25 vjeçarja rrëfen në 'Rreze Dielli' dhunën e bashkëjetuesit të saj: S'doja që vajza të rritej pa baba

“Doja që vajza të rritej me baba, por më frikësonte edhe çfarë do të thoshin njerëzit, ndaj durova”.

Është ky rrëfimi i një 25 vjeçare e cila pas 3 vitesh dhunë psikologjike dhe fizike, vendosi të denoncojë bashkëjetuesin e saj me të cilin ka dhe një fëmijë. Ana (emri jo i vërtetë i gruas) ka treguar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV kalvarin e vuajtjeve deri sa mori guximin për të raportuar dhunën.

Ndryshimet e fundit ligjore që u miratuan nga parlamenti në korrik të këtij viti, kanë ashpërsuar masat kundër personave që ushtrojnë dhunë duke shkuar përtej institucionit të martesës, dhe për herë të parë përfshijnë si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift.

Pra një vajzë apo një grua mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit. Vetë Ana tregoi se kishte bërë denoncimin me frikën se nuk do ta merrnin seriozisht.

Rasti i saj por edhe të shumë njerëzve të tjerë që tashmë duhet të informohen për këto ndryshime ligjore që u japin më shumë mbrojtje, ishte pjesë e diskutimit në studion e “Rreze Dielli” ku 2 të ftuarat Ines Leskaj, drejtore ekzekutive e AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas)  dhe Voltiza Prendi, eksperte komunikimi folën pikërisht për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me mekanizmat e rinj të mbrojtjes nga dhuna.

Ana ti ke bërë një denoncim në korrik të këtij viti, për dhunë nga bashkëjetuesi yt. Çfarë ka ndodhur konkretisht?

Unë kam bashkëjetuar për 7 vite. E kam njohur personin në fjalë që në gjimnaz. Situata për disa vite ishte normale, nuk kishim konflikte të tipit që të shkonim deri te dhuna, deri në goditje. Vitet e fundit fillloi të shfaqte shumë dhunë psikologjike, shumë presion, filloi edhe të më godiste.

Si dhunë psikologjike, çfarë të thoshte?

Afërsisht në vitet e fundit të shkollës së lartë ka filluar të ushtrojë edhe dhunë fizike. Nuk më linte që të qëndroja më gjatë në shkollë, kur unë kisha ndonjë detyrë, ose doja të pija ndonjë kafe me shoqet. Më thoshtë që duhet të shkoja në shtëpi. Pastaj atje fillonte bërtiste. Më thoshtë që “s’ke bërë këtë ose nuk ke gatuar”

Ti si reagoje?

Në fillim edhe unë i kundërvihesha. I thosha pse më thua kështu, kam edhe unë të drejtë të pushoj. Vazhdoi për disa kohë kështu, më pas sikur e pranova disi dhunën dhe atë çfarë po ndodhte. Këtë gjë e bëja prej vajzës, thosha që janë gjëra që ndodhin dhe vajza ka të drejtë të ketë babain. Pavarësisht se më kanë këshilluar që të largohesha prej tij që në momentet e para që më dhunonte, duke qenë se isha dhe në bashkëjetesë dhe nuk do kisha procedura të gjata për tu darë nga ai. Gjithsesi opinioni këtu është shumë shumë i rëndë dhe unë gjithmonë mendoja që çfarë do thonë të tjerët. Isha edhe e lidhur shpirtërisht me atë.

Ti vajte bëre dënoncimin në korrik. Si të pritën në Komisariat?

Kisha dëgjuar që shumë vajzave nuk ia pranonin dënoncimin, ose mundoheshin ta anashkalonin. Por mua më shkoi mirë, ma pranuan dënoncimin dhe dhanë urdhrin e mbrojtjes menjëherë, derisa erdhi vendimi i gjykatës. Nga ai moment , më pas nuk kam patur më kontakte me personin që kam bashkëjetuar.

Pasi bëre dënoncimin, u largove nga shtëpia?

Unë u largova dhe shkova tek familjarët e mi që më dhanë shumë mbështetje dhe vazhdoj ende të jetoj me ta.

Po bashkëjetuesi yt si reagoi kur mori vesh për dënoncimin?

Bashkëjetuesi im nuk e priti mirë normalisht. Vazhdonte të më shqetësonte në telefon. Pas ca kohësh sikur është distancuar dhe nuk kam më kontakte me të. Gjithmonë kam menduar që është më mirë për vajzën time të mos rritet me atë frymë familjare, sepse e vija re kohët e fundit që sikur frikësohej, trembej shumë.

Episodet e dhunës kanë ndodhur edhe në sy të vajzës?

Kanë ndodhur edhe në sy të vajzës, pavarësisht se i thoshim që të largohej në dhomën tjetër , ajo shikonte dhe dëgjonte. Kur më shikonte mua që qaja, më përqafonte dhe e kuptoja që po ndikonte shumë keq edhe tek vajza.

Çfarë të thanë në Komisariat?

Mesa duket e ka njohur ligjin. Mua më thanë që bëra shumë mirë që bëra dënoncimin.

Mendon që funksionoi urdhri i mbrojtjes?

Në rastin tim mendoi se funksionoi, të paktën deri në këto moment që jam tani. Jam e frikësuar se mund të ndoshë diçka ose mund të shfaqet diku, por sikur është distancuar dhe nuk kam patur kontakte as këtë muajin e fundit. Njerëzit që kam afër sikur më japin më shumë besim. Ata nuk më lënë vetëm, edhe kur dal jam e shoqëruar, deri sa edhe situata të qetësohet akoma më shumë.

Sa herë që mendoje të ndaheshe, kush ishte ajo që të ndalte më shumë?

E para gjë sihte vajza ime sepse unë mendoja që çdo fëmijë meriton ti ketë të dy prindërit, edhe babain edhe nënën sepse gjithësecili ka atë pjesën e vet të dashurisë.  Duke u ndikuar edhe nga pjesa e opinioneve që janë shumë vrasëse. Të shohin dhe thonë po kjo si do të jetëojë me vajzën e vogël. Edhe fakti që unë kisha mbaruar shkollën me të vërtetë, por nuk kisha punuar asnjëherë sepse ai nuk më la që të punoj. Mendoja si do ia dal e vetme. Më në fund e mora vendimin dhe falë Zotit që familja ime dhe shoqëria më kanë qëndruar pranë .

Ke ndërmend të fillosh punë? Çfarë ke ndër mend të bësh me jetën tënde dhe të vajzës?

Fatmirësisht unë po gjej mbështetje që të filloj një punë. Shpresoj që të filloj tani së shpejti, që edhe ti siguroj të ardhmen vajzës sime dhe të mos i bëhem barrë familjarëve të mi. ajo çfarë dua të them është që pavarësisht çdo gjëje, çdo nënë duhet të mendojë më tepër , nuk duhet ti nënshtrohet dhunës apo të vazhdojë jetën ashtu në vuajtje. Duhet të përpiqet të dalë nga ajo, sepse çdokush ka të drejtë të jetojë jetën e vet e lirë, nuk ka pse të durojë. Kur tani ka shumë mundësi ku mund të gjesh mbështetje dhe mund tia dalësh.

Përveç familjarëve, ku e ke gjetur mbështetjen?

Edhe tek shoqëria e ngushtë. Ato kanë qenë shtysë që unë të këmbëngulja dhe të ndahesha.

Ka shumë vajza apo gra që janë duke përjetuar atë që ke përjetuar edhe ti. Çfarë do t'i thoje?

Unë do ti thoja që askush nuk ka të drejtë të shkelë dinjitetin e tyre, askush nuk ka të drejtë t'i godasë. Çdokush ka lindur në këtë botë për të qenë i lirë dhe i paprekur nga dhuna. Unë do t'u sugjeroja që të mos durojnë kaq shumë. Në momentin e parë që hasin dhunë, të përpiqen të bëjnë diçka për tu larguar, ose për ta zgjidhur, jo thjesht të nënshtrohen. Me vështirësi, por është më mirë që , sidomos për fëmijën , të rritet në një ambient ku nuk ka dhunë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ 40 vjeçari përplas me makinë për vdekje të moshuarin

Mat/ 40 vjeçari përplas me makinë për vdekje të moshuarin