26 vjet nga masakra e Srebrenicës, Kryeministri Rama kujton me një foto homazh: Gjenocid! Kurti: Ndëshkimi i kriminelëve është themeli i paqes! Basha: PD do paraqesë një rezolutë në Kuvend

Bosnja e Hercegovina por edhe e gjithë Europa shënojnë sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë persona në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Kryeministri ka zgjedhur të postojë një foto homazh në nder të kësaj dite të rëndë për historinë e Ballkanit.

Postimi i Kryeministrit Rama

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karaxhiç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre. Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes. 

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:22
Masakra në Srebrenicë, Osmani: 26 vite pas vrasjes, sot varrosen 19 të vrarë në atë kohë, mes tyre një 16-vjeçar

Presidentja Vjosa Osmani u është bashkuar përkujtimeve në 26 vjetorin e Masakrës së Srebenicës. Në një postim në ‘Facebook’, Osmani shkruan se sot 19 të vrarë në atë kohë, do të kenë një banesë të përheshme, ku midis tyre është edhe një 16-vjeçar.

Sipas Osmanit, akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë dhe se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

“Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve ë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë”, shkruan Osmani.

Ora 11:38
Masakra e Srebenicës, Basha: Akt gjenocidal që duhet të dënohet! PD do të paraqesë në Kuvend një rezolutë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar masakrën e Srebenicës në 26 vjetorin duke e konisderuar atë një akt genocidal që duhet të njihet nga gjithë bota dhe të dënohet. Në një postim në Twitter Basha shkruan se Shqipëria duhet ta njohë gjenocid që ka ushtruar Serbia në Kosovë dhe për këtë do të paraqesë një rezolutë në Kuvend.

“Masakra e Srebenicës është një akt gjenocidal i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Shqipëria duhet të ketë kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar atë dhe genocidin serb në Kosovë, mbi të cilin Partia Demokratike do të paraqesë në Kuvend një rezolutë”, shkruan Basha.

Ora 09:58
26 vjet nga masakra e Srebenicës/ Albin Kurti: Ndëshkimi i kriminelëve është themeli i paqes

1624731833_KosovosPMAlbinKurti.jpg

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka kujtuar masakrën e Srebrenicës në 26-vjetorin e saj.  Kurti shkruan se kriminelët duhet të dënohen, ndërsa theksoi se është e pamendueshme që ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë.

"Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore. Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë: “Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale", shkruan Kurti.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja