Ceka: 20 anije antike i lëmë nën ujë...rrezikohen nga pirateria

Arkeologët shqiptarë zhvilluan sot konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2018”. Gjatë këtij aktiviteti specialistët e Institutit të Arkeologjisë ndalën tek puna e bërë gjatë vitit që lamë pas, evidentimet, por edhe gërmimet, që kanë sjellë risi në fushën e trashëgimisë sonë arkeologjike. Arkeologu Ilir Gjipali, shef i Departamentit të Prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë vlerëson si risi gjatë vitit të kaluar zbulimet në pellgun e Shqipërisë Veri-Perëndimore, ku janë zbuluar qindra varreza tumurale.

 “Kërkimet prehistorike vitet e fundit janë përqendruar në një rishikim të territoreve, që jo se nuk janë bërë më herët, por me teknika dhe metodologji të reja është bërë e mundur të thellohet njohja, për fushën e prehistorisë. Gjë që është bërë në territorin e Shqipërisë së Veri-Perëndimore, pellgu i Shkodrës me Mbishkodrën, për varrezat tumurale, në pellgun e Shqipërisë Juglindore, në Shqipërinë Jugperëndimore edhe në territore të brendshme, që hedhin dritë mbi procese edhe fonemone, në përgjithësi për ilirët. Risi është në pellgun e Shqipërisë Veri-Perëndimore, në Mbishkodër janë zbuluar me dhjetëra varreza tumurale të reja dhe janë futur në hartën digjitale,  që futen edhe në fondin e trashëgimisë kulturore. Varrezat mbajnë brenda varre edhe objekte që plotësojnë njohjen tonë për zhvillimet ekonomike periudhë. Në gjithë pjesën e Shqipërisë Veriperëndimore janë me qindra tuma të reja, që nuk njiheshin më herët. Kjo është risi, se është një numër i jashtëzakonshëm për prehistorinë. Kështu është edhe situata në Korçë, që mbetet baza e kërkimeve prehistorike në Shqipëri. tani po zbatohen teknika të reja” tha Ilir Gjipali, shef i Departamentit të Prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë.

Ndërsa, sa i përket konservimit të objekteve që janë zbuluar nga gërmimet, Gjipali shton, se “Jo të gjitha janë të gërmuara, këto janë vetëm evidentime. Evidentohen ato gërmime që janë shkaktuar nga gërmimet ilegale. Kërkime ilegale ka nga thesarkërkuesit se kanë dëmtuar pjesë-pjesë se bëjnë gërmime klandestine. Këto i kemi evidentuar. Ka në të gjithë territoret tona, kjo është një nga shqetësimet tona edhe të drejtorive rajonale. Janë individë që kërkojnë thesare me qëllim përfitimi. Si në Jug dhe në Veri, në Lindje kemi parë se kanë vënë dorë në monumente të prehistorisë, ka ndërhyrje që kanë vënë dorë”.

Edhe arkeologu Neritan Ceka e sheh shqetësim këtë pjesë, përsa i përket zbulimeve nënujore “Kemi dy ekspedita, një që është për njohëse në kepin e Rodonit edhe të Ohrit, që identifikon anije të mbytura. Edhe një ekspeditë, që kalon periudhën 10-vjeçare, që ka nisur identifikimin e relikeve nënujore, që nga kufiri me Greqinë dhe kanë ardhur deri në ishullin e Sazanit. Janë zbuluar mbi 20 anije antike me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë lëvizjen e transportit dhe mos t’i identifikojmë, t’i lëmë nën ujë, se rrezikohen nga banditizmi dhe pirateria”.

Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita, teksa flet për 22 projektet që janë zhvilluar gjatë vitit që lamë pas, falë edhe bashkëpunimeve me universitetet e huaja, shton se qeveria jonë për fushën e arkeologjisë, akordon vetëm 60 mijë euro në vit për kërkime. “Viti 2018 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për angazhimet e Institutin Arkeologjikë edhe të partnerëve tanë në kërkimet arkeologjike shqiptare. Kemi rreth 22 projekte, të cilat një pjesë e mirë behët në bashkëpunim me universitetet e huaja, Italisë, Gjermanisë, Francës etj. Ndërsa një pjesë nga IA dhe me shkollën doktorale”.

Si zonë me potenciale arkeologjike të rëndësishme Përzhita veçon Durrësin, për të cilin tashmë kemi edhe një hartë topografike, që e mbron këtë qytet nga zhvillimi urban. “Arkeologjia këtë të mirë ka se pas çdo gërmimi ka zbulime dhe mistere të reja, që duhet që t’i zgjidhësh në të ardhmen, por besoj se disa janë zonat e suksesshme të këtij viti, si Apolonia, Bylisi, Hadrianopoli, Butrinti, qendrat tradicionale që janë vazhdimisht në kërkime. Unë do të veçoja Durrësin, qoftë ekspedita brenda qytetit të Durrësit, duke gjetur pak hapësirë që ka mbetur nga ndërtimet moderne, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me 7 Durrës antikë, që ndodhen poshtë Durrësit modern që shohim sot. Sot ne kemi aktualisht një hartë të të gjithë potencialit arkeologjik që ndodhet në qytetin e Durrësit, duke përfshirë në të edhe objekte, që janë zbuluar më parë, por edhe ato që janë të pazbuluara. Ne vazhdojmë herë pas here gërmimet, për të sqaruar shumë çështje që kanë të bëjnë me muret rrethuese, me godina antike, me zhvillimin social-ekonomik, e shumë të tjera. Por krijimi i kësaj harte topografike të të gjithë siteve arkeologjike që ndodhen tashmë në qytetin e Durrësit është një mbrojtje paraprake që do t’i bëhet dhe zhvillimit urban që do të ketë Durrësi në mënyrë sistematike në kohët tona moderne. Kufiri nuk ka ndryshuar, por me vendim të këshillit të Ministrave, zonat A dhe zona B,  janë më mirëtëkufizuara. Nëse ka pas evazive ndonjë pjesë të këtyre zonave, ato janë të mirëkufizuar edhe në aspektin teknik. Është bërë një rregullore e zhvillimit të zonës A dhe B edhe të formës se si do të zhvillohen zhvillimet urbane”.  

 “Ne punojnë për kërkime shkencore  me fonde që na vijnë nga jashtë, kryesisht me bashkëpunimet që na vijnë nga universitetet. Këto bashkëpunime janë pjesë e një bashkëpunimi të përbashkët, duke qenë se nuk jemi pjesë e BE përfitimet janë të pakta. Fondi i shtetit është vetëm 60 mijë euro në vit” tha Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë.

Ndërsa, për konservimin e zbulimeve që bëhen gjatë gërmimeve arkeologu shprehet se “Megjithë mend ne jemi në një situatë, që nuk mban më ujë. Por ne po specializojmë tre studentë që kur të hapim laboratorin e ri ata të jenë të diplomuar për këtë çështje. Falë edhe kësaj, me projekte të tjera do të dërgojmë edhe pesë student për specializim për metaliken (bronxi, ari, dhe mermeri). Sa i përket vendosjes së laboratorit ne kemi filluar punimet. Kemi hapur një pjesë të godinës sonë në pjesën e fondeve arkeologjike. Është miratuar plani i ndërhyrjes dhe besoj se në fund të muajit prill do të vijë laboratori nga Italia” theksoi Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë.

 “Ekspeditat e departamentit të antikitetit, shtrihen nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, në një periudhë kohore që shtrihet nga shekulli i VI-të para erës sonë, deri në shekullin e katërtë para erës sonë. Rezultatet e kësaj periudhë janë komplekse edhe të bukura, sepse hedhin dritë mbi këtë pjesë të historisë. Ekspeditat nisin nga Veriu në Bushat, në Durrës, Apolloni etj” Belisa Muka, përgjegjse për antikitetin

 “Për zbulime konkrete mund të them se në qytetin e Durrësit janë zbuluar pjesë të reja të fortifikimit të qytetit dhe pjesë të reja nga urbanistika dhe topografia e qytetit të Durrësit. Në kështjellën e Vigut janë bërë gërmime edhe janë sjellë rezultate të reja mbi funksionin e kësaj kështjelle. E kontestuar jo vetëm thjesht si një pikëmbështetje në vijën romake, por edhe si mbrojtje e periudhës për zonën minerale të Pukës dhe Mirditës etj” Gëzim Hoxha, përgjegjës për periudhën e Antikitetit të vonë

Çfarë ndodh me këto zbulime më pas? “Kjo është një pyetje shumë e gjerë, që në fakt nuk na përket vetëm neve, ne kryejmë detyrën tonë, bëjmë gërmime edhe marrim masat që merr një ekip shkencor. Por kjo duhet pasur në një shkallë më të gjerë, me institutet që merrem me konservimin, konsolidimin edhe ruajtjen e plotë të trashëgimisë sonë kulturore.  Në pikëpamjen time duhet që të ketë, por jo gjithmonë ecën në një rrugë normale, sepse nuk ka një koordinim perfekt të institucioneve. Gjëra urgjente në departamentin tonë nuk kam parë, por që mund të harmonizohet edhe mund të bëhet më mirë, kjo është e pritshme” perfundoi Gëzim Hoxha, përgjegjës për periudhën e Antikitetit të vonë. Një hap i rëndësishëm për arkeologjinë e vendit tonë është laboratori i ri, që gjatë muajit prill-maj pritet të jetë në Institutin e Arkeologjisë.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë