, e ka momentin më të bukur historik për ta bërë këtë. Hetimet do mbyllen në pak javë: do thirren autorët përgjegjës, do u komunikohen akuzat dhe më pas çështja do shkojë në gjykim. Hetimi po ecën me shpejtësi. Familjarët e viktimave i kam parë më entuziastë dhe besimplotë për zbardhjen e së vërtetës”, tha ai.