21 Janari, saga 7-vjeçare e
padrejtësisë, Byroja shansi i fundit

21 Janari, saga 7-vjeçare e<br />padrejtësisë, Byroja shansi i fundit<br>
Shtatë vite më parë, pikërisht në 21 Janar 2011, Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke varë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Ky shtatëvjeçar është shënjuar nga një padrejtësi emblematike, nga përbetime, akuza, kundërakuza, kërcënime, hetime, ekspertiza, ndryshim akuzash, dështime, premtime, shpresa dhe zhgënjime. Që nga 21 Janari, në krye të organit të akuzës kanë ardhur tre kryeprokurorë, fillimisht ishte Ina Rama, më pas erdhi Adriatik Llalla dhe tashmë është Arta Marku. Megjithatë, në gjyq përfunduan vetëm dy persona, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të cilët morën një dënim qesharak nga Gjykata e Apelit me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Prokuroria e Përgjithshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Kësaj të fundit iu deshën plot tre vite për t’u këshilluar për çështjen. Pas tre viteve, Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë, duke i vënë kapak çështjes së 21 Janarit.

Ndërsa gjykata tjetërsoi akuzën, Prokuroria nuk hetoi dhe nuk ngriti akuza për urdhëruesit e vrasjeve, pjesëmarrësit e tjerë në vrasje, për urdhëruesit e dhunës, për ata që urdhëruan fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, ata që fshinë pamjet filmike, për ata që prishën provat e tjera, për ata që ndryshuan armët, për ata që refuzuan të zbatonin urdhër-arrestet e prokurorisë, për atë që deklaroi se mund të vriteshin edhe 300 etj.

Strasburgu

Më 5 dhjetor 2012, familjarët e viktimave të 21 Janarit iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me një kërkesë për konstatimin e shkeljes së procedurave të gjykimit të dosjes së 21 Janarit nga gjykatat shqiptare. Kërkesa u nënshkrua nga Ana Veizi, Klajdi Veizi, Çaush Veizi dhe Zabit Deda. Ana dhe Klajdi Veizi, bijtë e Ziver Veizit, i vrarë në 21 Janar 2011, kërkuan që të ishin pjesë e procesit gjyqësor për 21 Janarin, por kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata e Tiranës.

Ata kërkuan akuzuan gjithashtu gjykatat shqiptare për gjykim të njëanshëm. Gjykata konstatoi shkeljen e të drejtave në gjykim, vendosi dëmshpërblimin e familjarëve dhe pranoi deklaratën e qeverisë për të rihapur çështjen. “Gjithashtu, Qeveria ndërmerr hapa të rihapë procedimet penale vendëse në këtë çështje për të përfshirë të afërmit e viktimës në këto procedime”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.

Mundësia e fundit

Organet e reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelet e lartat, të cilat pritet të ngrihen gjatë vitit 2018, janë mundësia e fundit për të hetuar në mënyrë shteruese dhe të paanshme ngjarjet e 21 Janarit, duke vënë protagonistët para përgjegjësisë. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë Speciale dhe Gjykatat e Posaçme.

Së pari, Kushtetuta e re dhe ligji për SPAK ka hequr kufizimet kohore për Byronë e Hetimit dhe Prokurorinë Speciale, për hetimin e çështjeve të ndryshme, sidomos kur të implikuar janë funksionarë dhe ish-funksionar të lartë. Pati një përpjekje për të kufizuar hetimet vetëm nga viti 2013 por më pas, por kjo pengesë u hodh poshtë.

Së dyti, në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë është edhe vrasja në rrethana të tjera cilësuese, që dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Kjo vepër penale është konfirmuar disa herë në 21 Janar. Së treti, sipas ligjit për SPAK, të gjitha entet publike dhe individët janë të detyruar të bashkëpunojnë në Byronë e Kombëtare të Hetimit kur janë në dijeni apo kanë dyshime të konsumimit të një vepre penale në kompetencë të Byrosë së Hetimit.

Prokuroria

Prokuroria nuk hetoi dhe nuk ngriti akuza për urdhëruesit e vrasjeve, pjesëmarrësit e tjerë në vrasje, për urdhëruesit e dhunës, për ata që urdhëruan fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë etj.

Gjykata

Gjykatës së Lartë iu deshën tre vite për t’u këshilluar për çështjen. Pas tre viteve, Kolegji Penal la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë, duke i vënë kapak çështjes së 21 Janarit.

Si u zbuluar plani për reprezalje në 21 Janar

Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj kishin përgatitur dhe udhëzuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që të qëllonin protestuesit gjatë demonstratës së 21 Janarit. Plani i Bashës dhe Kuliçajt pasqyrohet në një raport sekret të SHKB. “Me shkresë Nr. 136/2, datë 21.01.2011, është bërë instruktazhi i trupave të FNSH 712,Tiranë.

Në këtë instruktazh specifikohet që veprimet e trupave do të bëhen në grup, vetëm me urdhër të drejtuesve të shërbimit. Armët e zjarrit personale do të sigurohen në Repartin 712, që të mos jenë të pranishme gjatë zhvillimit të demonstratës, si dhe efektivi të jetë i veshur me pajisje speciale ROBOKOP.

Gjithashtu, ekipi i armëve speciale, i granatave me gaz, i fishekëve plastikë, të përdorë pajisjet vetëm me urdhër nga Drejtoria e FLO, si dhe gjatë përdorimit të tyre të kihet kujdes duke synuar gjymtyrët e poshtme. Me Urdhër Nr. 143, datë 21.01.2011, Komandanti i Repartit FNSH 712, Tiranë, ka vendosur daljen me shërbim të efektivit”, thuhet në raportin e SHKB.

Njollat e 21 Janarit, si u fshehëm gjurmët e krimit

Ajo çfarë ndodhi pas vrasjeve të 21 Janarit, konsiderohet po aq e rëndë sa edhe ekzekutimet në bulevard. Menjëherë pas vrasjeve, pati një nxitim të mjekëve të Spitalit Ushtarak, teksa thanë se, protestuesit ishin vrarë nga afër, duke ia pasuar përgjegjësinë organizatorëve të protestës. Por, vetëm disa orë më pas, disa pamje filmike rrëzuan pistën e mjekëve.

Ngjarjet pasuan me refuzimin e Policisë së Shtetit, për të zbatuar urdhër arrestet e Prokurorisë, për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Pati disa alibi për refuzimin e zbatimit të urdhër-arresteve deti tek gabimet ortografike. Po ashtu, më vonë rezultoi se pamjet filmike nga serveri i Kryeministrisë ishin fshirë natën e 21 Janarit. Edhe për zhdukjen e pamjeve filmike pati disa alibi nga kryeministri i asaj kohe. Për këtë çështje, prokuroria çoi në gjykatë ish-shefin e IT, Armando Kasaj, por që u shpall i pafajshëm.

Dyshime të forta ka pasur edhe sa i takon regjistrit të armatimit të Gardës së Republikës, ku institucionet nisën të shfajësoheshin dhe t’ia pasonin përgjegjësinë njëri-tjetrit. Po ashtu, janë korrigjuar dhe ndryshuar edhe dy urdhra të ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për përdorimin e lëndëve me elementë helmuese. Kështu, fjala “lakrimogjenë” ka qenë “homogjenë”.

Ndërkaq, akti më i rëndë është konstatuar nga Prokuroria, e cila akuzoi ish-komandantin e Gardës së Republikës, për ndryshimin e tytës së pistoletës, me qëllim për të fshehur gjurmët dhe përgjegjësinë. Po ashtu, ka pasur ndryshim pistash dhe alibish nga Sali Berisha për vrasjet në bulevard. Fillimisht, Berisha hodhi idenë se vrasjet ishin kryer nga brenda turmës.

Më pas, pranoi vrasjet nga ana e Gardës së Republikës, por tha se protestuesit kishin kaluar rrethimin. Kur edhe ky argument ra, Berisha foli për një puç shteti, me thika me helm, çadra-pistoletë, makina me tritol etj. Përpos, vrasjeve dhe plagosjeve, ka pasur edhe një proces për protestuesit dhe organizatorët e protestës. Organizatorët u amnistuan, ndërsa janë dënuar nga gjykata disa protestues. 

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm