Presidenti amerikan Donald Trump ka kujtuar ditën e sotme tragjedinë e 11 shtatorit 2001, ku një sulm terrorist rrëzoi kullat binjake në Nju Jork, duke lënë të paktën 3 mijë viktima.

Në 25 vjetorin e 11 shtatorit, Trump tha mes të tjerash ‘ne nuk do ta harrojmë kurrë’. Sipas Trump, kjo është arsyeja pse SHBA po lufton sot (duke nënkuptuar luftën në Iran).

“Kjo është arsyeja pse luftojmë sot. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Trump në Pentagon. “Mund të ketë vetëm fitore. Ne luftojmë fort. Ne luftojmë për të fituar”, shtoi ai.

Më tej Trump tha se SHBA-të gjithmonë do i kujtojnë viktimat dhe familjet e 11 shtatorit 2001, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do i mbrojnë me çdo kusht qytetarët e vet.

“Ne do t’i kujtojmë gjithmonë viktimat dhe familjet e 11 shtatorit 2001. Një datë shumë e famshme, për fat të keq. Dhe filloi si një ditë kaq e bukur. Ne do t’i nderojmë jetët e tyre. Do t’i ruajmë kujtimet e tyre të bukura. Dhe do ta mbrojmë këtë vend dhe liritë e tij për çdo brez të ardhshëm. Do ta mbrojmë atë si kurrë më parë”, shtoi presidenti.

Më tej Trump shtoi se 11 shtatori ka treguar ‘fuqinë e shpirtit amerikan’, teksa shtoi se SHBA sot është më e fuqishme se kurrë më parë.

Trump nuk la pa përmendur as luftën me Iranin gjatë fjalimit të tij, teksa përshëndeti ushtarët amerikanë, që sipas tij po punojnë për të siguruar që Teherani "kurrë, kurrë nuk do të ketë një armë bërthamore".